Sunday, 12 September 2021

Unë votova për Marikan


Pardje votova para kohe në zgjedhjet e përgjithshme për Parlamentin Kanadez. Votova sepse ndjehem i lirë dhe njëkohësisht i detyruar të mbaj një qëndrim politik që shpreh idetë dhe interesat e mija. Edhe mund të mos votoja dhe do i bashkohesha një çerekut ose një të tretës të kanadezëve që nuk votojnë. Por nuk do ndjehesha mirë me veten.

Votova për Marikan.

Nuk e di se kush është dhe nga portreti që kam parë nëpër rrugë të ke përshtypjen se është biblotekare ose mësuese filloreje. Me një palë syze të mëdha dhe e krehur “allosoj”, Marika është kandidatja e Partisë së Re Demokratike (NDP) në qytetin tim. Do votoja për çdo kandidat të kësaj partije, si kam votuar edhe më parë, jo se ja njoh mirë programin dhe as se ja pëlqej shumë kryetarin, por është një parti që mbron interesat e minoriteteve, të të varfërve, emigrantëve dhe të më të dobtëve. Ndoshta Marika është me origjinë rumune, por kjo as prish dhe as ndreq për mua ndaj edhe nuk jam munduar ta mësoj. Më pëlqen edhe se NDP nuk vjen dot në pushtet dhe mund të shaj me mendje mbarë e prapë Trudonë liberal ose O’Toole konservator, cilido të fitojë.

NDP ka si kryetar Sing, një indian sikh, që nuk e ka hequr akoma çallmën, por unë s’kam asnjë lloj kompleksi për çallmën e tij. Për të qënë plotësisht i sinqertë do preferoja dikë, të bardhë ose aziatik, afrikan ose arab, po të mos kishte çallmë apo hixhab, por përderisa e kanë zgjedhur të tijtë them se duhet të jetë më i miri mes shokëve dhe shoqeve.

Fushatat zgjedhore në Kanada nuk zgjasin asnjëherë më shumë se 6 javë dhe nuk kanë mitingje. (Ose më mirë të them, jo nga ato të mëdhatë, që bllokojnë rrugët e duhet të kalosh 50 kilometra më tutje që të shkosh në shtëpi.) Gjithashtu nuk të troket njeri në derë e të të thotë  të votosh për filanin, për fistëkun, ose për atë që është kundër edhe filanit edhe fistëkut. Rrugëve venë foto që mund t’i shikosh nga makina dhe që nuk i heqin ata të partive kundërshtare. Edhe teleizionet i pasqyrojnë fushatat me karar. Ndonjëherë edhe mund të mos e marrësh vesh që ka zgjedhje.

Marika nuk ka për të shkuar në Parlament se gjasat janë fituesja të jetë nga Blloku i Kebekut, që është një tjetër grua, myslimane nga Afrika e Veriut ose nga Lindja e Mesme.

Dita zyrtare është 20 shtatori dhe të nesërmen merret vesh kryeministri i ri. Cmimi i bukës mbetet po njëlloj!

No comments:

Post a Comment