Wednesday, 8 September 2021

Sa në “gone” e ka!


Goneja me theksin në e-ja është një vegël marangozësh, që përcakton këndin e drejtë. Ndërsa shprehja “anakronike”: “E ka vënë në gone!” në zonat e tjera të Shqipërisë është “E ka m’terezi!”, “O bo rehat!” dhe të tjera të përafërta.

Shpesh herë mëngjesave, ndërsa lexoj lajmet nga Shqipëria më vjen në mendje kjo shprehje. Nuk di nëse duhet të lumturohe, të ndjej zili apo të shqetësohem. Më pas i them vetes se ç’ka shkruhet në media nuk është ajo që vërtet e preokupon popullin shqiptar. Në të kundërt do ishte vërtet për të qarë hallin.

Gjatë gjithë fundit të korrikut dhe në pjesën më të madhe të gushtit, të gjithë mediat, duke përfshirë edhe ato sociale, u morën me Goran Bregoviçin. “Të këndojë në Korçë, të mos këndojë në Korçë; ka kënduar në Tiranë më parë ku nuk duhet të këndonte, por tani nuk duhet të këndojë se situata është më e komplikuar; po të kishte denoncuar dhunën e sërbëve në Kosovë mund të këndonte, por ka mbajtur qëndrim asnjëanës dhe kjo e bën të dyshimtë; po mos ishte “Open Balkan” edhe mund të bëhej ndonjë lëshim; nëse koncerti ishte në Vlorë ndryshonte puna, po në Korçën që anon nga grekët nuk shkon; ta lemë të këndojë por të bojkotojmë “Birrën Korça” ose për ata që nuk pinë dot birrë tjetër të bojkotojnë koncertin!” e gjithfarë variantesh të marra të a tjera a thua se jeta dhe e ardhmja e shqiptarëve varej nga këngët e grupit “Orkestër për dasma dhe funerale”.

Dhe virusi për t’u përzjerë në një çështje kot është aq ngjitës, sa dhe unë që shkruaj këto rrjeshta u përfshiva në opiniondhënie me shkrim, duke i mëshuar idesë gjeniale se “Muzika i zbut popujt, miqtë dhe armiqtë ndaj le ta lemë të këndojë po me kusht të mos fallcarë!”

Tani nuk ka më Bregoviç, as problem të çmimeve të larta, të papunësisë, të Covid-19, të emigrimit të të rinjve, të ujit me orar, por një dhe vetëm një: “A duhet të hyjë Berisha në Parlament!” Nyja gordiane, që nuk e zgjidh dot njeri megjithëse po merren me të të majtë e të djathtë, asnjëanës dhe militantë, opinionistë dhe përkrahës të teorive komplotiste, vendas dhe ndërkombëtarë.

“ E ka zgjedhur populli po nuk e do Amerika; ka të drejtë të hyjë por më mirë është të mos hyjë; po të jetë i korruptuar të na tregojnë faktet, po mos jetë nuk na duhen faktet; po të kishte fituar PD-ja do ikte vetë, por ja që ndodhi masakra elektorale dhe tani nuk ikën dot; këtë e ka bër Sorosi që trembet nga Berisha dhe ne vërtet kemi frikë nga Amerika po nuk duhet ta bëjmë veten; po të flasë Basha mund të ndahet PD-ja, por  po mos flasë është më keq; Berisha duhet të kishte ikur më 2013, po tani që ndenji le të rrijë edhe ca; po të mos hyjë ç’do bëhet me kontributet e tij për demokracinë; a të ishte akoma Trump!; amerikanët nuk dinë ç’bëjnë se shpallin “non grata” më proamerikanin mes shqiptarëve!; Zeni mund të ketë vjedhur, po Rama ka vjedhur më shumë ndaj le të jetë Saliu pranë Ramës; le ta bëjnë si u bë në Gjermani me Kohl-in, po për këtë i duhet llogari sekrete bankare; po mos jetë Saliu kush do denoncojë skandalet e Rilindjes ndaj nëse nuk e lenë të hyjë duhet të mos bëjnë skandale…” dhe lista e ideve, njerëzve, artikujve, argumentave është e pafund.

Tregon një farë luksi në shoqërinë shqiptare, të cilën nuk e kanë vendet e tjera. Po t’ja u spjegosh të huajve, që për një gërxho 78 vjeçar të shpallur “non grata” nga Amerika, po preokupohet e gjithë Shqipëria nëse duhet të hyjë ose jo në Parlament, do të të shohin si të “luajtur nga fiqiri”.

Le t’i lëmë të huajt në të zezat e tyre se ne…e kemi në gone!

No comments:

Post a Comment