Friday, 7 January 2022

Jam i sëmurë


Para disa ditësh postova përkthimin e tekstit të këngës më të njohur të kantautorit francez Serzh Lama “Je suis malade”. E viteve ’70, kënga është interpretuar edhe nga shumë këngëtare me famë, franceze, belge dhe italiane si Dalida, Ornela Vanoni, Lara Fabian dhe Morenë.  Thelbin e këngës, që është në titull dhe përsëritet shumë herë e përktheva “…jam i ligur” edhe pse menjëherë të shkon në mendje “jam i sëmurë“ dhe tingëllimi i kësaj të fundit jep mundësi për të përdorur shumë fjalë të shqipes që rimojnë me të. U stepa pikërisht nga një këngë rrugësh korçare, ndoshta e viteve ’50, që këndohej rëndom në anët tona gjatë rinisë sime. Titullohej “Jam i sëmurë“.

Nuk di nëse është ende në repertorin e këngëtarëve të serenatave, që këndojnë “live” në bujtinat e qytetit, pasi ka brenda tekstit të saj jo vetëm një lloj trishtimi qesharak, por edhe një lloj fantashkence idiote. E megjithatë, kur ishim shumë të dehur e këndonim.

Në dallim nga kënga e Lamës, që është e mëvonshme dhe sigurisht nuk është ndikuar nga kënga e sokakëve tanë, serenata qaramane fliste për dikë (ndoshta vërtet autori i këngës), që ishte jo vetëm i sëmurë shpirtërisht nga dashuria por edhe me një sëmundje të rëndë për atë periudhë:

“Jam i sëmurë

Jam i sëmurë tuberkuloz

Jam i sëmurë tuberkoloz,

Kolla më ze dhe s’më lëshon.”

Ajo ç’ka paraqitet në strofën e parë, kur ishim fëmijë nuk ka linte të mendonim se do kishte romantizëm në atë këngë. Ishte vetëm një i sëmurë rëndë, diku në shtëpi ose në sanatorium, i cili vuante nga ajo sëmundje që kishte ende një emër të frikshëm edhe në vitet ’60. Dhe më tej, edhe pse me një lloj optimizmi, skena mbetej në kuadrin e shëndetsisë dhe në praninë e personelit mjekësor:

“Shtatë doktorë,

Shtatë doktorë më rrin’ në shtrat…”

Me naivitetin tonë fëminor ne nuk arrinim të kuptonim nëse kjo ishte mirë apo keq. Shtatë doktorë ishin më shumë edhe se një komision që të nxirrte në Kemp ndaj diçka e mirë do vinte në fund të këngës. Dhe këtu ishin vargjet më mjekësoro-makabër, që edhe sot nuk arrij t’i kuptoj nëse bëhet fjalë për një metaforë apo nëse në sanatoriumet tona eksperimentoheshin metoda të paaplikuara kërkund në luftën kundër tuberkulozit:

“Shtatë doktorë më rrin’ në shtrat

Të shtat’ në zemër më marrin gjak.”

Skenë më rënqethëse vetëm në filmat me alienë kemi parë, kur qëniet e vogla jashtëtokësore studiojnë me instrumenta të sofistikuar trupat e njerëzve të rrëmbyer. Ne në vitet ‘60 na mbetej në mendje një grup njerëzish me bluza të bardhe, që njëkohësisht me nga një shiringë veterinerësh i merrnin gjakun kantautorit për ta shëruar! Nga dy për çdo dhomëzë të zemrës…

Më tej nuk mund të prekeshim më nga vuajtjet e tij prej të dashurës, e cila e kishte braktisur dhe “që ja kishte djegur shpirtin o me qiri!”

 

No comments:

Post a Comment