Përfshirja e disa hallexhinjve në “gjurulldinë“ e fundit të Berishës më kujtoi një ngjarje shumë të vocërr të 40 viteve më parë në Tiranë. Nuk di pse më ka mbetur në mendje hallexhiu që tha këto fjal[ në dera e Klubit Dinamo, atje ku sot ngrihet një ndërtesë e lartë e njërit prej miqve të të gjithë kryeministrave, Bashkim Ulajt.
Hallexhiu ishte një punëtor shtatshkurtër dhe flokërënë, që
si unë dhe shumë të tjerë priste në dera e Klubit për të siguruar një biletë për
ndeshjen Dinamo-Ajaks e vlefshme për Kupën e Kampionëve. Shoku Vaskë ishte Vaskë
Afezolli, oficer madhor i Ministrisë së Brendëshme dhe shef i klubit sportiv “Dinamo”.
“Ajaksi” i viteve ’80 nuk ishte më ai i kohës së Krojfit, Neskensit dhe
Hulshof, por ishte një ekip shumë i mirë, me danezët Lerbi dhe Andersen në
krye. Nuk di kush na kishte thënë që tek zyrat e Klubit mund të shiteshin
bileta, se nuk kishte arsye të gjendesha atje, ndonëse ishte një ndërtesë para
të cilës kaloja disa herë në ditë në rrugën nga konviktet për në fakultet.
Tifozi i “Dinamos” ishte i veshur si shumica e punëtorëve të
varfër të asaj kohe dhe duket që ishte besnik i ekipit, se jo vetëm e njihte
shokun Vaskë, por në zërin e tij kishte edhe një trishtim, që nuk mund ta
harroj. Shoku Afezolli nga ana e tij, me nervozizmin e një nëpunësi që do të
largojë grupin e padëshirueshëm nga dera e zyrave përsëriste se nuk kishte
bileta për të shitur. Të gjithë e dinim që shoku Vaskë na gënjente ndaj prisnim
ende me besimin se diçka do ndryshonte dhe me zëmërgjërësi, blloku me bileta të
rezervuara mund të shpërndahej edhe mes anonimëve si unë dhe të tjerëve, që nuk
mund të siguronin bileta me mik.
Nuk di se si gjeta biletë më vonë dhe e pashë ndeshjen me
shokun tim të shtrenjtë Bin Xoxi, por kujtoj që e gjithë tribuna në jug të
stadiumit “Qemal Stafa” ishte bosh dhe shoku Vaskë na kishte përcjellë duarbosh
kot. Ndoshta edhe besniku i “Dinamos”, që e kishte ndjekur ekipin e zemrës edhe
jashtë Tiranës kishte mundur të gjente një biletë për të parë një ndeshje të rëndësishme.
Kujtimi im dhe lidhja me “besnikët” që shpresojnë, ka të bëjë
me trishtimin e njerëzve që japin gjithshka për një njeri, ekip, parti ose kauzë
dhe si shpërblim marrin përbuzjen. Janë njerëz të pafuqishëm, pa lidhje, pa
para, si janë shumica e njerëzve në çdo vend, por që shpresojnë tek mirësia
njerëzore dhe tek shpërblimi për besnikërinë. Nuk kanë asgjë më shumë se shpresa edhe pse e dinë që i kanë përdorur
dhe do i përdorin dhe në të ardhmen ata, të Plotfuqishmit si padronët e shokut
Vaskë dhe të tjerët që kanë ardhur pas tyre.
No comments:
Post a Comment