Ndodh jo vetëm tek ne. Edhe në vendet më të përparuara. Lidhet me psikologjinë e njeriut, me dëshirën për të parë se sa të këqij janë të tjerët, me ankthin që krijon dashuria e kthyer në urrejtje, prerja në besë, intrigat pas krahëve etj.etj.
E kam fjalët për “telenovelat” politike.
Mendoja se do kalohej më lehtë në Shqipëri “çështja Berisha”,
se prej majit ai ishte “një politikan i vdekur”, por nuk qënka kështu.
Berisha tani gëzon më shumë simpati edhe nga ata që nuk e
kanë dashur. “Telenovela” e fundit e tij edhe pse i mungon “seksi” është bërë
interesante për publikun shqiptar dhe pasqyrohet në të gjitha televizionet dhe
gazetat.
Pabesia e Bashës, trimëria
e Berishës, vrasja e babajt, mos kafsho dorën që të ushqen, armiku i Ramës kundër
të shiturit tek Rama, kush e merr PD-në apo u shkatërrua PD-ja, duhet t’i kishte
thënë para se ta vriste apo duhet ta vriste pa i thënë, Brutus apo Judë e deri
në të gjitha stërhollimet mitologjike, folklorike, biblike, ku është arritur
deri në krahasimin e Bashës me Akilin, që heq zvarrë kufomën e Hektorit para
mureve të Trojës.
Përr të shtuar edhe ndonjë element paksa “erotik”, si
personazh i dorës së tretë përzjehet edhe Tritan Shehu, sa për t’i kujtuar
publikut “do thashetheme” me vaska me hidromasazh të 28 viteve më parë.
Para telenovelave të tilla të gjithë mrekullohen dhe nuk
duan të dinë se çdo ndodhë gjatë vjeshtës dhe dimrit në spitalet tona shtetërore
“të pëgëra”, se ç’do ndodhë me borxhin e madh publik dhe me çmimet që rriten
dita ditës. Mjaft që telenovela “Berisha” të zgjasë edhe disa seri të tjera, ku
mundësisht të dalë edhe ndonjë personazh tjetër veç Soros, Blinken dhe Kim.
Ne nuk jemi të interesuar as për të ardhmen tonë, as për
idetë që mund ta përmirësojnë atë dhe as për reformat që duhet të merren. Na
mjafton të kënaqemi me dramat individuale, me pabesitë e njerëzve (që ne nuk do
t’i bënim kurrë), me kush i tha dhe kujt i tha dhe s’i ja tha.
Përpara një ekrani, me një gotë raki ose filxhan kafe mbi
tryezë dhe me cigare në dorë!
(Për ata që kanë humbur episodet e mëparshme: Blinken e
shpalli “non grata; më pas hyri në lojë Kim me trysni ndaj Bashës dhe të gjithë
janë marioneta të Soros. Ndiqni episodin e ri…)
No comments:
Post a Comment