(vijim)
Por ky sistem i përkohshëm feudo-socialist traumatizoi thellë shoqërinë dhe psikologjinë kolektive, si dhe prishi atë që quhet “stofi” i një shoqërie. Pikërisht sepse ishte një sistem hibrid ai çrregulloi të gjitha ekulibrat që krijohen në një shoqëri qoftë kjo e prapambetur, në dhjetvjeçarë apo në shekuj. U trondit thellësisht sistemi gjyqësor, i cili edhe pse disi arbitrar dhe i korruptuar në shekujt e mëparshëm, funksiononte sipas parimeve bazë të së drejtës, ku i akuzuari ka të drejtë të mbrohet nga profesionistë. Sistemi i ri gjyqësor (edhe ky feudo-socialist) vuri në rradhë të parë mbrojtjen e interesave të kryefeudalit (shtetit) para çdo interesi tjetër. Nëse vidhje pronën socialiste në përmasa të mëdha mund edhe të pushkatoheshe, se dënimet e rënda ishin të padiskutueshme. Pas viti 1966 u ndalua me ligj funksionimi i institucionit të avokatit dhe tashmë “feudali-shtet” ishte edhe prokuror edhe hetues edhe gjykatës.
Ndalimi me ligj i funksionimit të institucioneve fetare dhe
zhdukja e shtresës së klerikëve ishte një tjetër shkatërrim i “stofit” të shoqërisë.
U persekutuan dhe humbën ndikimin njerëz të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare
dhe mbi të gjitha pjesa besimtare e popullsisë humbi pjesën shpirtërore të
botkuptimit të saj dhe u kthye thuajse tërësisht në një popullsi ku vetëm
ligjet e interesit dhe fitimit për vete dhe familjen kishin një lloj kuptimi.
Ambiciet e njerëzve u përqëndruan në një punë në Tiranë, në përpjekje për të
shkëlqyer në fushat e artit dhe të sportit për të bërë rrugë jashtë shtetit, që
nënkuptonin fitime materiale dhe veshje të huaja, si dhe në përpjekje për të
qënë sa më pranë kastës së Bllokut. Një shoqëri e tillë e izoluar dhe me
ambicie kaq të kufizuara për jetën ishte psikologjikisht edhe më prapa se
shoqëria shqiptare e shekullit të XIX. Në atë shekull shqiptarët emigronin,
studionin në universitete të huaja, kishin kontakte me shoqëri normale ndaj dhe
ishin në gjendje të kristalizonin ide më të përparuara për të ardhmen e familjes,
shoqërisë dhe vendit.
Fundi i viteve ’80 e gjeti shoqërinë shqiptare të etur për të
dalë nga izolimi, gjë që u pasqyrua më mirë në parrullën: “E duam Shqipërinë si
gjithë Europa”. Po a ishte në gjendje
shoqëria shqiptare të transformohej në një shoqëri europiane?
Për ne që ishim pjesë e shoqërisë shqiptare dukej e lehtë.
Me një legjislacion të kopjuar nga vendet europiane do krijonim shtyllat e
pavarura të pushtetit dhe me krijimin e Ekonomisë së Tregut, gjërat do shkonin
hap pas hapi, automatikisht si ishin bërë në shoqëritë e zhvilluara europiane.
E gjitha vinte jo vetëm nga një besim i verbër në fuqinë e demokracisë dhe të
Ekonomisë së Tregut, por edhe nga formimi jonë materialist- dialektik, që po
ndryshove rregullat ekonomike të lojës sistemi ekonomikoshoqëror është i mundshëm
të krijohet. Me një tjetër sy e shihnin të hujajt, të cilët edhe pse nxisnin
idetë tona optimiste e dinin që duhej një kohë shumë e gjatë për të krijuar një
shoqëri “si gjithë Europa”.
Dora dorës legjislacionet u krijuan, u ngritën edhe shtyllat
e pushtetit, u lejua edhe liria e fjalës dhe e besimit fetar dhe edhe sot, pas
tridhjet vjetësh, shoqëria shqiptare nuk është as kapitaliste, as e përparuar
dhe as demokratike.
Nuk është më një shoqëri
feudo-socialiste, por e një lloji feudo-kapitaliste.
(vijon)
No comments:
Post a Comment