Thursday, 23 September 2021

“Gomari i ngordhur” nuk është zënë akoma


Më 14 prill 2018 pata shkruar rreth  urdhër-arrestit për ish Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla me theksin se etusiazmi për ndjekjen e tij penale ishte i tepruar dhe kishte arsye propagandistike. Shkrimi titullohej “Adriatik Llalla nuk është “peshk i madh”, por “gomar i ngordhur”. Më poshtë është linku:

https://kuendemi.blogspot.com/2018/04/llalla-nuk-eshte-peshk-i-madh-por-gomar.html

Fakti që Llalla i zvarriti kaq gjatë gjyqet dhe ishte edhe në gjendje të largohej nga vendi për të kërkuar azil politik ose për t’i shpëtuar burgut në Shqipëri, tregon se ka një problem të madh me Reformën në Drejtësi. Në 3 vjet e gjysëm as Llalla dhe as Saimir Tahiri nuk janë futur pas hekurave edhe pse akuzat e tyre janë thjeshtuar shumë nëse krahasohen me ato fillestare.

Për të arrestuar tëë tjerë “të mëdhenj” nuk bëhet fjalë deri më tani edhe pse gazetarët që ndjekin SPAK-un të entusiazmuar deklarojnë se ka 47 dosje të rëndësishme, 4-5 janë shumë të rëndësishme dhe një vilë shumë e njohur në Shqipëri së shpejti do rrethohet me shiritat “ndal policia”.

Meta është ende president, Rama u rizgjodh kryeministër, Ahmetaj u ngrit në detyrë dhe fëmijët e Berishës nuk kanë pësuar asgjë veç shpalljes “non grata”nga SHBA.  

Eshtë e vërtetë se edhe në vende me më shumë përvojë dhe personel prokurie më të madh punohet me muaj dhe me vite për një dosje, që të jetë “antiujë“, por të tilla tejzgjatje kur shumë dallavera janë bërë hapur dhe njëkohësisht ekzistojnë provat material si shtëpi, truaj apo makina që nuk justifikojnë të ardhurat, jan[ absurd. Dosjet “e nxehta” duhet të shkojnë më shpejt para gjykatës.

Gazetarët e mirëinformuar flisnin dje në televizion se në dasmën e një ose më shumë prokurorëve, kolegët e ftuar kishin hedhur mbi njëqindmijë euro gjatë vallzimit të nuses dhe dhëndërit. Një tjetër rast i provuar ishte për një gjykatës, që vetëm në një fundjavë jashtë shtetit kishte blerë mallra me vlerë mbi 200 mijë euro. A është kaq e vështirë për t’i ndjekur penalisht?

Vila e Metës ka shumë vjet që ka dalë edhe në emision televiziv dhe për më tepër ekzistojnë me dhjetra dokumenta që implikojnë Ilir Metën në korrupsion të habitshëm. Duhet të pritet që ta shpallë SHBA “non grata”?

Nëse përdorim për analogji proceset Llalla dhe Tahiri, atëhere edhe sikur procesi Meta të nisë para fundit të këtij viti, do zgjatë me vite deri më sa ai bashkë me familjen të kenë siguruar strehim politik në një shtet ku nuk është e vështirë të korruptosh drejtuesit e shtetit. Edhe për 4-5 vite të tjera do dëgjojmë dënglat nëse ishte apo jo i korruptuar apo përndiqet nga Sorosi?

Me të drejtë njerëzit që presin në pastrimin e politikës i pushton pesimizmi dhe duan të largohen nga vendi. Po i gëzojnë paratë e shumta të korrupsionit Nanoja, Angjeli, Fullani dhe shumë të tjerë. Të krijohet përshtypja se edhe për dhjetë vjet të tjera nuk do ketë të arrestuar veç ndonjë “gomari të ngordhur”, që do bëjë pak burg për të mos tradhëtuar ata që e kanë urdhëruar.

 

 

No comments:

Post a Comment