Thursday, 2 September 2021

Ortodoksët komunistë ishin komunistë ortodoksë? (fund)


 (vijim)

Niveli i ulët ideo-politik i komunistëve të Korçës ishte një nga faktorët e “penetrimit” të Enver Hoxhës në lëvizjen komuniste shqiptare dhe rolin e tij të mëvonshëm në drejtimin e Frontit Nacional-Clirimtar dhe marrjen e pushtetit nga të ashtuquajturit komunistë shqiptarë. Edhe nëse pjesëmarrja e tij në mbledhjen e formimit të Partisë Komuniste nuk ishte krejt e rastësishme, si është shkruar në shumë artikuj rreth asaj ngjarjeje, komunistët e Korçës e dinin se ai kishte një kohë shumë të shkurtër si komunist dhe nuk kishte pasur asnjë lloj veprimtarie të tillë para vitit 1941, qoftë në Shqipëri dhe qoftë jashtë vendit. Eshtë e paspjegueshme se si ata arritën të bëhen “mburojë“ e një njeriu pothuajse pa lidhje me komunizmin që të bëhej në një kohë të shkurtër udhëheqësi i një lëvizjeje mbarëkombëtare.

Nga kujtimet e Petro Markos, që ka qënë intelektual dhe komunist i vërtetë dhe jo i kompromiseve, në prag të fundit të Luftës jo vetëm Sejfulla Malëshova, por edhe Koçi Xoxe i kishin shprehur hapur pakënaqësitë ndaj Enver Hoxhës dhe karakterit të tij intrigant dhe njëkohësisht hakmarrës. Si ishte e mundur që Koço Tashko, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Koço Theodhosi, Raqi Qirinxhi dhe shumë të tjerë të pranonin pa u ndjerë udhëheqjen e dikujt, për të cilin e dinin se jo vetëm nuk kishte të bënte me komunizmin, por kishte qënë gjithnjë i shtënë pas një jete të lehtë dhe fustaneve të grave? Vetëm e vetëm se vjen nga grupi jonë dhe do bëjë që ne të jemi në drejtimin e vendit gjatë dhe pas luftës?  

Duket se edhe mes “ortodoksëve komunistë korçarë“ kanë qënë të pakët idealistët dhe njerëzit me formim të shëndoshë dhe me karakter të qëndrueshëm. Ndoshta kjo spjegon disi edhe “manovrimet” e Hoxhës midis grupimeve të caktuara duke ditur të dallojë se cilët të përdorte kundër njëri tjetrit dhe në ç’kohë t’i përdorte deri sa arriti që në vitin 1950 thuajse ta kishte siguruar plotësisht drejtimin e partisë dhe njëkohësisht të vendit.

Edhe nëse nuk ka kuptim pyetja hipotetike se ç’mund të kishte ndodhur në Shqipëri nëse Enver Hoxha nuk do ishte në drejtimin e komunistëve, bindja ime është që historia e luftës dhe ajo e pasçlirimit do ishte e ngjashme. Ishte edhe mefshtësia e shtresave të pasura dhe atyre intelektuale jokomuniste shqiptare, që solli fuqizimin e “bandës së Enver Hoxhës”. Grupimi i parë politik jokomunist, Balli Kombëtar, u formua në fund të vitit 1942, si përgjigje ndaj formimit të Frontit Nacional Clirimtar.

Komunistët dhe simpatizuesit e tyre ishin në anën e duhur të historisë, përkrah Fuqive të Mëdha dhe edhe nëse nuk do ndodhte Lufta Civile brendapërbrenda Luftës së Dytë, edhe me zgjedhje të lira ata do kishin dominuar dhe pas disa vitesh me ndihmën e jugosllavëve dhe sovjetikëve do kishin vendosur Diktaturën e Proletariatit, sikundër ndodhi në Rumani dhe Bullgari.

Duke ju kthyer pyetjes së shtruar në fillim, nëse komunistët e Korçës i përkisnin komunizmit ortodoks, përgjigja është- Me përjashtim të ndonjë individi komunistët e Korçës nuk kishin idenë se ç’farë ishte komunizmi ortodoks. (Gjithashtu edhe rrymat e tjera revizioniste të zhvilluara në fundin e shekullit të XIX dhe fillimin e shekullit të XX.) Mungesa e dijeve rreth ideologjisë si dhe rrethanat e tjera gjeopolitike sollën që në vend të sundonte diktatura më e egër komuniste mes gjithë vendeve të Europës Lindore. Në vend u aplikua një lloj stalinizmi shqiptar, i cili ishte edhe më i egër se stalinizmi i viteve ’30 në Bashkimin sovjetik. Varfëria e vendit, padija e popullsisë dhe mungesa e shtresave intelektuale dhe të pasura të impenjuara në zhvillimet shoqërore dhe politike solli edhe fatin e keq të “eksperimentimit shoqëror” të Enver Hoxhës dhe pasuesve më të afërt të tij që shtetëzuan plotësisht pronat private dhe mbyllën edhe institucionet fetare duke dëmtuar në themel shtyllat kryesore të një shoqërie të shekullit të XX, pasojat e të cilës po ndjehen shumë edhe sot.

No comments:

Post a Comment