Sunday, 12 September 2021

Mëngjesi pas 11 shtatorit


Nuk e kujtoj mirë se si fjetëm atë natë, por sikundër kam shkruar më parë, vetë u ktheva pas orës 1.00 në shtëpi, pasi kisha pritur në qendër të Torontos një familje shqiptare, e cila emigronte nga Greqia në Kanada. Sulmi mbi Kullat Binjake dhe Pentagonin kishte detyruar shumë avionë të mos uleshin në aeroportin e Torontos, por në atë të Montrealit.

Torontoja ishte thuajse e vdekur, si pas një evakuimi të të gjithë qytetit. Vetëm makinat e policisë të kujtonin se bota ishte ende në lëvizje. Kishim shkuar me dy makina me një shokun tim pranë një hoteli në qendër, ku pritej të vinte autobuzi nga Montreali me pasagjerët e avionit. E dinim që ata që vinin për herë të parë kishin edhe shumë valixhe e çanta me vete. Nuk mund të imagjinonim se si ishte Nju Jorku atë natë, kur një qytet i madh i një vendi tjetër, 800 kilometra larg, ishte aq i frikësuar.

Të djeshmen, punën e kishim ndërprerë para pushimit të drekës dhe na kishin thënë që do na lajmëronin nëse do punonim të mërkurë. Ishim  më shumë të trembur se sa të çuditur? Nuk di nëse vërtet kishim frikë, sepse ne disa vjet më parë kishim kaluar tmerret e 1997-ës në Shqipëri, por ishim të mbërthyer para televizorit duke u përpjekur të kuptonim se çdo bëhej në Amerikë. Shifrat e viktimave ishin akoma kontradiktore, por po zbrisnin nga 30 mijët e thënë në fillim.

Shkruhet shpesh se që atë ditë bota nuk është më njëlloj. Nuk di të them nëse kjo thënie është e vërtetë, sepse ndryshimi më i madh ka qënë nëpër aeroporte. Tronditjen e madhe e patën vendet që u shkatërruan nga lufta pas 11 shtatorit, Afganistani dhe Iraku. Perëndimi dhe Lindja e Largët nuk patën ndryshime të mëdha në jetën e përditshme. Vendet e pasura vazhduan të pasurohen edhe nga dy luftrat, dëshira për të emigruar nga vendet e varfra u rrit dhe tregjet e aksioneve vazhduan ciklet e tyre të ulje ngritjeve, nga të cilat përfitojnë gjithnjë super të pasurit.

Mëngjesi i pas 20 viteve është i qetë për ata që jetojnë në vendet e zhvilluara, i frikshëm për ata që jetojnë në Irak, Siri dhe Afganistan dhe jo i sigurt për ata që jetojnë në vende me qeveri të korruptuara.

“ E megjithatë rrotullohet!”

No comments:

Post a Comment