Veçimi i një pjese të njerëzve vetëm nga prejadhja e tyre gjenetike, e cila sipas shoqërisë i vendos në një pozitë sipërore është një nga padrejtësitë më të mëdha të Njerëzimit. Megjithatë meqënëse është shumë e përhapur në të gjithë vendet dhe kulturat na duhet ta pranojmë sin jë fakt më se të pranishëm dhe të qartë. “Gjakmbretërorët”, të krijuar ose jo, ekzistojnë dhe një pjesë jo e vogël e shoqërisë i pranon si të tillë.
Nuk është vendi të zgjatem me historitë e tyre të largëta
dhe të afërta, por po prek hipokrizinë e tyre, që shfaqet rëndom dhe veçanërisht
tek diçka që lidhet me mbretëreshën shqiptare Geraldina.
Geraldina Apponyi rridhte nga një familje fisnike (gjakmbretërore)
hungareze nga ana e të jatit dhe jo të tillë nga e jëma e saj amerikane. Ishte
e re dhe e bukur dhe njëkohësisht jo e pasur, si edhe shumë familje gjakmbretërore
europiane. Ishte padyshim në kërkim të një fisniku për të bërë një jetë në mirëqënie,
të ngjashme me atë të familjeve të tjera europiane të “sërës” s saj. Ndërkohë,
një i pasur shqiptar, që ishte shpallur mbret në sajë të pushtetit që kishte
dhe sugjerimeve të njerëzve rreth tij dhe që quhej Ahmet Zogolli kishte disa
vjet që nuk arrinte të gjente nuse në oborret e mëdha europiane të Italisë,
Anglisë, Spanjës. Dikush i sugjeroi Geraldinën dhe “trëndafili i bardhë i Hungarisë”
u bë gruaja e tij edhe pse ishte 21 vjet më e vogël.
Geraldina jetoi një vit në Shqipëri pas dasmës të vitit 1938
dhe gjashtë muaj para se të mbyllte sytë më 2002. Pa dashur të ve në dyshim
vlerat njerëzore të Geraldinës së ndjerë, ato çka lexon në një intervistë të
saj të nxitin një përzjerje të rropullive. Flet për dashurinë e madhe që ndjen
për shqiptarët, për vlerësimin e tyre si njerëz të besës dhe virtyteve të tjera
të larta, për cilësitë e jashtëzakonshme të bashkëshortit të saj Ahmet e të
tjera cilësime të përgjithshme rreth një vendi dhe një populli, ndaj të cilëve
ndjehet sundimtare. Në kujtimet e saj nuk harron të përmendë edhe lugët e
pjatat e florinjta që patën lënë në pallat ndërsa iknin me rrëmbim nga Shqipëria
që po pushtohej.
Për një vit e gjysëm që jetoi në Shqipëri dhe 62 vjet jashtë
Shqipërisë me florinjtë e marra nga arka e shtetit, mbretëreshës Geraldinë, të
tjerë hipokritë “jo gjakmbretërorë“ i ngrenë shtatore në Tiranë. Në Tiranë nuk
ka as shtatore të mbretëreshës Teuta, as të Dora D’Istrias, as të Sevasti
Qiriazit, as të Sabiha Kasimatit, as të Musine Kokalarit, madje as të Donika
Kastriotit.
Përse kjo shtatore e Geraldina Apponyi?
Mund të ketë dhjetra edhe më shumë gra të tjera të historisë
së vjetër dhe të re shqiptare të cilave ju duhen ngritur përmendore.
Për fat të keq ne
parapëlqejmë t’i ngremë përmendore Hipokrizisë!
No comments:
Post a Comment