Një karvan i madh me kamionë ka arritur dje në kryeqytetin e Kanadasë për të protestuar ndaj masave të qeverisë kanadeze për të detyruar shoferët që hyjnë e dalin nga Kanadaja në Amerikë të vaksinohen. Ngjarja ka bërë bujë në të gjithë botën, sa edhe të njohur të mij në Europë më pyesin nëse marr pjesë në “karvanin e lirisë“.
Edhe pse me këtë turmë shoferësh që shkojnë me kamionat e
tyre për të protestuar në kryeqytet janë bashkuar shumë ekstremistë të djathtë,
si dhe të bardhë racistë, nuk kam për të shkruar rreth tyre për të mos e
politizuar protestën e shoferëve.
Le të ndalemi vetëm në çështjen nëse kanë të drejtë shoferët
të jenë të lirë të mosvaksinohen.
Sipas parimit të njohur të lirisë “liria ime përfundon atje
ku fillon liria e tjetrit” edhe “liria që kërkojnë shoferët ndal atje ku nis
liria ime”. Dhe kjo ka të bëjë kryesisht me shërbimin shëndetsor që në Kanada është
falas për të gjithë dhe nuk ka as alternativë private si mund të ketë në shumë
shtete të tjera.
Për shkak të rritjes së numurit të të infektuarve nga variant
i fundit i Covid-19 (omikron), spitalet në provincat kryesore të Kanadasë janë
të mbingarkuar. Pjesa më e madhe e të sëmurëve me Covid janë të pavaksinuarit dhe
mbi 60% e atyre që përfundojnë në reanimacion janë po të pavaksinuarit edhe pse
përbëjnë vetëm 20% të popullsisë. Për shkak të mbingarkesës shtyhen vazhdimisht
operacionet dhe shërbime të tjera mjekësore. Për shkak të mbingarkesës edhe shërbimi
ndaj të sëmurëve të tjerë jo me Covid nuk është i njëjtë.
Me të drejtë unë si qytetar kanadez mund të thërres se po cënohet
liria ime për të marrë shërbimin shëndetsor adekuat dhe kjo bëhet nga të
pavaksinuarit. Me të drejtë unë si qytetar kanadez mbështet qeverinë (edhe pse
nuk kam votuar për partinë në fuqi) në rregullin që detyron shoferët e kamionëve
të futen për dy javë në karantinë si kthehen nga Amerika. Eshtë një rregullo që
aplikohet për të gjithë dhe s’ka pse nga kjo të përjashtohen shoferët e
kamionave.
Kundërshtarët e qeverive dhe përkrahësit e flakët të lirisë
së individit mund të thonë se rregulli i vënë nga qeveria kanadeze nuk ka bazë
shkencore, se cënon liritë themelore e të tjera argumenta si këto. Dhe ndoshta
një pjesë e mirë e rregullave të vendosura mund të jenë edhe disi arbitrare,
por në situatën e një pandemie të panjohur dhe të një shkalle të jashtëzakonshme
do ketë edhe rregulla të gabuara dhe jo efikase.
Por nëse ti si shofer kamioni shkon në një vend ku numuri i të
infektuarve është më i madh (në këtë rast Amerika), nuk është e panatyrshme të
infektohesh më lehtë se në Kanada ndaj edhe karantina nuk është një masë e çmendur
edhe pse të le dy javë pa punë. Ti ke zgjedhur lirinë tënde të mosvaksinimit
dhe shteti nuk e gjykon se duhet të të detyrojë të vaksinohesh, por do të
izolojë përkohësisht që të mos cënosh lirinë e marrjes së shërbimit të nevojshëm
shëndetsor të të vaksinuarve.
Ndaj “karvani i lirisë“
është “karvan i anarkisë“ për të mos e quajtur “karvani i injorancës arrogante”.
No comments:
Post a Comment