Nesër vjen për vizitë në Shqipëri Presidenti i Turqisë Erdogan, që mban nofkën “sulltani”. Nuk di nëse vizita qëllimisht ka qëlluar në ditën e vdekjes së Skënderbeut, ose kur është negociuar dita e vizitës nëpunësit e të dy palëve nuk ja kanë pasur idenë se kur vdiq Heroi jonë Kombëtar. Gjithsesi, datat mbeten të rëndësisë simbolike dhe simbolika ngjall emocione, si këto të ngjallura sot në mediat tradicionale dhe në ato sociale.
Mua nuk më duket e udhës lidhja e emrit të Skënderbeut me
Erdoganin se nuk janë vetëm 550 vjet që i ndajnë, por i largon edhe çdo gjë
tjetër, përfshi sistemin ekonomiko-shoqëror, kushtet gjeo-politike, ndjenjat
atdhetare etj.etj. Ne jemi mësuar të shohim Skënderbeun si antitezë të
Sulltanit, por pas 150 vjetësh duhet të kemi kuptuar tashmë se “miti” i Skënderbeut
i krijuar gjatë Rilindjes Kombëtare kishte arsye të forta, të cilat nuk i kemi
më sot. Për më tepër, një lloj identifikimi i Erdoganit me rrezikun islamik është
i gabuar pavarësisht nga lidhjet e forta që ka Presidenti turk me fenë islame.
Ka disa arsye të tjera për të cilat Presidenti i Turqisë nuk
duhet pritur me tam-tame dhe vizita e tij duhet kritikuar rëndë nga mediat dhe
nga opozita shqiptare.
·
Arsyeja e
parë është modeli i keq qeverisës i Erdoganit në Turqi dhe e gjithë veprimtaria
e tij prej gjysëm-diktatori.
Presidenti turk ka mbi
dhjetë vjet që çmonton dora dorës demokracinë-hibride të shtetit turk nëpërmjet
ndryshimeve kushtetuese, shtypjes me forcë të protestave, kufizimin e e lirive
të medias dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
·
Arsyeja e
dytë është përpjekja e Erdoganit për të rritur ndikimin turk në Ballkan.
Ndër vite Erdogan po bën ç’është e mundur të bëhet faktor i rëndësishëm
në Ballkan, sidomos në pjesët ku ka popullsi myslimane si Bosnjë, Kosovë, Shqipëri
dhe Maqedoni. Në interesin e këtyre vendeve është të kenë marëdhënie të mira me
Turqinë, por ndikimi i saj duhet të jetë shumë shumë më pak se sa i SHBA, BE
dhe Anglisë. Krahasuar me to Turqia nuk ka ç’të ofrojë as financiarisht, as me
modelin e qeverisjes dhe as me ndikimin në rritje të pjesëve fondamentaliste
islamike brenda saj. Nuk është në interesin e këtyre vendeve të rritin
artificialisht rolin e Erdoganit si “lojtar politik” që nuk duhet të injorohet
nga Fuqitë e Mëdha.
Miqësia e dyshimtë e Ramës me Erdoganin, pas të cilës besoj
se fshihen shumë afera të pista duhet demaskuar në mënyrë të vazhdueshme. Nuk është
vetëm Rama, që merr para si ndihmë për qeverinë ose edhe si rryshfete nga
Presidenti turk. Ka politikanë në të gjitha krahët me lidhje jo të pastra me
Turqinë. Eshtë arritur deri atje sa ngrihet edhe një memorial në Kodrat e
Liqenit kushtuar të rënëve në ditët e grushtit të shtetit kundër Erdoganit.
Emisarët turq janë më aktivë se kurrë në gjithë fushat e jetës në Shqipëri
madje edhe në arsim dhe kulturë.
Raportet tona me Turqinë duhen kritikuar nën dritën e
zhvillimeve të këtij shekulli dhe jo në raport me ç’ka ka ndodhur në shekullin
XV. Ai shikim mitologjiko-emocional nuk i shërben realitetit të sotëm të
Ballkanit dhe të Shqipërisë.
Erdoganit, nëse nuk është e udhës të pritet me “yyyy”, të
paktën i duhet kujtuar se Shqipëria i urren diktatorët dhe autokratët sepse janë
të tillë dhe jo sepse janë pasardhës të otomanëve.
No comments:
Post a Comment