Wednesday, 1 September 2021

Ortodoksët komunistë ishin komunistë ortodoksë? (2)

 


(vijim)

Komunistëve të Korçës ju ishin shtuar në vitet ‘30 edhe shumë njerëz të shkolluar si Dhimitër Fallo, Koço Theodhosi, Todi Maliqi, Taqi Skëndi, por më të shumtëtë dhe ata që diktonin në veprimtaritë dhe drejtimin ishin zanatçinjtë e Pazarit mes të cilëve ishin më të dalluar Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Pilo Peristeri, Nesti Kërënxhi, Ollgë Mitrushi, Kleopatra Maliqi, Raqi Themeli e të tjerë.

Me ardhjen nga Bashkimi Sovjetik i Koço Tashkos ishte e natyrshme, që një njeri i shkolluar në Harvard dhe në Moskë të vihej në krye të Grupit të Korçës. Por a kishte kjo organizatë lokale ide të qarta rreth komunizmit? A mendonin dhe diskutonin rreth një revolucioni proletar në Shqipëri?

Edhe pse nuk ka dokumenta të asaj kohe dhe një pjesë e mirë e komunistëve korçarë i përshtatën kujtimet e tyre në varësi të “Historisë së Partisë“ të formuluar nga Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, një gjë mund të thuhet me siguri se bëhej fjalë për një “komunizëm kafenesh”, me diskutime kundër Zogut dhe formave të fashizmit në Europë dhe përkrahje të pushtetit të sovjetëve, të cilin e njihte nga afër vetëm Koço Tashkoja. Synimi i tyre më “ambicioz” ishte që Monarkia të binte dhe të krijohej një Republikë Parlamentare ku të merrte pjesë edhe një Pari Komuniste, si në vendet e tjera europiane dhe pas zhvillimit të industrisë dhe krijimit të proletariatit të bënte edhe revolucionin proletar. Një organizatë, e cila nuk e kalonte as Qafën e Plloçës nuk ishte në gjendje të bashkohej me grupet e tjera komuniste të Shkodrës, “Të rinjve” dhe “Zjarrit”. Nuk bëhej fjalë për qëndrime të ndryshme parimore ndaj ideologjisë së përbashkët, por nga frika (ballkanike) se grupi më i madh dhe më i vjetër do humbiste drejtimin e organizatës së madhe pasi tek të tjerët kishte më shumë komunistë të shkolluar.

As pushtimi i vendit nga fashizmi nuk i detyroi dot komunistët korçarë të dilnin nga “guaska” e qytetit edhe pse në mënyrë të faksifikuar është shkruar se vendosën të hapnin një degë në Tiranë, në krye të së cilës vunë Enver Hoxhën. Nuk ka asnjë lloj dëshmie qoftë edhe gojore për një vendim të tillë. Pas dy viteve të pushtimit numuri i komunistëve dhe simpatizantëve të grupit ishte shtuar, por hapja në qytetet e tjera nuk ishte bërë as me direktivë dhe as e planifikuar, por thjesht shumë studentë të Liceut dhe nëpunës të tjerë komunistë kishin lëvizur nga Korça drejt qyteteve të tjera.

Ortodoksët komunistë (ateistë) korçarë nuk kishin ide të qarta as politike dhe as ideologjike se ç’mund të bënin për lëvizjen komuniste në Shqipëri.

Po as Italianët nuk dukeshin të shqetësuar për komunistët shqiptarë. Megjithëse ata kishin informacione të mira për krerët, bie në sy se të internuarit më të shumtë shqiptarë menjëherë pas pushtimit ishin nacionalistët edhe në Korçë, si Safet Butka, Abaz Ermenji, Zai Fundo, Petraq Pepo e të tjerë. Në ndryshim nga persekutimi që ju bënin komunistëve në Itali, Italianët nuk i përndoqën komunistët shqiptarë deri në hyrjen e Bashkimit Sovietik në luftë me Gjermaninë në qershor të vitit 1941.

A ishte rastësi që Partia Komuniste Shqiptare u formua nën kujdesin dhe ndihmën e Partisë Komuniste Jugosllave dhe a kishte përputhje mes vijës jugosllave dhe asaj të Grupit të Korçës?

Eshtë e kuptueshme që një parti e një vendi fqinj me Shqipërinë do udhëzohej nga Kominterni për të ndihmuar krijimin e një Partie Komuniste dhe organizimin e Frontit Antifashist sipas vendimit të përgjithshëm të vetë Kominternit. Do bëhej ose nga Partia jugosllave ose nga ajo greke. Partia Komuniste Greke jo vetëm që ishte thuajse e shkatërruar nga përndjekja e diktaturës greke në vitet e para të luftës së Dytë, por edhe marëdhëniet me Kominternin nuk ishin të mira për shkak të mbështetjes që i kishte dhënë kreu i saj Zahariadhis qverisë të Metaksajt për të luftuar kundër Italianëve në luftën italo-greke. Ishte koha kur Bashkimi Sovjetik kishte bërë paktin e mossulmimit me Gjermaninë e Hitlerit. Ndaj jugosllavët ishin të vetmit që mund të ndihmonin dhe këtu nuk ka asnjë “komplot shovinist”, si mund të jetë paraqitur më vonë nga kundërshtarët e komunistëve shqiptarë.

Ndaj dhe komentet e mëvonshme për sektarizmin dhe trockizmin e Koçi Xoxes dhe korçarëve të tjerë, si të ngjashëm me atë të jugosllavëve nuk ka asnjë lidhje me “orientimin ideologjik” të Grupit Komunist të Korçës. Komunistët e paformuar shqiptarë, mes të cilëve dalloheshin “korçarët me origjinë familjare ortodokse” ishin të tillë që mund të ndiqnin verbërisht direktivat e Kominternit sepse nuk dinin ndonjë gjë më shumë.

Shenim: Foto e Koco Tashkos

(vijon)

No comments:

Post a Comment