(vijim)
Me një fjalë, autokratizmin të cilin e kanë manifestuar më së
shumti Berisha dhe Rama është pasojë e mendësisë të shoqërisë sonë, që pranon
si të pëlqyeshëm këtë model të prapambetur të udhëheqjes së një vendi. Kjo nuk
mund të ndodhë jo vetëm në vendet skandinave, por nuk ndodh as në Itali, Spanjë
dhe Greqi, që janë shoqëri mesdhetare më të prapambetura se ato të Europës
Veriore.
Edhe me zbrazjen e shpejtë të pjesëve fshatare të Shqipërisë
dhe shtimit të madh të 3-4 qyteteve kryesore, në Shqipëri nuk ndodhi procesi i “proletarizimit”
të popullsisë, që është kushti i domosdoshëm sipas Adam Smithit për krijimin e
sistemit ekonomiko-shoqëror kapitalist. Kjo për shkak të mungesës së
investimeve të mëdha dhe të mesme industrial, si dhe mosvënia në efiçiencë e
atyre ekzistuese për shkak të teknologjisë së prapambetur, pronësisë të paqartë
etj. Banorët e qyteteve u punësuan kryesisht në sektorin e shërbimeve, në
administratë dhe në ndërtim. Punësimet më të pëlqyeshme mbetën për dhjetvjeçarë
ato në administratë për shkak të rrogave të mira dhe mundësive financiare për
para “nën dorë“. Kjo gjë e forconte krahinarizmin, tribalizmin i cili tani
ishte edhe në formën e partive. Partitë thuajse nuk kanë asnjë ndryshim nga njëra
tjetra nga pikpamja ideologjike veç lidhjeve për arsye familjare, të traditës
apo të udhëheqësit krahinor. Ndaj edhe besnikëria nuk është ndaj parimeve dhe
ideve si ndodh në shoqëritë e zhvilluara, por ndaj politikanëve të fuqishëm që
kanë në dorë të punësojnë, të japin tendera dhe të favorizojnë për leje ndërtimi
ose të tjera lehtësira në taksa etj.
Ndaj për çdo lloj problem që lidhet me bizneset, me drejtësinë,
me administratën, pyetja e parë nuk është “Si është ligji për këtë çështje?”,
por “Kush e ka në dorë këtë?”. Pushteti i individëve mbi ligjet dhe
institucionet është karakteristikë e shoqërive feudale, madje atyre feudale të
prapambetura. Këtë gjë nuk e shpiku as Berisha, as Meta dhe as Rama, por duke
kuptuar mirë mendësinë e shumicës të shoqërisë shqiptare ata përfituan në
maksimum prej saj.
Edhe ngjarjet e fundit në PD për shkarkim kryetarësh dhe
marrje godine, jo vetëm në formë janë mesjetare, por edhe në përmbajtje. “Vasalë“
besnikë të një “feudali” sulmojnë në media si dhe fizikisht, “kështjellën e
pushtetit”, e cila mbrohet nga “vasalët” besnikë të “feudalit” tjetër. Edhe pse
numuri i sulmuesve dhe mbrojtësve është i kufizuar, numuri i gjoja intelektualëve
që mbrojnë njërën palë dhe sulmojnë tjetrën në media është çuditërisht i madh.
Analiza ime në faqet e këtij shkrimi e paraqet gjendjen e
shoqërisë shqiptare si të pashpresë, pa dhënë asnjë dritë se në një kohë të
caktuar apo pas proçeseve të caktuara, diçka do ndryshojë për mirë. Shoqëria
shqiptare do përmirësohet kur politikanët udhëheqës të mos jenë më në gjendje t’a
mbajnë “të izoluar”. Izolimi i sotëm është kryesisht në rrafshin politik, që
nuk lejon shqiptarët e diasporës të marrin pjesë në votime dhe më shumë akoma në
proceset politike në Shqipëri. Diaspora, sikundër më se një shekull më parë, është
pjesa më e përparuar e shoqërisë shqiptare, sepse jeton përgjithësisht në vende
me demokraci të zhvilluar dhe ka një mendësi të ndryshme nga ajo e popullsisë
vendase. Ajo ka shumë të ngjarë të jetë në sintoni me ata që në Shqipëri i quajnë
“ndërkombëtarë“ dhe që janë përgjithësisht më objektivë dhe me mendje më të
kthjellët se sa vendasit.
Dua të theksoj një gjë:
Institucionet dhe
ligjet nuk mund t’i tjetërsojnë njerëzit. Janë këta me mendësinë e tyre që përcaktojnë
ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve.
50 vjet të historisë të Shqipërisë pas Luftës së Dytë ishin
50 vjet të humbura dhe të hapave prapa. Eshtë ai feudo-socializëm që bën të
kemi një shoqëri kaq të prapambetur.
No comments:
Post a Comment