Qysh prej rrëzimit të Diktaturës, nisi të qarkullojë në Shqipëri një fakt historik i paanalizuar mirë, se populli shqiptar i mbrojti dhe nuk i dorëzoi çifutët, që ishin në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Diktatura e Hoxhës, e cila kishte një makinë të tërë propagandistike për të bërë “mizën buall” nuk e kishte përmendur këtë fakt sepse marëdhëniet me Izraelin ishin të këqija, për shkak se shteti i çifutëve konsiderohej prej saj si vegël e amerikanëve. Nuk më ka qëlluar të lexoj ndonjë studim serioz rreth këtij fakti historik, i cili për qëllime propagandistike duket se është kthyer në një mit, që dëshmon se sa tolerantë, humanitarë dhe të besës jemi ne shqiptarët.
Të lindin shumë pikpyetje në kokë. Një prej tyre është se si
është e mundur, që për përfitime materiale ne shqiptarët, që spiunuam njëri
tjetrin gjatë Diktaturës falas, nuk e bëmë këtë për çifutët gjatë luftës? Po
shqiptarët kolaboracionistë, të cilët spiunonin tek pushtuesit shqiptarët antifashistë
si u ndalën para tundimit për të kallzuar ku fshiheshin hebrejtë? Pse nuk pati
në rradhët e lëvizjes antifashiste shqiptarë të origjinës hebre, sikundër në
gjithë Europën?
Një nga përgjigjet, e cila nuk i përgjigjet plotësisht
pyetjeve është se komunitetet çifute në Shqipëri ishin shumë të pakta dhe me një
numur të kufizuar familjesh. Kishte bashkësi të vogla vetëm në Durrës, Tiranë
dhe Vlorë, familje të cilat nuk kishin më shumë se 50-60 vjet të vendosura në
Shqipëri. Në Korçë ishte vetëm Doktor Kalmari me gruan dhe të pakta duhet të
kenë qënë edhe familjet në Berat, Elbasan dhe Shkodër. Shqipëria ishte një vend
i varfër, me qytete të vogla dhe me porte e tregëti të pakët, cilësi jo shumë të
pëlqyeshme për ngulimin e hebrenjve. Në kulmin e zhvillimit ekonomik të Korçës,
në vitet ’20 të shekullit të XX-të, nuk pati asnjë vendosje të familjeve çifute
edhe pse në Selanik atë kohë jetonin mbi 80 mijë të tillë. Dhe Korça ishte
qyteti më i madh dhe më i zhvilluar i Shqipërisë në atë kohë.
Që një numur jo i vogël hebrejsh të Ballkanit, kryesisht nga
Bosnjë-Hercegovina shkuan drejt Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky është
një fakt. Ishte një vend i më i sigurt për ta dhe për të parë mundësitë për të
shkuar në vende më të sigurta jashtë Europës. Për shkak të numurit të vogël të
popullsisë hebre dhe qëndrimit të Italianëve deri në shtatorin e vitit 1943,
nuk kishte persekutime ndaj tyre. Pra periudha në të cilën mund të përndiqeshin
dhe dërgoheshin në kampet e përqëndrimit ishte ajo prej 13 muajsh nga tetori i vitit
1943 deri më 1944. Por kjo është një periudhë e çuditshme nga ana politiko-juridike
se gjermanët edhe ishin në kontroll të vendit, porn jëkohësisht pretendonin se
respektonin neutralitetin e shtetit shqiptar. Ndaj nuk kishte ende “gjueti të
hebrenjve” ndërsa shumë nga shqiptarët në pushtet përfitonin nga rryshfetet e mëdha
për të lejuar familje çifutësh të qëndronin pa u prekur në Shqipëri ose të
pajiseshin me dokumenta për të shkuar gjetkë.
Pa dashur të minimizoj ndjenjën e një pjese të mirë të
popullsisë shqiptare për të mbrojtur njerëzite përndjekur, duhet përmendur se
edhe në vendet me bashkësi të mëdha hebrejsh, reagimi i popullsisë vendase ka qënë
i ndryshëm. Nëse grekët e Selanikut luajtën një rol negativ në persekutimin e
hebrejve, të cilët ishin edhe të shumtë dhe ekonomikisht të fuqishëm, nuk
ndodhi e njëjta gjë me grekët e Athinës, të cilët ndihmuan në shpëtimimin e
qindra familjeve hebre, të cilat u përzjenë me popullsinë vendase.
Në këtë ditë të nderimit të viktimave të Holokaustit,
genocidit më të madh që njeh historia botërore, ne vërtet ndjehemi krenarë që
kemi shpëtuar jetë njerëzish, por duhet edhe me modesti të kuptojmë se pse dhe
në ç’masë ishte altruizmi jonë.
Nuk mundet që grupe shqiptarësh, të cilët vranë njëri tjetrin
gjatë viteve të Luftës së Dytë të kishin altruizëm të tillë për “t’i rënë
gjoksit” se “ne i shpëtuam hebrejtë duke rrezikuar kokën!” Nuk ka asnjë rast të
ekzekutimit të një shqiptari apo burgosje të tij se fshehu hebrejtë gjatë 13
muajve , kur gjermanët ishin të pranishëm në Shqipëri. Ose nëse ka pasur të
tillë, historiografia komuniste e ka fshehur këtë fakt për arsye të
pakuptueshme në të njëjtën kohë kur botonte “Ditari i Ana Frankut”, “Valë të
nxehta në Berlin” dhe dhjetra libra të tjerë që dëshmonin krimet e nazistëve
ndaj hebrejve.
No comments:
Post a Comment