Monday, 10 January 2022

I mbytyri të mbyt!


Deri dje Berishën e kam quajtur një “të vdekur politik”, që ec dhe flet. Më e saktë do ishte që Saliu është një “i mbytyr politik” dhe sikundër thotë populli që “i mbytyri të mbyt”, edhe ai po e shpie në fund të detit gjithë PD-në.

Përpëlitjet e tij nga demagogjia boshe në thirrjet për revolucion, nga shtirja si shpëtimtar i pluralizmit në thirrjet për dhunë, nga sulmet ndaj “Lul Bravës” tek elozhet ndaj “dyerthyesve paqësorë“, janë ekzaktësisht pëpjekjet e dikujt që është gati i sigurt se po mbytet, por kapet me thonj pas çdo trupi që i gjendet pranë për ta marrë edhe atë me vete. Procesi i “mbytjes” së tij ka nisur pa dijeninë e publikut rreth vitit 2019 dhe vitin që shkoi u bë i njohur me shpalljen zyrtare “non grata”.

Por a është “mbytja” e PD-së një tragjedi për shoqërinë shqiptare? A është e vërtetë se demokracia jonë hibride do jetë më keq akoma për shkak të mungesës së opozitës në Parlament? A do thellohet mjerimi i shqiptarëve nën katër vitet e regjimit të Ramës pa opozitë?

Duke nisur nga pyetja e fundit unë mendoj se gjendja e mjeruar e shqiptarëve do mbetet e njëjtë. Madje një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare do kuptojë se kanë shpresuar në një opozitë të rreme, hipokrite dhe po aq të korruptuar sa edhe pozita. Në luftën për pushtet brenda PD-së në këto 4 muaj u hoqën të gjitha maskat dhe njerëzit nuk ushqejnë më iluzione. Po kuptojnë se duhet të merren seriozisht me jetën politike shqiptare dhe të kërkojnë politikanë të rinj.

Përballë qeverisë Rama në Parlament vërtet do jetë një opozitë anemike, e copëtuar dhe pa autoritetin e duhur, por e ngjashme ka qënë edhe më parë, madje për mëse dy vjet opozita nuk ishte pjesë e pushtetit legjislativ.

“Mbytja” e PD-së e parë në një plan historik afatgjatë është një bekim për shoqërinë shqiptare. Një parti pa një ideologji të caktuar, e drejtuar në tridhjet vjet nga një autokrat i sëmurë, i paskrupullt, i aftë për çdo lloj krimi që e mban në pushtet vetëm dëm i sjell vendit. Po mos kishte Berishë nuk do kishte Ramë! Sado e sëmurë të jetë shoqëria shqiptare, brenda saj ka antitrupa që do fillojnë të bëjnë pastrimin hap pas hapi të politikës shqiptare brenda opozitës dhe më pas brenda Partisë Socialiste që kontrollohet plotësisht nga Rama.

Mbytja” e PD-së është i vetmi shërbim që po i bën Shqipërisë “i mbyturi” Sali Berisha.

No comments:

Post a Comment