(vijim)
Në të dyja rastet, investimi i Alabar është i dëmshëm për
Shqipërinë. Me përfitimet nga buxheti i shtetit shqiptar do dëmtohen sektorë të
tjerë jetikë si shëndetsia, arsimi dhe pensionet, ndërsa në rastin e trafikut të
drogës, ai vërtet mund të sjellë përfitime afatshkurtra për ekonominë
shqiptare, por nuk lejon të afrohen investimet serioze dhe të pastra. Janë këto
investime që krijojnë më shumë vende pune se ndërtimi apo kafenetë e panumurta
që mbahen me paratë e drogës.
Por për sa kohë Rama ka në dorë Parlamentin shqiptar ai mund
të miratojë ligje që i japin “kartabianka” miliarderit arab për të përfituar
nga pronat shtetërore, buxheti i shtetit dhe shpronësimet që bën qeveria
shqiptare. Rreziku tjetër i kësaj grykësie të Ramës është që nëse për një arsye
ose tjetër, Alabar do ndjejë se fitimet nuk janë atje ku priteshin (nëse
prenotimet për banesa nuk shkojnë mirë), atëhere të tërhiqet ose të shtyjë
pafundësisht realizimin e projektit.
Qeveria shqiptare nuk
ka as kompetencën dhe as vullnetin të hartojë kontrata të favorshme për Shqipërinë.
Ka një të vërtetë të padiskutueshme në bizneset me shtetin,
që nëse firmonjësi (në këtë rast kryeministri) ka interesa vetiake, atëhere
kontrata do jetë në mënyrë absolute në favorin e investitorit privat. Përvoja e
këtyre të fundit me shumë politikanë të korruptuar në botë, i ka mësuar që
kontratat t’i bëjnë duke qënë të bindur që asnjëherë nuk do humbin. Por edhe nëse
kryeministri jonë “mëkatar” këtë rradhë nuk do fusë ndonjë “të shkoqur” në
xhep, ne nuk kemi firma avokatie kompetente për tu vënë përballë avokatëve të
huaj me njohuri të thella në ligjet e korporatave. Rasti i humbjes të
arbitrazhit me Beket për 150 milion dollarë është një nga shembujt e shumtë të
gabimeve të rënda në kontraktim ose në “thyerje” të kontratave. Qeveria
shqiptare është ende në gjyq me firmën turke “Kurum”, të cilës i ishte dhënë me
koncension për 35 vjet një pjesë e portit të Durrësit dhe ju anullua kontrata
para dy vjetësh. Përsëri buxheti i shtetit rrezikohet për shumën 100 milion
euro.
Ministrja Balluku si papagall përsërit në një intervistë frazat e përgjithshme “se pjesa e negociatave me firmën arabe është pjesa më e vështira“ pa përmendur as se cilët janë “kompetentët” që po negociojnë dhe se sa “kompetentë“ janë në të vërtetë.
Projekti “Waterfront” i Durrësit, më shumë se një projekt
“delirant” për një vend të vogël dhe të varfër, është një projekt i pastër
vjedhjeje nga buxheti i shtetit dhe përfitimi nga paratë që hidhen në ndërtim
nga trafiqet e drogës. Nuk ve ndonjë përgjegjësi mbi Alabar, se ndonëse të
kujton disi reklamën që bënte Hajdin Sejdia në fundin e viteve ’80 dhe fillimin
e viteve ’90, arabi nuk është Sejdija. Edhe pse ka manovruar në terrenet e
korruptuara të Gadishullit Arabik, ai nuk është një biznesmen sharlatan.
Sharlatan dhe hajdut është kryeministri jonë, i cili mban përreth
edhe një kor me hajna dhe papagaj, që po tjetërsojnë pronat e përbashkëta të
shqiptarëve dhe po mbushin xhepat me paratë e takspaguesve si asnjëherë në këto
30 vitet e fundit.
Në Durrës nuk kanë për t’u ankoruar jahte të mëdhenj dhe “kroçera”
si pretendon Ballukja, as për tridhjet vjetë të tjerë. Një investim me një korrupsion
kaq stërmadh është i destinuar të mbetet në mes. Edhe Alabar nuk ka për të
ndenjur në Përmetin që i kujton Kaliforninë. Ka disa krahasime, të cilat nuk i hamë
më se boll na kanë gënjyer në kohën kur ishim “fanar në brigjet e Adriatikut”.
No comments:
Post a Comment