Friday, 3 September 2021

Mos ha jashtë në shtator!


Mbylljen e suksesshme të sezonit të plazhit në atdhe, qeverinë Rama 3 dhe “çështjen Berisha në Parlament” vendosa ta festoja në Magog, në një restorant pranë liqenit, i cili nuk i ngjan as atij të Pogradecit dhe as të Shkodrës, por një si çmallim ta bën. Kisha menduar të porositja peshk troftë për të kujtuar koranin e famshëm, që e hante dhe perandori austro-hungarez para se të vrisnin arqidukën Ferdinand, si dhe një sallatë “bashte” që të më kujtonte “qepkat dhe marulet” e anëve tona. E natyrshme edhe një gotë vere e bardhë për të ndjerë ngazëllimin që na jepte vera “Sheshi i bardhë“ e Librazhdit, kur ishim studentë në kryeqytetin tonë, tashmë pronë e Lali Erit.

Liqeni i Magogut ka një emër të vështirë të vënë nga lëkurëkuqtë para se francezët t’i dëbonin nga këto troje me dhunë ose me gënjeshtra, ose me një kombinim të drurit me rrenat. Nuk është emër i lehtë për t’u mbajtur mend si gjoli i Poradecit, që në gjeografi na kanë mësuar se quhet liqeni i Ohrit. Po ka varka me vela dhe pa vela. Varka dhe varkarë, që i bien kryq e tërthor gjolit me emër të vështirë dhe të ngazëllejnë. Ka dhe nga ata varkarë që dehen dhe ja futin varkës së tjetrit, por këto aksidente janë më të pakta se ato në rrugët e mëmëdheut, ku shoferët përplasen edhe kur janë të dehur dhe kur janë esëll.

Arrita në dera e restorantit ku kisha porositur një tavolinë teke, në verandë me shikim nga liqeni dhe i uritur nxitova t’i thoja zonjës në dera emrin. “Ku e ke pashaportën?”- më pyeti. “C’pashaportë? Kam patentën e shoferit?”- u përgjigja i nervozuar. “Pashaportën e vaksinimit. Eshtë 1 shtator dhe nuk lejohet të hysh në restorant pa të!” Mbeta pa përgjigje dhe mendova se si mund t’ja hidhja zonjës për të hyrë në restorant pa pashaportë vaksinimi. “E kam në celular, por më ka rënë bateria!”- dhe mendova se gjeta një arsye të fortë. “Ti e di si quhet restoranti jonë.”- më tha “Kemi përvojë në këtë fushë!” U stepa dhe mora të ikja. Me të vërtetë restoranti quhej “Pinochio” dhe në google namin për shërbimin dhe ushqimin e kishte 4.7.

Provova edhe katër restorante të tjera pranë liqenit, nga ku më përcollën me të njëjtën buzëqeshje, ndërsa të moshuar të tjerë mbanin në dorë celularët ose dëshmitë e printuara të vaksinimit me dy doza. U ktheva në shtëpi dhe për tu çmallur me atdheun dhe shtatorët e kaluar në Korçë, Tiranë, Durrës dhe Vlorë preva nja dy “rryqe” të mëdha buke dhe ju futa me djathë dhe domate. Në sfond dëgjohej një melodi instrumentale, të cilën pa dashje e emërtova:

“Mos ha jashtë në shtator!” 

No comments:

Post a Comment