(vijim)
Karakteristikat e shoqërive feudale janë organizimi mbi bazën
e fiseve, tribuve dhe principatave dhe mungesa e qyteteve të mëdha. Ekzistojnë
marëdhënie aleancash dhe armiqësish midis grupeve, si dhe marëdhënie të
vasalitetit dhe bindjes brenda grupit. Shoqëria shqiptare ishte e tillë. Kishte
në të copëzim sipas krahinave dhe fiseve, si dhe vrasje pas krahëve, hakmarrje
brez pas brezi dhe dukuri të tjera më të vogla karakteristike të mesjetës
feudale. Regjimi i Zogut kishte bërë shumë pak për të “ajrisur” shoqërinë
shqiptare. Tashmë “komunistët” e Hoxhës mendonin të modernizonin shoqërinë
shqiptare duke përjashtuar marëdhëniet në stadin fillestar të kapitalizmit dhe
duke ngritur një ekonomi përgjithësisht të centralizuar në industri dhe pjesërisht
të centralizuar në bujqësi. Shembulli i vetëm në botë ishte ekonomia dhe
shoqëria sovjetike, të cilës vetë komunistët shqiptarë nuk i njihnin as
avantazhet dhe as të metat.
Fituesit e luftës (komunistët) mbetën me të njëjtën mendësi
feudale të krahinave dhe tribuve në raport me armiqtë dhe brenda partisë së
tyre. Fise dhe krahina të tëra, sidomos në Veri ishin të shpallur armiq dhe të
persekutuar, ndërsa fise të tjera dhe zona krahinore ishin të privilegjuarit që
gëzonin pushtetin. Myslym Pezët, Haxhi Lleshët, Jaho Gjolikët me kompani, jo
vetëm shijonin përfitimet e pushtetit për familjet e tyre, por ishin në gjendje
të bënin shumë edhe për fisin dhe për zonat nga vinin. Byroja Politike dhe
Komiteti Qëndror ishte në shumicën e saj me njerëz të lidhur me krushqira dhe
nga klane të caktuara si ai i Kapos, i Shehajve dhe Klosëve të Mallakastrës, e
të tjerëve. Ndaj edhe marëdhëniet brenda Partisë Komuniste ishin të besnikërisë
zinxhir dhe jo të barazisë, si presupohej të kishin “shokët” apo “qytetarët” e
një organizimi revolucionar. Në ndryshim nga feudalët tradicionalë,
feudo-socialistët ishin pa pasuri të familjes, por me pushtet.
Kjo solli egërsinë dhe ekzekutimet në masë jo vetëm të
“feudalëve armiq”, por edhe të atyre të së njëjtës parti. Përveç se në kohën e
terrorit sovjetik të viteve ’30, nuk ka asnjë vend europian ku janë ekzekutuar
aq shumë kundërshtarë politikë sa në vitet ’40 dhe ’50 në Shqipëri. I vetmi
regji që ka vrarë më shumë ka qënë ai i Kmerëve të kuq të Kamboxhias, të cilët
gjithashtu ishin feudo-socialistë dhe zhduknin etnitë dhe fiset e tjera.
Organizimi vertikal i partisë-shtet në kohën e diktaturës
ishte i ngjashëm me sistemin e shkallëzuar vertikal të feudal-vasalëve në
sistemin feudal. Në krye ishte Sekretari i Parë tek i cilin jepnin llogari anëtarët
e Byrosë Politike, sejcili prej këtyre të fundit kishte në varësi dy vasalë, që
ishin Sekretari i Parë i Rrethit dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe këta të
fundit kontrollonin drejtorët e ndërmarjeve, sekretarët e partive dhe kryetarët
e kooperativave. Vërtet që të gjithë betoheshin për besnikëri ndaj idealit dhe
Udhëheqësit, por ai të cilit i trembeshin më shumë ishte epror-feudali i drejtpërdrejtë.
Blloku i udhëheqjes në Tiranë ishte një lloj “oborri mbretëror”
që të kujtonte monarkitë mesjetare. Atje luheshin intrigat familjare dhe
partiake, krijoheshin tarafe dhe krushqi, tregohej zelli dhe përkushtimi ndaj “monarkut”
dhe “aristrokratëve” poshtë tij. Vërtet nuk bëhej fjalë për gjak blu, por të
banuarit në Bllok ishte tregues se i përkisje kastës më të lartë të shoqërisë
shqiptare. “Oborre aristokratësh” më të vegjël kishte në qytetet e mëdha, që
ishin qëndra të rretheve me popullsi dhe me ekonomi më të madhe.
Një organizim i tillë ekonomiko-shoqëror, tepër rigjid dhe
ku mungonin liritë, nga ato ekonomike dhe deri në ato politike dhe të fjalës të
lirë ishte i destinuar të dështonte. Nuk kishte asnjë lloj motorri, që mund ta
bënte të funksiononte për një kohë të gjatë. Shqipëria varej nga ndihmat
sobjetike dhe kineze dhe kur u ndërprenë edhe këto të fundit, i gjithë vendi
mori një të tatëpjetë të tmerrshme. Por edhe para të tatëpjetës, Diktatura pat
kuptuar që qytetet që po rriteshin në vitet ’50 nuk mund të mbaheshin pa një
popullsi të madhe në fshat. Prodhimet industriale nuk ishin konkuruese në
tregun botëror dhe një pjesë e tyre përdorej nga konsumatori i brendshëm dhe një
pjesë shkonte dëm. Vetëm prodhimet bujqësore (deri diku dhe ato të minierave)
ishin “lënda djegëse” për makinën e prapambetur me avull të ekonomisë
shqiptare. 70% e popullsisë vazhdoi të ishte e detyruar të jetonte në fshat
edhe pse po çvishej dita ditës ng a pronësia. Kjo popullsi, pavarësisht nga
propaganda boshe do mbetej në mendësinë e saj feudale; e përkulur para të
fuqishmëve, në përpjekje për të arritur ndonjë të mirë në sajë të lidhjeve
fisnore apo të rryshfeteve. Ishte baza e
shoqërisë shqiptare të kohës së Diktaturës.
(vijim)
No comments:
Post a Comment