Monday, 3 January 2022

A duhet të “sundojë“ arkitektura me elementë neoklasikë në Korçë?



Po bëhen thuajse dy dhjetvjeçarë që në Korçë ka një prirje për të udhëzuar arkitekturën e “dimensioneve të vogla” drejt arkitekturës së Korçës së gjysmës së parë të shekullit të XX-të. Për ata që e njohin pak arkitekturën e qytetit po e përvijëzoj trashë atë lloj arkitekture, që jo me të drejtë e quajnë neoklasike, por që duhet pranuar se ka të pranishme shumë elementë të neoklasiçizmit europian të shekullit të XIX-të.

Simetrike në planimetri dhe në pamje; theksim të vertikalitetit në elementët e saj; përdorimi i kolonave të gurta por jo të ordereve greke; çati me pjerrësi të ulët; katet përdhe me gurë të gdhendur dhe katet e sipërme të suvatuara; rrethim me mure guri të gdhendur dhe kangjella.

Nuk dua të zgjatem pse u ndërtua aq shumë në atë mënyrë në ato vite, ndryshe nga arkitektura tradicionale e shekullit të XIX-të, por fakti është që në pjesët më të dukshme të qytetit dhe në gjitha rindërtimet më luksoze, ishte kjo arkitekturë e cila mbizotëroi dhe i dha Korçës një fizionomi të caktuar.

Po a duhet të detyrohen njerëzit për të ndërtuar me të njëjtat koncepte arkitekturore në exterior edhe 100 vjet më pas, qoftë kjo edhe në zonat e mbrojtura me ligj?

Rreziku i parë është, që edhe nëse realizohen shumë mirë, teprimi sjell një uniformitet (jo harmoni), që bën që pjesë të caktuara të qytetit dhe ndoshta më vonë i gjithë qyteti, të kthehet në një hapësirë të mërzitshme. Eshtë në prirjen e njeriut, që të kërkojë larmi dhe variacion në të gjithë hapësirat që shkel. Ndodhi në disa qytete të botës me atë që u quajt si triumf në arkitekturë dhe që ishte i quajturi “stili modern” i Korbyzjesë. Në periudhën e fundit të karrierës edhe vetë ideatori i stilit u kthye kundër tij.

Rreziku i dytë është ai i frenimit të materialeve të reja arkitekturore, të cilat nuk ishin në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Madje edhe betonarmeje nuk ishte pjesë e arkitekturës së Korçës të atyre viteve. Kishte vetëm disa raste të shkëputura të përdorimit të një betoni të varfër në disa ballkone. Ne nuk mund të mbetemi vetëm në muraturat, skeletet e betonit , suvatë, tjegullat dhe veshjet me gurë për të ndërtuar gjatë shekullit XXI. Prirjet më të fundit të arkitekturës janë drejt materialeve më të lehta, ricikluese dhe të pranueshme për ruajtjen e mjedisit. Nxitja e përdorimit të tyre duhet të jetë përparësia e autoriteteve dhe e projektuesve edhe në Korçë.

Arkitektura, si çdo lloj arti “urren” rregullat e ngurta dhe kufizimet. Imponimi i tyre nga Bashkia, pavarësisht nga rregulloret e miratuara është i gabuar dhe anakronik. Eshtë në kundërshtim me vetë frymën e përparuar të një shekulli më parë, ku banorët u larguan nga skemat e banesave me çardhak të hapur dhe përdorim në stil të gjërë të drurit, në skema që i përshtateshin më mirë klimës së qytetit, ndryshimeve shoqërore në jetën e familjeve dhe materialeve të ndërtimit.

A mundet të ndërtohet në harmoni me ndërtimet ekzistuese edhe pa ndjekur rregullat fikse të të ashtuquajturit “neoklasiçizëm” dhe duke përdorur në masë material të tjera.

Eshtë plotësisht e mundur dhe shembujt në botë janë të panumurt.

Harmonia nuk qëndron as në dimensionet e dritareve, as në frizat dhe kornizat dhe as në rrethimet me gur dhe hekur. Harmonia në rradhë të parë ka të bëjë në raportet që ka ndërtimi me dritën, me qasjen nga rrugët, me vëllimet, me ritmin brenda vetes dhe në raport me ndërtimet e tjera, me ngjyrat. Më pas vjen harmonia e materialeve të përdorura nëse do jenë plotësisht tradicionale apo do ketë në to edhe të huazuara nga kulturat e tjera apo nga teknologjia bashkëkohore. Harmonia e detajeve është e fundit dhe ajo shpesh kërkon edhe “disonancë“ pikërisht për të nxjerrë më në pah detajet.

Ndaj nuk ka pse t’ju trembemi dhe aq më pak t’i ndalojmë projektet që i përkasin rrymave bashkëkohore nga postmodernizmi, në high-tech dhe në arkitekturën ekologjike. Madje nuk duhen frenuar as edhe ndonjë shembull I arkitekturës moderne (të shekulllit të kaluar), sepse në artin e ndërtimeve nuk ka stinë dhe modë.

Bashkia nuk duhet të jetë qeni-roje i arkitekturës së qytetit. Në zhvillimin e saj marrin pjesë të gjithë, nga njerëzit që ndërtojnë shtëpitë dhe shitoret e tyre dhe deri tek arkitektët, urbanistët, piktorët, historianët, restauruesit e të tjerë. Në këtë mënyrë janë ndërtuar vendbanimet më tërheqëse në botë.

Korça nuk ka pse të bëjë përjashtim.

  

No comments:

Post a Comment