Saturday, 4 September 2021

Brezi im i pafat


Unë i përkas brezit më pafat në botë. Dhe me brez unë nënkuptoj vetëm moshatarët e mij dhe tre vjet lart nesh dhe tre vjet poshtë. Me një fjalë vetëm ata që mund të ishim në të njëjtin cikël në shkollë. Të tjerët ju përkasin brezave të tjerë, që edhe pse mund të ankohen nuk kanë qënë dhe nuk janë aq pafat sa ne.

Ne u lindëm në fundin e viteve ’50 ose në fillimin e viteve ’60 në vendin më të varfër të Europës dhe me Diktaturën më të egër që kishte bota. Dhe lindëm pikërisht kur diktaturat komuniste po zbuteshin, kurse kjo tona bëhej më e ashpër. Tamam në kohën kur u lindëm ne, sikur të kishte ndjerë që po lindte një brez disidentësh, sho Enver i vuri kyçin vendit dhe s’kishte më as studentë të shkonin jashtë shtetit, as apparatçikë partie të vinin me pushime në Detin e Zi dhe as grupe artistike nga Europa Lindore të na vizitonin e të na “kseasnin” pak.

Ne mund të bëjmë me faj edhe prindërit tanë, që pse nuk duruan edhe ca vjet për të na sjellë në jetë, pasi dihet që këto punë janë në dorën e Perëndisë dhe ata të shkretët nuk kishin se ç’të bënin në një vend “të klyçitur” veçse të “prodhonin” fëmijë, që do rriteshin si fatosa dhe më pas pionierë e më tej akoma të rinj revolucionarë. Ishim aq të pafat se u ngritëm më këmbë pikërisht në kohën kur Partia e kishte përsosur sistemin e “trushpëlarjes” dhe jo vetëm që nuk kuptonim se sa të pafat ishim , por na dukej se ishim njerëzit më fatlumë në botë, që kishim lindur në Shqipëri dhe në kohën kur jetonte udhëheqësi ynë i lavdishëm, sho Enver. (Në kopësht na mësonin edhe një vjershë idiote “Xhaxhi Enver/ I ke doçkat me sheqer…” Më vonë kjo bejte nuk ishte më në qarkullim se duket që Partia nuk deshte që populli të mësonte se Udhëheqësi vuante nga sëmundja e sheqerit.)

Tamam në kohën, që nisin të formohen konceptet e pafundësisë, të ekzistencës, të krijimit e të vdekjes, brezi ynë i pafat mori edhe goditjen më ekstreme, që nuk ka ndodhur ndonjëherë gjatë historisë së njerëzimit – ndalimin me ligj të ushtrimit të fesë. Po të ishim lindur vetëm pesë vjet më parë, ne do ishim 13 vjeçarë kur u mbyllën kishat dhe xhamitë dhe do kishim kuptuar se diçka kishte dorë djalli në atë gjë. Po të ishim pesë vjet më të vegjël do ishim 2-3 vjeçarë, që do “i binim maces me lugë” dhe nuk do ja kishim idenë e Perëndisë, por do rriteshim vetëm me Partinë dhe shokun Enver si gjërat e vetme hyjnore. Po ne ishim rreth 7-8 vjeçarë që sa kishim mësuar të mbështeteshim e të kishim frikë nga forcat e hyjnore dhe papritur pakujtuar këto forca nuk i ze dot në gojë se të futin babanë në burg. Ishte traumatike, për të mos përmendur ndalimin e festave fetare dhe panaireve, që ishin të vetmet të diela plot diell dhe larushani.

E vetmja festë gjatë gjithë vitit në të cilën “harbonim” pak ishte 1 maji. Nga që nuk kishte më panaire nisën ta festonin si piknik nga kodrat që edhe pse në tufa të mëdha dhe të organizuar, njerëzit kujtonin pak se si kaloheshin festat në të kaluarën. Kuptohet ata njerëz që nuk i përkisnin brezit tonë. Ne na mësonin se “1 maji vetëm në Shqipëri festohej me gëzim, kurse në vendet kapitaliste fëmijët qanin sa këputeshin!”. Për vendet revizioniste nuk theshin gjë.

Brezi tonë ishte aq i pafat, se sa kishte nisur të ëndërronte se si do visheshim si “rrogeçë“ gjatë karnavaleve, këto u ndaluan se ishin festa që lidheshin me fenë. Ne nuk kemi asnjë foto të veshur si “rrogeçë“ ta shohim me mall në ditët e pleqërisë të shtyrë dhe të rrëfejmë se nga shkuam dhe se ç’prapësira bëmë atë ditë. Duket si një ankesë qaramane, po të vishesh “tebdil” është një nga mrekullitë psikologjike për çdo fëmijë nga Afrika tek eskimezët e Groelandës, nga e cila u përjashtuam ne dhe vetëm ne.

(vijon)

No comments:

Post a Comment