Monday, 13 September 2021

Në fillim ishte fotografia


Muaj më parë, në një ditë të ftohtë marsi, një mik më dërgoi një foto të gërmave të hequra në grupin skulpturor të ABC-së në oborrin e Mësonjtores së Parë Shqipe, të lëshuara “më këmbë“ mbi baltë.

Shkrojta diçka dhe ju bashkova shumë zërave të qytetarëve korçarë që ankoheshin.

Pastaj nisën të shkruanin edhe shumë të tjerë dhe edhe unë shkrojta të tjera.

Pastaj protesta u gjallërua dhe në të u përfshinë edhe shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.

Pastaj Muzeu u përurua, por pati shumë kundërshtime në Korçë sa u desh të përfshihej edhe kryeministri Rama e të bëheshin ca ndryshime e të përurohej prapë.

Pastaj shumë intelektualë korçarë dhe jokorçarë u përfshinë në një ose dy emisione televizive, në një video konferencë, ku shprehnin indinjatën dhe vendosmërinë për të rikthyer statusin kombëtar të Mësonjtores dhe për të bërë korrigjimet e domosdoshme pas rifreskimit “shkel e shko” që kishte bërë Ministria e Kulturës.

Pastaj u bënë zgjedhjet…

Bashkë me disa shokë të mij pamë që nuk na përgjigjej njeri më e-maileve, që shumë personalitete ishin shumë të zënë, që Kombi në maj nuk ishte po aq i rëndësishëm sa në mars dhe që të gjithë në Shqipëri po bëheshin gati të shkonin në plazh.

Pritëm shtatorin dhe hapëm një faqe për Mësonjtoren në Facebook të vendosur për të shpënë deri në fund përpjekjen për rikthimin e Statusit Muze Kombëtar. Synojmë të bëjmë ç’është e mundur për të ndryshuar mendjen e një administrate, që ka nxjerrë një Vendim të Këshillit të Ministrave, ku Mësonjtores i është hequr statusi që gëzonte. Ju desh edhe Rilindasve dy vjet që prej marrjes së lejes për hapjen e shkollës e deri në atë 7 mars të bekuar. Edhe ne do përpiqemi me këmbëngulje dhe durim. Faqja në FB është :

https://www.facebook.com/Statusi-i-Mesonjtores-se-Pare-Shqipe-109491241473844

Na mbështesni dhe mbase një ditë do jemi në gjendje të gjithë të themi:

“Në fillim ishte një faqe në Facebook.”

No comments:

Post a Comment