Friday, 17 September 2021

A ka të bëjë ideologjia në shpalljen“non grata” të Berishës?


Qarkullon në Shqipëri idea se Demokratët amerikanë, si parti e qëndrës së majtë janë më të prirur të godasin Berishën e të mbështesin Ramën. Argumenti që japin shumë njerëz është se po të ishte në pushtet Partia Republikane Berisha nuk do shpallej “non grata”.

Unë nuk mund të them me siguri se çdo bënte një administratë republikane ndaj Berishës, por për një gjë jam i sigurt, që nuk ka asnjë afëri ideologjike mes krahëve politike në Shqipëri dhe  Amerikë. Ose të shprehem më saktë- Lidhjet e krijuara nga parti të caktuara ose individë të caktuar shqiptarë me krahët politikë ose përfaqësues të tyre amerikanë nuk janë të natyrës ideologjike.

Në kohën e ndryshimit të sistemit në Shqipëri, të gjithë politikanët amerikanë mbështesnin forcat antikomuniste, pra Berishën me shokë. Mbështetja ishte më e madhe nga Partia Republikane, sepse shqiptarët në Amerikë ishin më të afërt me këtë parti. Ndoshta në këtë kishte ndikuar fakti, që lobi grek dhe ai sërb ishin më të afërt me Partinë Demokratike në Amerikë ndonëse nuk mund të thuhet se të gjithë grekët dhe të gjithë sërbët votojnë për demokratët. Ndër shqiptaro-amerikanët më aktivë të asaj kohe ishte Ekrem Bardha, por edhe biznesmenë të tjerë shqiptarë dhe kosovarë ishin përkrahës të Bushit(atit). Ndaj edhe lidhjet e Berishës në Amerikë ishin kryesisht me politikanë republikanë.

Gjërat ndryshuan në lobimin shqiptar gjatë luftës së Kosovës, se çuditërisht republikanët, duke përjashtuar senatorin MekKein, ishin kundër administratës së Klintonit për bombardimin e Sërbisë. U shtuan mbështetësit shqiptaro-amerikanë të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht po shtoheshin edhe marëdhëniet e afërta të politikanëve shqiptarë me politikanët e majtë amerikanë. Përsëri Berisha dhe të tjerë përfaqësues të së djathtës kishin lidhje më të forta, sepse socialistët shiheshin ende me dyshim në Uashington.

Gjatë administratës së Bushit marëdhëniet Shqipëri-Amerikë u bënë edhe më të afërta, sepse qeveria shqiptare mbështeti luftrat në Afganistan dhe në Irak, në ndryshim nga shumë vende të tjera europiane. Proamerikanizmi shqiptar ishte edhe arsyeja e vizitës së Bushit në Shqipëri, ku ju rezevua një pritje që nuk e kishte parë as në Amerikë. Në çdo vend tjetër Europian Bushi i vogël ishte pritur me protesta dhe fyerje. Ishte presidenti amerikan më i papëlqyeshëm për europianët.

Berisha vazhdoi t’i konsolidonte marëdhëniet e tij personale me politikanët amerikanë, duke ju dhënë mundësira biznesi ose pagesa të drejtpërdrejta, si ishte rasti i republikanit Tom Daschle. Në Shqipëri gjithashtu të djathtët përhapnin legjendën se Berisha ishte i preferuari i Amerikës. Sidomos pas qëndrimeve të ambasadorit Arvziu pas vrasjeve të 11 janarit 2011.

Duhet nënvizuar një faktor, që u përmend dje nga ambasadorja amerikane në intervistën e dhënë në Zëri i Amerikës.

Ambasadorët amerikanë mbështesin qeveritë e zgjedhura në mënyrë të ligjshme, se pikërisht për këtë janë dërguar. Të mbrojnë pranë qeverisë së një vendi interesat e shtetit amerikan.

Në këtë këndvështrim duhen parë edhe qëndrimet e Mariza Linos, edhe ato të Arvziut edhe të Donald Lu edhe të Yuri Kim dhe gjithë ambasadorëve të tjerë.

Ambasadori amerikan nuk ka për detyrë të bëjë as gjykatësin dhe as arbitrin në çështjet e politikës shqiptare. Edhe nëse ndërhyjnë më shumë se sa na duket ne “normale” nuk ka pse t’i bëjmë me faj. Janë duke bërë punën e tyre brenda hapësirës që ju lejojmë ne.

(vijon)

 

 

No comments:

Post a Comment