Me kalimin e viteve dhe informacionet e reja, të cilat botohen herë herë në shtypin shqiptar, arrin të kuptosh më mirë ngjarje që lidhen me jetën tënde. Edhe pse shumë kujtime të botuara së fundmi mund të jenë të përshtatura, apo ndonjëherë edhe të falsifikuara, nga dëshmitë e shumë të pranishmëve në ato kohëra arrin të plotësosh “puzzle” stërmadhe të kohës nën Diktaturë.
Ka qënë një episod i shkurtër i një të djele në drekë, i cili
më ka mbetur në mendje dhe në variantet e para të librit “Biseda të pakryera me
babanë“ e kisha përmendur. Më pas, si edhe disa ngjarje të tjera, nuk e përfshiva
në versionin përfundimtar.
Kishte të bënte me një artikull kritik ndaj vëllimit me
tregime “Brumi i zjarrtë“, i botuar në gazetën “Drita” ndoshta në pranverën e
vitit 1970. Autori ishte një emër i panjohur. Quhej Thanas Dino. Babaj u
trishtua shumë nga kritika që i bëhej. Nuk e kujtoj nëse ishte ose jo
dashakeqe, ndoshta kishte edhe të vërteta në të, por e pyeta babanë për autorin
dhe më tha që është një djalë I ri nga Gjirokastra. Më pas shtoi se prapa
shkrimit qëndrojnë Kadareja dhe Ibrahim Uruçi.
Në atë kohë nuk kisha pse të vija në dyshim fjalët e babait,
por vite më vonë, edhe pse nuk e zumë më në gojë Thanas Dinon, nisa të dyshoj nëse
vërtet Kadareja mund të kishte gisht. Ibrahim Uruçi ishte kryeredaktor i “Dritës”
dhe ndoshta edhe kishte sugjeruar. Megjithatë dyshimet e mija ishin të një
adoleshenti, që fillon të zhvillojë “shpirtin kryengritës” ndaj prindërve edhe
pse në mënyrë pasive. Nuk më dukej e llogjikshme, që Kadareja të shtynte dikë për
të shkruar kundër një autori tregimesh, i cili nuk ishte në “kokat” e letërsisë
shqiptare dhe për më tepër nuk përzjehej në jetën letrare të Tiranës.
Si përmenda më lart, ka rrjedhur shumë kohë dhe kam arritur
të kuptoj më shumë rreth jetës artistiko-letrare të Tiranës në vitet ’60-’70.
Ka patur në atë kohë plot tarafe, prapaskena, përpjekje për të zënë pozitat
drejtuese në shtypin letrar dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve. Këto kryesisht nga
brezi i artistëve dhe shkrimtarëve të kthyer nga studimet në vendet e Europës
Lindore. Ajo që u propagandua me të madhe si “lufta e brezave” ishte një përpjekje
e atij grupi dhe moshatarëve të tyre për të dominuar jetën kulturore dhe
artistike në Tiranë. Kadareja nuk qëndronte jashtë tyre, por ishte strumbullari
i atyre përpjekjeve. Kështu nisën “prapaskenat” për të mënjanuar Jakov Xoxen,
Petro Markon, Shefqet Musaranë, Sterio Spassen, Vedat Kokonën, Nonda Bulkën,
Kol Jakovën, Spiro Çomorën e ndonjë tjetër, sepse me Paskon dhe Lasgushin
thuajse i kishte “larë hesapet” vetë Diktatura. Në mënyrë të ngjashme u mënjanuan
Guri Madhi, Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Llazar Nikolla në artet figurative dhe
Tonin Harapi, Kristo Kono, Pjetër Dungu në muzikë.
Kadareja mblodhi rreth vetes shumë letrarë të rinj, disa të
talentuar dhe disa jo, dhe u përpoq jo vetëm të sillte një frymë të re në letërsinë
shqiptare (me të drejtë), por ta dominonte atë. Si e përmend vetë Thanas Dino në
një intervistë, ishte Kadareja që ndërhyri për ta emëruar në gazetën “Drita”.
Dino nuk shkëlqeu kurrë as në letërsi dhe as në kritikën letrare.
Nuk dua të arrij në përfundimin se Dino ishte i shtyrë nga të
tjerë, ndonëse nuk mund të përjashtohet si mundësi “për t’ju dhënë dërmën dogmatikëve”.
Do më duhet një ditë të lexoj edhe shkrimin e Dinos dhe vëllimin me tregime të
babait dhe të shoh nëse artikulli kritik ishte plotësisht i drejtë. Megjithatë,
një bindje më është forcuar, që në Tiranë janë luajtur prapaskena të vogla e të
mëdha, po aq sa luhen edhe sot në gjithë jetën e shoqërisë shqiptare.
Njerëzit i pëlqejnë intrigat dhe i përdorin atëhere kur ju
duhen dhe nga kjo nuk përjashtohen artistët.
No comments:
Post a Comment