Sunday, 5 September 2021

Brezi im i pafat (2)


 (vijim)

Po mungesa e fatit “in extremis” për ne do vazhdonte në vitet ’70, kur paraardhësit tanë po argëtoheshin “allaevropiançe” për shkak të një liberalizmi të shkurtër, me të cilin Komiteti Qëndror donte të justifikonte mbylljen e institucioneve fetare. Adoleshentët para brezit tim mundën të mbanin flokë të gjata, minifunde, pantallona kauboj, mustaqe dhe favorite të gjata, por sa filloi ne të na dirste mustaqja erdhi pleniumi I IV. Jo më muzikë xhaz apo rok, jo më minifunde dhe flokët ishte e mira t’i qethje “ballaboks” ose “karre kinezçe”, që të mos bije pre e grupeve të kontrollit punëtor-fshatar. Në mbrëmjet e vallzimit nuk mund të luaje më i paçiftuar dhe jashtë pozicionit “tango-vals”, gjë që nuk ishte shumë e këndshme për vajzat, se kishte adoleshentë “seksualisht të uritur”, të cilët i shtrëngonin pak si shumë pranë vetes. Nisën edhe “dezhurnet” 24 orëshe, që ishin ruajtja e shkollës nga “hasmi që nuk flinte”. Në të vërtetë hasmi flinte që ç’ke me të se as I binte ndërmend për ne, por “heronjtë e heshtur” shkruanin vetë parrulla kundër pushtetit, për të terrorizuar njerëzit dhe për të ushtruar sa më egër luftën e klasave.

Brezi im ishte i vetmi që pësoi eksperimentet e mësimit ushtarak gjatë një dite të plotë të javës, stazhin në punë para studimeve universitare për djemtë dhe drejtorëve “gdhënj” të shkollave të mesme. Nuk u morr vesh kurrë se për ç’arsye u propozuan dy të parat, të cilat qëndruan në fuqi vetëm për 6-7 vjet sa ishte brezi i jonë i pafat, por e fundit, ajo e vendosjes së arsimtarëve më të paarsimuar në drejtimin e shkollave të mesme mbeti në fuqi deri sa u ekzekutua Caushesku. Ne kishim drejtor në gjimnaz dikë që kishte mbaruar për rusisht si i fundit I kursit, kurse gjimnazi tjetër një specialiste që qepte kopsat në NPV. Mesazhi për të pafatët ishte “nëse doni të bëheni të parët duhet të jini të fundit!” Dhe kjo na la në fund.

Për brezin e “të pafatëve” ishte rezervuar edhe gjendja më e rëndë e buxhetit të arsimit dhe si rrjedhojë edhe numuri më i vogël i të gjitha kohrave i të drejtave të studimit. Nuk mund të studioje po të ishe fëmija i tretë i familjes që kishte dy fëmijë të studiuarnë universitet dhe po të ishe fëmija i dytë që nuk i kishe të gjitha notat dhjeta dhe nuk kishe shkëlqyer edhe në punë vullnetare. Dhe kjo për ata që e kishin “biografinë pa cen” se kush kishte pasur të afërm të pasur, me Ballin, Legalitetin, kulak, xhandar, me nënë ruse, të arratisur, me grupin antiparti të Koçit, Tukut,  Todit, Beqirit apo Abdylit as në ëndërr nuk i shikonte dot studimet e larta edhe po të kishte marrë medalje të arta në të gjitha ciklet shkollore.

“Bëmë me fat dhe hidhmë në pleh!” thotë populli , por ne na kishin hedhur në pleh dhe nuk kishim as fat. Dhe më keq se të tërë që na rrethonin, sa mbaruam maturën u prishëm edhe me shokët kinezë, që do të thoshte se do mbroheshim të vetëm ndaj koalicionit NATO-Traktat i Varshavës. Bash në kohën që ishim në moshën për në front. Po më e keqja ishte se prishja me kinezët solli tallonat dhe kur hymë në punë kishim ca leka nëpër duar po nuk kishim për të ngrënë. Mishi ishte më me kët se çdo gjë, po nuk gjeje dot as bulmet, as fasule dhe as kafe, përveç pijeve alkolike, të cilave ju drejtuan shumë djem të brezit tonë, sidomos ata që punonin në fshatra dhe kantiere. Edhe sot e kësaj dite mes kujtimeve të një pjese nga nesh zenë vend tregimet “kur u bëmë tapë një ditë me ponç portokalli!” Të pangrënë, gjysëm të dehur dhe duke mos patur ç’të bënim duhet të martoheshim. Dhe si më fatkeqët e të gjitha kohrave mund të martoheshim vetëm me bashkëpatriote dhe bashkëpatriotë. S’kishte më as greçka, as ruska, as bullgarka dhe as polake si kishin marrë një herë e një kohë shqiptarë të tjerë. Vajzat e gjora të brezit tim gjithashtu nuk ëndërronin dot për ndonjë francez, gjerman, italian apo suedez nga ata të romaneve, se dhe turistët e rrallë që hynin në vend nuk i përshëndetje dot as me kokë. Nga pas i ndiqnin një tufë të rekrutuarish nga Sigurimi, që ishin dhe ata te brezit tonë të pafat.

(vijon)


No comments:

Post a Comment