Sunday, 26 September 2021

Cila jeni ju Evi Kokalari-Angelakis?


Në skenën politike shqiptare u shfaq këto ditë edhe agjentja e shitjeve të pasurive të patundshme në Nju Jork, Evi-Kokalari Angelakis.

Nuk dua të shpreh asnjë dyshim për atdhedashurinë e saj, si dhe për ndjenjat antikomuniste, se vjen nga familja me emër e Kokalarëve të Gjirokastrës, që u përndoq shumë nga Enver Hoxha. Nuk ve në dyshim edhe se është një shqiptaro-amerikane e pasur dhe e suksesshme. Pak rëndësi ka edhe se si e ka arritur suksesin dhe fushën ku e ka arritur, sepse fituesit nuk duhet të gjykohen. Gjithashtu Evi mund të ketë ardhur për pushime në Shqipëri dhe meqë u ndodh në kohën e vorbullës Berisha –Basha-Basha-Berisha mori pjesë edhe në Foltoren e Berishës në Vlorë, ku shprehu mbështetjen për Berishën.

Po cilat janë pikpamjet e përgjithshme filozofiko-politike të Evit:

Evi është mbështetëse e përkushtuar e Trump – Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe

Evi është kundër vaksinave Covid-19 – Dhe këtu është një e keqe jo e vogël

Evi beson një pjesë të mirë të teorive komplotiste që trumbeton Q-anon – Dhe kjo është një e keqe akoma më e madhe.

Po me ç’farë mandat vjen agjentja imobiliare Kokalari në Shqipëri, që i drejtohet demokratëve dhe shqiptarëve se do kenë mbështetjen e Partisë Republikane?

Me mandatin e rremë të një agjenti që shet shtëpi, që si profesion ka t’i bëjë reklamë edhe shtëpisë më të shkatërruar që I kanë besuar të shesë. Kokalari jo vetëm që nuk ka asnjë funksion shtetëror apo partiak, por është si të gjithë ata mijra amerikanë, që duan të merren me pak politikë, të dalin në televizion kur ju jepet mundësia dhe të bëjë fotografi të panumurta me kongresmenë e senatorë. Dhe që të bësh një foto me këta të fundit është gjëja më e lehtë në Amerikë. Eshtë shumë herë më e lehtë se të duash të dalësh foto në Shqipëri me Grida Dumën apo Taulant Ballën.

Ky angazhim i Evit e ndihmon për biznesin e saj në Nju Jork ndaj ajo ka për të bërë ç’është e mundur që të dalë në tv jo vetëm si mbështetëse e Trump, por edhe si eksperte e punëve shqiptare. Një nga marrëzitë më të mëdha të saj ishte përpjekja online për të organizuar inagurimin e Trump si President në të njëjtën ditë, kur bëhej ceremonia e inagurimit të Biden.

Do kisha patur dëshirë që dikush nga gazetarët e mirëinformuar rreth saj t’i bënte pyetjen:

Cila jeni ju zonja Evi-Kokalari Angelakis?

Më pas, për të informuar publikun shqiptar, të rrjeshtonte të bërat dhe të pabërat e saj, që kam frikë se nuk janë shumë të pastra.

No comments:

Post a Comment