Thursday, 30 September 2021

A rrezikon PD-ja të kthehet në një lëvizje Trumpiste?


Nuk është e pamundur dhe nëse ndodh që të bëhe një Kuvend Kombëtar e të përjashtohet Basha, gjasat janë të mëdha. Jo se Basha po e mban PD-në në një orientim konservator në përputhje me Partitë e djathta europiane, por se ka të ngjarë që mungesa e kandidatëve me peshë, të sjellë në krye Evi Kokalari- Angelakis. Kuptohet nëse kjo e fundit është e gatshme të lerë për disa kohë biznesin e saj në SHBA, gjë që nuk më duket fort e mundur. E megjithatë përvoja e Bashës me një këmbë në Shqipëri dh e një në Holandë nuk e përjashton edhe këtë pandehmë.

Tashmë u bë e qartë se në Shqipëri nuk ka asnjë parti me një profil të përcaktuar ideologjik. Partia Socialiste nuk është një parti e majtë, por është partia e Ramës dhe Partia Demokratike nuk është një parti e djathtë, por parti me dy pronarë, Lulëzim Basha dhe Sali Berisha. Lufta mes tyre është se kujt i takon tapia e PD-së.

Rrezikun e kthimit në një Lëvizje Trumpiste nuk e sjell vetëm Evi, sepse brenda PD-së është shfaqur prej kohësh një simpati e madhe për Trump. Jo se është republikan, por pikërisht se është “The Donald”, që drejton në mënyrë populiste, authoritative dhe pa asnjë parim Partinë Republikane të Amerikës. Teoritë konspiracioniste të ushqyera nga Trump, gëluan brenda PD-së gjatë viteve të Presidencës së tij dhe më vonë. Më shumë po shprehen gjatë foltoreve të Berishës, ku nuk mungojnë thirrjet për të rrëmbyer kallashët.

Berishës i intereson kaosi, që është gjëja e fundit që ju intereson shqiptarëve. E ka provuar më 1997-ën që nga kaosi mund të shpëtojë dhe një gjë të tillë e kërkon edhe tani. Me idetë e “budallaqes” Kokalari-Angelakis, se “ja sa të bëhen zgjedhjet ndërmjetëse për Kongresin dhe Senatin në Amerikë më 2022 dhe të fitojmë shumicën”, Berisha ka ende shpresë se sa më shumë rrëmujë të ketë në PD dhe në Shqipëri aq më shumë shtohen shanset e tij për të shpëtuar fëmijët. Dhe në këtë luftë ai është i gjithi me kokë e me këmbë dhe do pranojë të ndodhë çdo lloj e papriture në Shqipëri.

Lëvizja Trumpiste është modeli më i përshtatshëm për qëllimet e Berishës. Këtë e konfirmoi përpjekja për të pushtuar Kapitolin më 6 janar të këtij viti. Dhe nëse në krye të Lëvizjes shqiptare vihet një Trumpiste si Evi, atëhere është akoma më mirë se tregon edhe fytyrën gjoja amerikane të PD-së.

Evi Kokalari nuk ka asgjë amerikane. Ose më mirë ka në mendjen e saj atë pjesë më të keqe të Amerikës që është babëzia për para, ngushtësia mendore dhe mungesa e parimeve. Eshtë shumë larg nga e djathta europiane madje edhe nga ekstremesitët si Mari Lë Pen.

A është më mirë që PD-ja të ndahet në pjesë?

Eshtë më mirë se të përfundojë si Levizje Trumpiste nën drejtimin e Kokalarit.

No comments:

Post a Comment