Jeta parlamentare, që pritet të nisë së shpejti në Shqipëri nuk paraqet ndonjë interes të madh për shqiptarët, sepse PS-ja jo vetëm ka numurin e duhur të deputetëve dhe thuajse asnjë rrezik, që disa prej tyre të firojnë, por edhe opozita duket e dobët dhe jo e qartë se ç’luftë do bëjë ndaj qeverisjes së Ramës. Ndeshja parlamentare do jetë mes një partie në fuqi të kontrolluar mirë nga kryeministri dhe një opozite anemike, që gërryhet nga problem i madh i të padëshëruarve nga Amerika- Berisha dhe Meta.
Për shoqërinë shqiptare dhe problemet e mëdha të saj,
shfaqjet e grindjeve pozitë-opozitë në Parlament nuk sjellin asgjë të mirë, se ajo
për të cilën është e interesuar, reformat për përmirësimin e jetës së njerëzve,
nuk duken se kanë për tu ngritur me forcë nga opozita. Ndaj ka shumë të ngjarë,
që qeverinë ta hanë nga brenda dy krimbat e rrezikshëm: korrupsioni dhe defiçiti
i madh buxhetor i vendit.
Ka disa tregues shumë të dallueshëm, që të bëjnë të mendosh
se vendi është para një krize të madhe ekonomike:
·
Borxhi shumë i madh publik.
·
Papunësia e lartë sidomos mes të rinjve.
·
Dëshira në rritje për tu larguar nga Shqipëria.
·
Rritja e çmimeve ushqimore dhe të konsumit të përditshëm.
·
Rritja e çmimeve të banesave në kryeqytet.
·
Shtimi kredive të këqija në bankat e nivelit të
dytë.
Sipas shumë analistëve të huaj të ekonomisë, ka të ngjarë që
shtatorin e ardhshëm të ketë një rënie të madhe të tregjeve të aksioneve në botë.
Nëse kjo ndodh, ato që dëmtohen më shumë dhe hyjnë në një gjendje katastrofike,
janë ekonomitë e vendeve të vogla, të cilat kanë një borxh publik shumë të lartë.
Ndodhi me Greqinë, Portugalinë, Spanjën dhe Italinë në krizën e vitit 2008 dhe
më e rëndë do jetë për Shqipërinë dhe vende të tjera që kanë situata të ngjashme
ekonomike.
Duke bërë analogji me krizën ekonomike të Greqisë të vitit
2008, në Shqipëri mund të rritet më shumë papunësia, të shkaktohen probleme me
kursimet e njerëzve nëpër banka, të ulen ndjeshëm çmimet e pasurive të
palujtshme dhe si rrjedhim të rriten taksat dhe të ketë shkurtime në shërbimet
sociale. Një skenar i tillë nuk është i pamundur dhe të gjithë nuk duhet të
mendojnë me mendjelehtësi se ekonominë e brishtë shqiptare mund ta shpëtojnë të
ardhurat nga droga dhe trafiqet e tjera të paligjshme, apo dërgesat e emigrantëve
për familjet e tyre në atdhe.
Ndaj kundërshtimi që duhet e gjithë shoqëria shqiptare t’i bëjë
Ramës duke nisur sa më parë duhet të ketë vetëm një refren:
“ Ekonomia, ekonomia dhe përsëri ekonomia!”
No comments:
Post a Comment