Sunday, 9 January 2022

Për “qëndrestarët” e dhunuar


Ka patur dje dhe sot, disa demokratë të dhunuar nga falangat e Berishës, që po i kujtojnë atij se sa “besëprerë“ është ndaj atyre që e kanë mbështetur në vitin 1997 dhe më pas, që hyjnë në grupin e vetëmburrur të “qëndrestarëve”.

“Qëndrestarët” ose ata që nuk e braktisën Berishën në vitin 1997 dhe më tej janë kategoria më fanatike, më mendjengushtë, më miope dhe më e dëmshme në historinë e dhjetvjeçarëve të fundit të shoqërisë shqiptare. Pa frikë do i barazoja me vullnetarët e Enverit, por me ndryshimin se këta të fundit ishin njerëz, që propaganda shumëvjeçare ju kishte shpëlarë trutë. “Qëndrestarët” e PD-së ose më mirë të Saliut, ishin njerëz të lirë, në një sistem të lirë, që zgjodhën të qëndronin në krah të njeriut që i vuri zjarrrin Shqipërisë në vitin 1997 për të mos lëshuar kolltukun e tij.

Jetëgjatësia e Berishës në politikën shqiptare dhe gjurullditë e vazhdueshme të tij i kemi peshqesh pikërisht nga “qëndrestarët”. Mes tyre ka patur antikomunistë të vendosur, ka pasur edhe njerëz që nuk e bënin për interesa materiale, ka pasur edhe të çoroditur, ka pasur edhe dinakë. Emrat janë të shumtë, por mes më të njohurve janë Genc Pollo, Jozefina Topalli, Mero Baze, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Bamir Topi, Ed Paloka, Bujar Nishani,  dhe shumë prej pasuesve të sotëm të Bashës si Roland Bejko me shokë.

Në vitet kur PD-ja ishte në krizën e saj, “qëndrestarët” mburreshin se ishin besnikë, pa arritur të kuptonin se besnikëria e tyre ishte e llojit të besnikërisë në Feudalizëm, si vasalët ndaj sovranit të tyre. Dhe sovrani nuk ishte as populli shqiptar, as konservatorizmi, as antikomunizmi, por Berisha. Të sipërpërmendurit jo vetëm që nuk ishin në gjendje të shihnin se ç’bëri Berisha më 1997, por  trumbetonin edhe gënjeshtrat e tij për kundërevolucionin komunist, lobin grek në Amerikë dhe për komunistët e Klintonit. Dhe në vend të kishim një Berishë të burgosur, ose të paktën të larguar nga politika, e patëm kryeministër për 8 vite të tjera dhe ngatërrestar edhe për 25 vjet të tjera.

Gjatë viteve thuajse të gjithë “qëndrestarët” e provuan në kurrizin e tyre se cili ishte Sali Berisha. Genc Pollo u shkelmua jashtë partisë, Mero Baze u kthye në armiku më i betuar i Berishës, Bamir Topi u damkos si tradhëtar, ndërsa Patozi me Topallin u dëbuan nga PD-ja nëpërmjet Bashës. Por asnjë i vetëm nuk tregoi pendesë për atë që i pat bërë Shqipërisë dhe PD-së më 1997. Që pat mbështetur kriminelin Berisha në krimin më të madh të historisë së Shqipërisë pas Diktaturës.

Asnjë nga të sipërpërmendurit nuk është nga Tropoja dhe nuk e ka bërë për hir të krahinarizmit apo të kompleksit të tribusë. Zaten edhe tropojanët që kanë mbështetur Berishën gjithë kohën e kanë bërë për pushtet dhe para. Sepse kanë përfituar bajagi prej tij.

Diktatorët dhe autokratët nuk mund të ekzistojnë pa besnikë të verbër. “Qëndrestarët” janë të tillë besnikë të verbër, të cilët më pas i rrahin, i pushkatojnë ose i damkosin kur dëshmojnë lëkundje në verbërinë e tyre.

No comments:

Post a Comment