“Dysh!”- theshte me gjithë seriozitetin një mësues gjeografie, që herë pas here zëvendësonte mëseuesen tonë që mungonte shpesh me raporte dhe leje lindjesh. Në kohën time nuk kishte 2-sha se kishte disa vite që ishte kthyer sistemi nga nota 4 deri në 10. Për dy dhjetvjeçarë më parë nota maksimale kishte qënë 5 dhe mbetësja ishte 2-shi.
Numuri dy e
kishte ende ndikimin negative në psikologjinë e nxënësve dhe mua për një kohë të
gjatë nuk më pëlqente, se nuk ishte edhe shumë e lehtë ta shkruaje në fletoret
tona të aritmetikës dhe bukurshkrimit. Në shumë vite mbeti edhe epiteti “dyshanjos”, që përdorej për të fyer
dhe shkurajuar nxënësit e dobët në mësime. Koha tregoi se shumë “dyshanjosë“ patën karriera në biznes,
politikë madje edhe në ndonjë rreth akademik.
Unë nuk e kam idenë e numerologjisë dhe se kam vrarë ndonjëherë
mendjen për të mësuar rreth saj, sepse më duket se numurat nuk kanë asnj
kuptim, por janë thjesht nocione abstrakte të krijuara nga njeriu për prakticizëm
dhe për të studiuar ligjet e natyrës. Ndaj nuk di as se ç’përfaqëson 2-shi në
numerologji dhe as viti 2022. Ky vit ka këtë numur në kalendarin Gregorian, që
përdoret thuajse në gjithë botën, 1443 në kalendarin hixhra, 5781 në kalendarin
hebraik dhe 4720 në kalendarin kinez. Në përdorim janë edhe rreth 35 kalendarë
të tjerë ndërsa për fiset zulu, lëkurkuqtë e Amerikës dhe eskimezët ky vit , si
gjithë të tjerët, nuk ka ndonjë numur.
Në Atdheun tim ka dy parti
politike që alternohen në pushtet. Partia që ka dalë e dyta në zgjedhjet e vitit të kaluar ka tani dy udhëheqës dhe që të dy janë
akuzuar për korrupsion dhe për shkelje të demokracisë brenda partisë së tyre.
Por populli thotë se “kur dy vezë
përpiqen, njëra do thyhet”, por deri tani të dyja vezët mburren se janë të pathyeshme.
Numuri dy i
qeverisë, Arben Ahmetaj, pritet të shkarkohet gjatë këtij viti dhe të hetohet për
përfitime të mëdha në një skandal të vetëm, atë të “djegësve të plehrave”. Dy biznesmenët që merrnin paratë e
taksapaguesve për të ndërtuar djegësit dhe për të djegur plehrat e
taksapaguesve, dhe më pas i ndanin me ata që administronin paratë e
taksapaguesve janë tashmë në kërkim ndërkombëtar, por nuk duket e lehtë që të
kapen.
Edhe Europa duket që e pëlqen numurin dy. Shqipërinë e ka lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe po mos hyjnë
të dyja në hapjen e negociatave nuk
hyn dot asnjëra. Shpresa është që me gjithë këto dyshka të këtij viti edhe Bullgaria mund të lejojë dy vendet të luajnë vallen e tyre dyshe ballkanase që do i shpjerë në
Europën e shumëndërruar. Duhet vetëm që kryeministri bullgar mos e bëjë fjalën dy!
No comments:
Post a Comment