Thursday, 20 January 2022

Mos i matim amerikanët me “kutin” tonë


Nëpunësit amerikanë nuk kanë rënë nga qielli. Edhe ata me funksionet më të larta. Gabojnë, ndonjëherë bëjnë edhe mbrapështi, ka raste edhe kur në vend të interesave të Amerikës shohin interesat e tyre.

Por ne, përfshi këtu edhe analistët politikë të paanshëm, gabojmë kur i matim me “kutin” tonë. Eshtë një njësi matëse e gabuar për tu përdorur ndaj tyre.

Në rradhë të parë nëpunësit e lartë amerikanë (ku po fusim dhe ambasadorët) kanë mbaruar ca shkolla shumë të mira, të cilat shumica prej nesh nuk i gjykojmë dot se janë të standarteve që nuk i njohim thellë. Në këto lloj shkollimesh (kryesisht ato të quajtura “Ivy-league)studentët e përzgjedhur mirë marrin jo vetëm dije, por formohen edhe me një moral të ndryshëm nga ai me të cilin janë brumosur politikanët dhe analistët tanë. Edhe pse mes tyresh mund të ketë njerëz që njohin “lojën e bërrylave” apo janë “yesman”, përsëri raporti me të drejtën, me virtytet njerëzore, me ligjet dhe me institucionet është i ndryshëm nga ai i njerëzve që merren me politikë apo analizojnë politikën në vendin tonë.

Ka patur një stuhi sulmesh gjatë vitit të fundit ndaj ambasadores Kim (por edhe më parë ndaj ambasadorit Lu), kryesisht nga segmente të caktuara të PD-së dhe LSI-së, që gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara dhe sidomos pas shpalljes “non grata” të Berishës. Sulmet variojnë nga akuza për diplomaci amatoreske, përdorim të dopio-standarteve, përkrahje të Ramës dhe deri në akuzën se sillet si “guvernatore e Shqipërisë” dhe cënon jo vetëm sovranitetin e partive, por edhe të vendit.

Pa dashur të merremi me ata që qëllimisht e sulmojnë edhe pse e dinë që nuk ka të vërteta në sulmet e tyre, le të flasim për ata që e kritikojnë jo me prapamendim sjelljen e ambasadores Kim. Thuajse të gjithë pranojnë që Shqipëria është një vend që sundohet nga politikanë të korruptuar, të gjithë e dinë dhe e pranojnë se pushteti juridik është i shkatërruar dhe ka nevojë të pastrohet dhe rindërtohet dhe të gjithë e dinë dhe e pranojnë që pa ndihmën e të huajve kjo nuk mund të bëhet.

Nëse i pranon të gjitha këto dhe më pas angazhimin e ambasadorëve kryesorë e sheh si të njëanshëm, të tejkaluar në kompetenca dhe me shumë gabime dëshmon se thuajse të gjitha i mat me kutin tënd.

Nuk mund të ketë një proces të përkryer në një vend të veçantë si i joni dhe me ndërhyrje në sistemin juridik dhe atë politik, që nuk janë eksperimentuar diku më parë.

Pyetjet: “Pse shpallet Berisha tani që ka 8 vjet i larguar?”, “Pse ndihmohet Rama të kontrollojë drejtësinë?” apo “Pse nuk paraqiten fakte për të padëshëruarit?” janë jo vetëm të gabuara por edhe ala-shqiptarçe.

Nëse e vret pak më shumë mendjen dhe i ve në dyshim emocionet e kupton që Berisha nuk është pa pushtet. Këtë e dëshmojnë më mirë edhe ngjarjet e 5 muajve të fundit. Departamenti i Shtetit nuk merret me Fatos Nanon edhe pse ka dosje korrupsioni edhe për të. Nëse e vret pak më shumë mendjen arrin të kuptosh se nga një Drejtësi plotësisht e kontrolluar, si ishte e jona, nuk mund të kalosh menjëherë në një Drejtësi të pavarur dhe plotësisht të paanshme. Nëse e vret pak më shumë mendjen dhe ve në dyshim emocionet e kupton se jo vetëm Departamenti i Shtetit nuk ka pse të paraqisë fakte për vendimet që merr, por as ambasadores Kim ne nuk mund t’i kërkojmë hesap! Nëpunësit amerikanë i japin llogari shefave të tyre dhe përfaqësuesve të popullit amerikan në Senat dhe në Kongres.

Ndaj le t’i lemë të bëjnë punën e Amerikës që është në dobi edhe të Shqipërisë dhe të kuptojmë se ata që punojnë edhe gabojnë, por shumë herë më pak se nëpunësit tanë.

 

No comments:

Post a Comment