Ka një ngjashmëri edhe pse jo të plotë mes prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe shpalljes së Berishës “non grata” nga Amerika me gjithë pasojat në Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Në të dyja rastet i është mëshuar dhe i mëshohet shumë
sovranitetit. “Ne jemi një Parti
Komuniste e një vendi sovran dhe nuk ju përulemi presioneve”- ishte përafërsisht
përgjigja që i jepte Enver Hoxha Hrushovit më 1961. “Me përjashtimin tim nga grupi parlamentar humb sovraniteti i Partisë
Demokratike dhe i Shqipërisë“- është përafërsisht ajo ç’ka thotë Sali
Berisha.
Enver Hoxha nuk ju përulej presioneve të Hrushovit, të cilat
kishin të bënin me largimin e tij nga posti i Sekretarit të Parë. Sali Berisha
nuk e ka luksin t’i rezistojë presionit amerikan, sepse çelësat e Partisë ja ka
dhënë dikujt tjetër, të cilin mendonte se do ta kishte gjithnjë marioneteë.
As ngjarja traumatike e vitit 1961 nuk kishte të bënte me
sovranitetin e Shqipërisë edhe pse është paraqitur si e tillë nga propaganda
komuniste dhe nga letërsia shqiptare ku kryesojnë veprat e Kadaresë: romani“Dimri
i Madh” dhe poema “Viti 1960”. Por Enver Hoxha kishte në dorë propagandën dhe
letërsinë ndaj historinë mund ta bënte si të deshte vetë. Partia Komuniste nuk
kishte qënë asnjëherë një parti sovrane e një vendi sovran. Kjo për dy arsye kryesore,
se klika që drejtonte pas luftës ishte e paaftë për të drejtuar vendin dhe
kryesorja që i duheshin patjetër ndihma ekonomike për të mbajtur njerëzit me
punë dhe bukë. Nuk kishte qënë sovrane as ndaj Titos, që nuk e ndihmonte
ekonomikisht, por e xhvaste Shqipërinë.
Pas prishjes me Titon, për 13 vjet PKSH-ja varej plotësisht
nga ndihmat e Moskës për të zhvilluar vendin ndaj edhe pas Kongresit të XX edhe
ndaj Stalinit u mbajt i njëjti qëndrim si i partive të tjera. Hoxhës nuk i bëhej
vonë për Stalinin, por kur erdhi puna që ju rrezikua vendi i Liderit atëhere u
përball me Hrushovin deri në prishjen e marëdhënieve.
Edhe Sali Berishës nuk i bëhet vonë as për sovranitetin e
Shqipërisë dhe as për partinë Demokratike.
Edhe proamerikanizmi i tij, që trumbetohet me të madhe nga ata, që i shkojnë
pas ka qënë i detyruar sepse nuk ka patur mundësi të tjera. Proamerikani Sali
ka shumë vite, që le deklaron se Sorosi “bën ligjin” në administratën
amerikane, duke qënë i ndërgjegjshëm se gënjen dhe njëkohësisht njollos
politikanët e vendit aleat. Në vitin 1997 nuk linte gjë pa thënë mes të tijve për
Klintonin dhe “komunistët” e Partisë Demokratike të SHBA.
Në krahasimin e këtyre dy ngjarjeve vlen të përmendet
shprehja e njohur e Marksit : “Historia përsërit
veten në fillim si tragjedi dhe herën e dytë si farsë“. E para ishte
tragjedia e popullit shqiptar, i cili kaloi edhe njëzet vjet pas saj nën
Diktaturën më të ashpër komuniste. Këtë rradhë farsa e sovranitetit e Saliut
vetëm sa zbavit publikun shqiptar dhe ndërkombëtarët.
No comments:
Post a Comment