Thursday, 23 September 2021

28 mijë arkitektë


Në Shqipëri, sipas të dhënave statistikore jo të konfirmuara nga Instituti I Statististikave, ka 28 mijë arkitektë. Një arkitekt për çdo kilometër katrore. Mund të duken shumë, por nuk janë shumë se edhe të përpiqesh për të transformuar një kilometër katrore hapësirë nuk është e lehtë.

Problemi qëndron në faktin se nga këta 28 mijë as një e njëzeta nuk punojnë dot në profesion. Megjithë vendet e tejmbushura me arkitektë në Bashkitë e Shqipërisë, përsëri pa pasur zhvillim të madh të studiove private të arkitektëve, të ndërmarjeve të prodhimit të paisjeve ndërtimore, të industrisë së mobiljeve, të firmave private të gjelbërimit etj., nuk mund të ketë as punësim të të gjithë arkitektëve dhe as “vjelje” të aftësive të tyre profesionale në dobi të Shqipërisë.

Më të shumtit e të posadiplomuarve punojnë shoferë taksie, kamarierë, në center-call ose në të tjera lloje punësh, të cilat ju ofrohen. Pasioni dhe talenti i mijra të rinjve i shkuar kot. Zhgënjimi i tyre dhe i familjeve gjithashtu i madh pa llogaritur dëmin financiar.

E gjitha kjo ndodh për shkak të neglizhimit të qeverisë, të lakmisë financiare të universiteteve dhe të peshës së papërfillshme të Shoqatës së Arkitektëve.

Nuk ka asnjëë orientim nga qeveria dhe institucionet qeveritare se cilat janë profesionet më të kërkuara në tregun e punës. Universitetet nga qëndra të dijes dhe studimit janë kthyer në institucione të babëzisë finanaciare dhe mund të hapin kurse pambarim nëse kanë kërkesa nga maturantët.

Por një rol të madh duhet të ketë Shoqata e Arkitektëve, e cila ka për detyrë mbrojtjen e interesave të profesionistëve dhe krijimin e kushteve për të rikualifikuar arkitektët që praktikojnë profesionin dhe të ndihmojë të rinjtë që aspirojnë të bëhen të tillë. Ndoshta ka pengesa ligjore dhe statusi që i jep ligji nuk ja krijon këto mundësi, por gjithshka duhet bërë për të ndryshuar ligjet që lidhen me profesionin e arkitektit. Shembuj ka në të gjithë botën nëse do të mësosh, por jo nëse vendin në shoqatë e sheh si trampoline për të qënë në rrethe VIP-ash apo për të siguruar pprojekte.

Fakt është që profesioni i arkitektit në Shqipëri është në krizë. Askund nuk flitet për të në 28 mijë kilometrat tona katrore.

No comments:

Post a Comment