Saturday, 18 September 2021

A ka të bëjë ideologjia në shpalljen“non grata” të Berishës? (fund)

 


(vijim)

Shpesh bëhet pyetja: Pse pikërisht tani dhe jo më parë, Berisha u shpall “non grata”?

Arsyeja është vetëm një:

Berisha thuajse kontrollonte sistemin shqiptar të drejtësisë dhe bëri ç’kishte në dorë të pengonte projektin amerikan për Reformën në Drejtësi. Në shënjestrën e Departamentit amerikan ai ishte që në kohën e ambasadorit Donald Lu sëbashku me Ilir Metën. Jo për korrupsionin e llahtarshëm të tyre, por për sfidën që po i bënin amerikanëve për të realizuar projektin. Për të njëjtën sfidë në listën “non grata” përfundoi i pari Prokurori I Përgjithshëm Adriatik Llalla. Fundi i Llallës ishte i shpejtë, por nuk mund të bëhej e njëjta gjë për një ish-kryetar partije dhe një President. Vendime të tilla janë delikate për Departamentin e Shtetit, i cili duhet njëkohësisht të përballet me opozitën në Amerikë për të argumentuar që vendimi nuk është arbitrar. Njëkohësisht gjendja e brishtë politike në Shqipëri, me largimin e opozitës nga Kuvendi e bënte një vendim të tillë të paarsyeshëm për tu bërë në atë kohë, ndaj dhe propozimi as nuk shkoi në tavolinën e Pompeit për ta firmosur.

Po përse u shpu të firmosej, kur erdhi Blinken dhe pikërisht pas zgjedhjeve të 25 prillit?

Amerikanët kanë investuar kohë dhe para në projektin “Shqipëri me Drejtësi të reformuar”. Nuk duan që ky projekt të dështojë dhe Sali Berisha është një nga pengestarët e tij. Por më tepër se kaq, duke parë se ende nuk ndjehej efikasiteti i Qeverisë dhe i SPAK-ut për të hapur procese ndaj “peshqve të mëdhenj”, amerikanët e humbën durimin dhe bënë atë që duhet ta bënin shqiptarët. Paralajmëruan klasën politike shqiptare se nëse vazhdojnë me korrupsion dhe të sfidojnë projektet amerikane do “digjen” përfundimisht. Paralajmërimi është për Ramën dhe Bashën dhe për këlyshët e tyre të korruptuar. Ndaj edhe pse më të tremburit “për momentin” duken Berisha, Meta dhe Kryemadhi, nga politika amerikane e të shpallurit “non grata” janë frikësuar edhe Rama me Bashën. Eshtë kjo arsyeja që ky i fundit e “dorëzoi” Berishën.

Po le të supozojmë një çast se nuk do kishte fituar në zgjedhje Biden por Trump. A do ndodhte shpallja “non grata”? Administrata e Trump, më shumë se republikane tradicionale ishte një administratë “allo soj”, e cila vepronte shumë sipas impulsive të Presidentit dhe këshilltarëve të afërm të tij. Fakt është që në kohën e Trump, Shqipëria nuk zinte shumë vend në projektet amerikane dhe ishte e mundshme që Reforma në Drejtësi të zvarritej. Por duhet thënë se Berisha kishte disa vite që nuk shkonte dot në Amerikë dhe një përfshirje në “listën e zezë“ e kishte edhe pse jo zyrtare.

Ndaj për të ardhur në përfundim të këtij shënimi:

Berisha në raport me amerikanët ishte “kartë e djegur” dhe kjo nuk kishte të bënte me ideologjinë, ose më pak akoma me Sorosin, Delina Ficon dhe Ramën. Ajo që ndodhi në maj ishte përjashtimi i plotë nga politika shqiptare, që edhe me përpëlitjet e Saliut nuk mund të zgjatë më shumë se edhe disa muaj të tjerë.

No comments:

Post a Comment