Ishte nëntori i vitit 1994, kur në një podium para Luftëtarit Kombëtar, Sali Berisha i drejtohej të pranishmëve me fjalët: “Kur t’ka dash Korça, t’ka dash gjithë bota!”. Kaloja me një shok para dyqanit të Bopit dhe na erdhi për të qeshur me thirrjet e Berishës dhe brohoritjet e ndjekësve të tij. Nuk kisha marrë kurrë pjesë në mitingje, që prej kohëve kur na nxirrnin me detyrim dhe i fundit duhet të ketë gjatë vizitës së Ramiz Alisë në Korçë pasi ishte zgjedhur Sekretar i Parë.
Simpatia për Sali Berishën na ishte fashitur prej verës së
vitit 1992, kur dëboi nga Partia mocionistët, sepse na u duk një veprim krejt i
kundërt nga ai që prisnim nga demokratët. Ishte tërësisht i kopjuar nga Partia
e Punës. Gjatë fushatës për Kushtetutën e Re, jo aq nga fuqitë që po përpiqej të
merrte, por nga skizofrenia e mitingjeve të tij, nuk i dëgjonim më lajmet.
Dukej që në qytet shumë njerëz ishin zhgënjyer nga Berisha,
se edhe në tubimin në fjalë nuk kishte masë të madhe njerëzish edhe pse Partia
Demokratike kishte edhe Bashkinë edhe Komitetin e Rrethit. Ndjehej një frymë
qytetare në Korçë, që edhe pse kishte votuar dy vjet më parë për demokratët,
ishte shumë kritike ndaj veprimeve të tyre në qendër dhe në qytet.
Gjatë ditëve të Referendumit kalova shumë mbrëmje me të
ndjerin Piro Kasati, trajnerin e famshëm të atletikës, që si gjithnjë ishte në
një humor që më bënte të gajasesha. Më vinte çudi që ishte kundër Salës dhe
Referendumit, sepse e kishte pësuar shumë nga Diktatura dhe nuk kishte qënë
asnjëherë pro socialistëve. Komentet e tij për fushatën e Saliut përshkrueshin
nga një humor i mrekullueshëm, që rrallë e kam dëgjuar prej asaj kohe. Kasati
duhet të dinte diçka më shumë se unë sepse ishte kategorik kundër ndryshimeve në
Kushtetutë. Unë i kundërshtoja për ta ngacmuar dhe ai vazhdonte komentet e tij pikante
dhe të qëlluara. U takuam edhe ditën e shpalljes së rezultatit dhe më theshte: “Njëra nga arsyet që humbi Saliu ishte nga që
tha – Kur t’ka dash Korça t’ka dash gjith’ bota!”
Më vijnë në mendje këto ngjarje komike, tani që shumë demokratë
nga Korça deklarojnë se “Berisha është i mirëpritur të bëjë Foltore në Korçë
dhe ne jemi me të.”
Mos ndoshta kjo dashuri konfirmon fundin e Salës?
PS. Demokratët deklarues quhen Gjergji Papa, Agron Azisllari
ose Goneja i Gjykat[s dhe Andrea Mano ose Mandoja.
No comments:
Post a Comment