Wednesday, 12 January 2022

Feudo-socializmi shqiptar dhe pasojat e tij


Shqipë ria kaloi një periudhë të gjatë nën një nga diktaturat më të egra në botë, e cila padrejtësisht është quajtur nga vetë Diktatori si Diktaturë e proletariatit dhe nga kundërshtarët si diktaturë komuniste. Nuk ishte as e para dhe as e dyta, por e një lloji feudo-socialist, e ngjashme disi me atë të Bashkimit Sovietik, të Kinës, Koresë së Veriut dhe Kamboxhias.

As marksizmi nuk ishte ideologjia sunduese apo udhëheqëse e diktaturës shqiptare, por fragmente të tij të përzjera me pjesë nga bolshevizmi, nga nacionalizmi shqiptar dhe nga një ateizëm primitiv.

Marksizmi ka spjeguar qartë dhe në mënyrë të argumentuar shkencore, që nuk mund të ketë socializëm dhe diktaturë të proletariatit pa proletariat. Në Shqipëri, një vend me 80% të popullsisë në fshat dhe gjithashtu pa pjesë të shoqërisë “të çveshura plotësisht nga pronësia dhe kapitali” nuk mund të kishte përkrahje të ideologjisë marksiste dhe as shtresë njerëzish të interesuar për të vendosur socializmin. Në të njëjtën kohë në Shqipëri shoqëria dhe marëdhëniet ekonomike kishin mbetur tërësisht feudale dhe kishte vetëm disa elementë mikroskopikë të marëdhënieve ekonomike të sistemit kapitalist.

Po si arritën të merrnin pushtetin komunistët (feudo-socialistët) në mesin e viteve ’40?

Edhe Partia Komuniste, e cila drejtoi dhe kontrolloi Frontin nacional-çlirimitar, ishte një grupim njerëzish me ide të paqarta rreth teorisë marksiste. Me përjashtim të Sejfulla Malëshovës, Koço Tashkos dhe Zef Malës, të gjithë të tjerët kishin jo vetëm njohuri shumë të cekëta rreth socializmit dhe komunizmit, por nuk kishin asnjë përvojë as të lëvizjeve sindikaliste apo të lëvizjeve politike të majta. Një pjesë e patën përqafuar si dëshirë për të luftuar fashizmin italian, një pjesë nga urrejtje-zilia për të pasurit dhe një pjesë si mundësi për të ardhur në pushtet dhe për të përfituar prej tij. Dhe bëhet fjalë jo vetëm për fshatarët dhe zanatçinjtë, por edhe për studentët e shkollave të mesme dhe të universiteteve të huaj. Edhe idealistët mes tyre nuk kishin të qartë se si do ndërtohej shoqëria dhe shteti dhe pse duhet të ndiqeshin idetë komuniste.

Pushtetin komunistët e fituan nga që u vendosën përkrah forcave aleate, ndërkohë që kundërshtarët e tyre nacionalistë ishin edhe të paorganizuar mirë politikisht dhe të lëkundur në qëndrimin ndaj Boshtit.

Terrori i fundit të luftës dhe i viteve të para të pasluftës lidhet kryesisht me mentalitetin e prapambetur feudal të shoqërisë shqiptare. Vërtet ndikim kishte edhe nga metodat e Rankoviçit në Jugosllavi, por terrori i çlirimitarëve shqiptarë pat nisur më herët, madje ishte kritikuar edhe nga emisarët jugosllavë në Pleniumin e Beratit. Ishte rrjedhojë e mendësisë të hakmarrjes dhe besnikërisë ndaj prijësve, të dyja këto dukuri tipike të shoqërive feudale. Terror të ngjashëm në vitin e fundit të luftës patën ushtruar edhe kundërshtarët e çlirimtarëve, madje ballistët ishin edhe më të prapambetur se jo vetëm ishin kundër pjesëmarrjes së grave në luftë, por çetat e tyre edhe kishin përdhunuar femra në fshatrat e lidhura me Frontin.

Në njëfarë mënyre fitimtarët e luftës dhe të pushtetit më 1944 dhe 1945 nuk dinin ç’të bënin me pushtetin e fituar. Nuk kishin as përvojë qeverisëse dhe as ide të qarta. Ndaj edhe veprimtaria e tyre ishte mbrojtëse dhe shkatërruese. Si shkatërrues ata vranë me gjyqe të sajuara dhe pa gjyqe një numur shumë të madh kundërshtarësh politikë, klerikësh katolikë, por edhe pjestarë të Frontit që kundërshtonin qëndrimet e tyre ekstremiste. Si  mbrojtës ata përndoqën formacionet e armatosura të kundërshtarëve kryesisht në Veri të vendit, për të mbrojtur pushtetin që posa kishin shtënë në dorë. Me përjashtim të nismave për zhdukjen e analfabetizmit dhe të reformës agrare, nuk kishte asgjë revolucionare dhe në dobi të shoqërisë shqiptare. Tatimet e jashtëzakonshme për fitimet e kohës së luftës dhe persekutimi i shtresave të pasura dëmtoi shumë ekonominë e vendit dhe mundësinë për një rimëkëmbje të shpejtë. Nga ana tjetër as kredi nuk mund të merrnin nga amerikanët për shkak të qëndrimeve thellësisht antidemokratike të kundërta me ato që kishin premtuar.

(vijon) 

No comments:

Post a Comment