Vizita e fundit e Erdoganit prek një nerv tepër të ndjeshëm të shoqërisë shqiptare. Raportin tonë me shtetin dhe popullin turk. Ka qënë diçka tepër e ndjeshme brenda vendit, dhe tepër e ndjeshme është edhe në diasporën shqiptare, si dhe në zyrat europiane.
Nuk ka sesi ne mos të ushqenim ndjenja të dyfishta të
dashurisë dhe urrejtjes për turqit. Patëm një histori pesëshekullore të përbashkët,
kur ata ishin në rolin e padronëve dhe ne na kishin ofruar një rol të qejahaut
në raport me popujt që ishin brenda Perandorisë së tyre. Duke qënë në periferi
të një Perandorie, të cilën zhvillimi i pas Renesansës europiane e la pas, ne
nuk përfituam as nga rrugët, hekurudhat apo portet që otomanët ndërtonin në
territoret e kontrolluara prej tyre.
Mbetëm pas të tjerëve
dhe kur e kuptuam që i Sëmuri i Bosforit nuk kishte shpëtim edhe ne i dhamë
duart!
Por ndjenjat e dashurisë ndaj otomanëve nuk kishte se si të
ktheheshin menjëherë në urrejtje. Kjo solli lëvizjen e Haxhi Qamilit, por edhe lëvizje
të tjera proturke në territoret e banuara nga shqiptarët. Shumë shqiptarë
kishin familjet dhe pronat në Turqi, shumë prej tyre kishin studiuar atje dhe
një pjesë jo e vogël lidheshin shpirtërisht me turqit për shkak të fesë të përbashkët.
Këto ndjenja të një dashurie të fshehtë nuk i shuajti dot as
propaganda anti-turke e Diktaturës, e cila më shumë se atdhedashurinë kishte
motiv të saj luftën ndaj proamerikanizmit turk. Në fillimin e viteve ’90, një
miku im më tregonte për entusiazmin e shprehur nga dy letrarë të lindur e
rritur nën Diktaturë, kur kishin vizituar Stambollin dhe Ankaranë. Të dy vinin
nga familje të fesë myslimane.
Në një artikull të sotëm të gazetarit Mentor Nazarko përsëritet
ky lloj entusiazmi, madje arrihet edhe në krahasimet se “vëllazëria” e përcjellë
në fjalën e Erdoganit është e ngjashme me vëllazërinë që predikon sëfundmi Papa
Françesko!
Ndryshimi është po aq
i madh, sa është ndryshimi midis personaliteteve të Papa Bergolios dhe Rexhep
Erdoganit.
Vëllazërimi që predikon Papa është ai i njerëzve që duan
paqen, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e pakicave dhe më të dobtëve
pa asnjë lloj kufiri ndarës.
Vëllazërimi i Erdoganit (byrazerizmi) presupozon aleancën për
punë të mira e të këqija, për të ndëshkuar kundërshtarët, për të krijuar
dominime të tjera në Ballkan etj. Nuk quhet vëllazërim edhe kur ndih për tërmete
dhe përmbytje, sepse vendos kushte edhe për to, si bëri për të luftuar vëllanë
e tij të vërtetë, Fetullah Gylenin.
Kripto-dumbabistat shqiptarë me një sy nga Brukseli dhe një
tjetër nga Stambolli nuk e kanë nga dashuria për popullin turk apo për vlerat e
përbashkëta, por nga filozofia e nënshtrimit ndaj të fuqishmit dhe sidomos kur
ky përçon të njëjtat vlera të autoritarizmit dhe të mungesës së respektit për të
drejtat e njeriut që edhe vetë dumbabistat i kanë si mendësi.
Për fat të keq kjo vlen për Edi Ramën, Mentor Nazarkon dhe
shumë të tjerë që përkulin trupin me respekt ndaj qeses me lira të zhvleftësuara
të Presidentit Erdogan.
No comments:
Post a Comment