Wednesday, 5 January 2022

Përpjekjet për të ulur figurën e Nolit


Hirësia e tij lindi 140 vjet më parë, në Ibrik-Tepe, një fshat i formuar nga kolonjarë prej Qyteze, ndoshta më parë se pushtimi osman. Dukuria e çvendosjes të ballkanasve gjatë Mesjetës dhe më vonë është shumë e njohur. Fshatra shqiptarë ka në Ukrainë, Moldavi, Rumani ndaj Edreneja(Adrianopoja), kryeqyteti i parë i otomanëve në Ballkan, pranë të cilës ndodhet vendlindja e Nolit, nuk është larg nga krahina e Korçës nëse krahasohet me vendngulimet e sipërpërmendura.

Rreth Nolit është shkruar shumë nga autorë të besueshëm dhe jo të besueshëm, në kohën e mungesës së lirisë dhe pas rënies së Diktaturës. Eshtë shkruar shumë se figura e tij është e shumëanshme, e pakrahasueshme me të tjerë në realitetin shqiptar të dyqind vjetëve të fundit dhe me një “gjeografi” të pazakontë. Politikan, klerik, përkthyes, diplomat, poet, studiues muzike, poliglot, gazetar, orator dhe mbi të gjitha një atdhetar i një kalibri jo të zakonshëm. Edhe një njeri me humor të mrekullueshëm.

Sigurisht nuk i duhet besuar shumë historiografisë komuniste ose veprave të Nasho Jorgaqit, sepse i përmbahen një shikimi shumë bardhezi të figurës së Nolit, kryesisht për ta përdorur si antitezë të Ahmet Zogut, me regjimin e të cilit donin të krahasoheshin komunistët për të justifikuar mbajtjen e pushtetit të tyre me dhunë. Noli në to përshkruhet thuajse si një përfaqësues i revolucionit francez dhe si pararendës i vendosjes së komunizmit në Shqipëri. Nënvizohej shumë rëndësia e Revolucionit të Qershorit, i cili quhej prej tyre i pari revolucion borgjez në Ballkan, si dhe vendosja e mar[dh[nieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Në të vërtetë, pjesa e Revolucionit të Qershorit (më mirë e grushtit të shtetit të qershorit) është në pjesët më me dritëhije të veprimtarisë të Fan Nolit, sepse nuk përputhet as me parimet e tij të politikës anglo-saksone apo dhe me parimet e tij fetare për të mos marrë pushtetin me puç.

Shkas për këtë shkrim u bë një artikull I historianit shqiptar Isa Blumi  në Universitetin e Stokholmit, që analizonte veprimtarinë e Nolit deri në fundin e Luftës së Parë Botërore, pra para dhe gjatë shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Otomane. Linku i artikullit është : https://dergipark.org.tr/en/pub/balkar/issue/58241/795706

Ndonëse i kujdeshëm, historiani shqiptar, pedagog i studimeve rreth Turqisë dhe Lindjes së Mesme në Suedi, mundohet të paraqesë Nolin si ishte në të vërtetë, larg idealizimeve të bëra sipas tij nga historiografia e komunizmit. Studimi i tij është i bazuar në shumë dokumenta të kohës, në të cilat hyjnë edhe letërkëmbimet e Nolit. Duke u futur edhe në psikologjinë e Theofanos Mavromatis (emri i lindjes i Nolit), Blumi paraqet një shqiptar që lëkundet mes identitetit të shqiptarit të krishterë dhe atij grek në përpjekje për të gjetur një të ardhme të suksesshme për veten e tij në kuadrin e Perandorisë Otomane. Dhe këtë e gjen kur vendoset në Aleksandri me mbështetjen që i japin korçarët e pasur Milo Duçi dhe Thanas Tashko. Këta duan të shfrytëzojnë oratorinë dhe njohjen e gjuhëve të huaja të Nolit, për të propaganduar çështjen shqiptare, por përsëri në raport me shovinizmin e fqinj[ve dhe brenda kuadrit të Perandorisë.

Autori anashkalon faktin se Noli më 1903 ishte vetëm 21 vjeçar në atë kohë dhe jo vetëm që dinte shkëlqyeshëm shumë gjuhë të huaja, por kishte edhe shumë aftësi të tjera për të qënë i suksesshëm në një botë pa kufij, e cila ofronte shumë mundësi jo vetëm në Europë, por edhe në kontinentet e tjera. Ai zgjodhi çështjen shqiptare si vokacion të tij dhe jo si një oportunist, që gjen mundësi të sigurojë një jetë të mirë pa u munduar shumë. Autori vazhdon t’i mëshojë kësaj ideje ndërsa shkruan se dy bamirësit e Nolit e dërguan atë në Amerikë më 1906 për të propaganduar çështjen shqiptare dhe Tashkoja vazhdoi t’i dërgonte gjithnjë të holla. Në Amerikë Noli vazhdoi të kishte lëkundje nëse Shqipëria duhet të bëhej shtet i pavarur, apo mbrojtja e saj duhej bërë krahas mbrojtjes të Perandorisë.

Nuk ka asgjë “jopatriotike” në qëndrimin për të mbrojtur trojet shqiptare brenda Perandorisë në dhjetvjeçarin e parë të shekullit të XX.

Ende nuk ishte konsoliduar alfabeti shqip dhe shkollat shqip ishin shumë të pakëta. Rreziku më i madh vinte nga fqinjët, që prej Kongresit të Berlinit po merrnin pjesë të trojeve shqiptare. Në zyrat e Fuqive të Mëdha ende nuk ishte krijuar bindja se shqiptarët ishin në gjendje të vetëqeveriseshin. Ishin të shumtë atdhetarët shqiptarë që shihnin këtë strategji të përkohshme jo se ishin proturq apo oportunistë, por se ky ishte realiteti politiko-diplomatik i fillimit të shekullit.

Më tej Blumi mundohet të paraqesë edhe shugurimin e Nolit si prift si një veprim oportunist dhe të nënvizojë se deri në fund të Luftës së Parë, Hirësia nuk kishte shumë ndikim në bashkësinë shqiptare në Amerikë krahasuar me Sotir Pecin. Të gjitha këto në përpjekjen për të hequr breroren e atdhetarit idealist nga figura e Fan Nolit.

Fan Noli nuk e ka paraqitur kurrë veten si “shënjtor”. Eshtë e kuptueshme që në një jetë të gjatë, të tejmbushur me veprimtari intelektuale dhe politike të ketë pasur edhe gabime.

Por ai mbetet me i mënçuri mes të mënçurve, më idealisti mes idealistëve, më I përkushtuari mes të përkushtuarve për Shqipërinë.

Nesër duhet të gjithë të ndezim nga një qiri për të nderuar Hirësinë në 140 vjetorin e lindjes!

No comments:

Post a Comment