Friday, 10 September 2021

A është kjo rradha e spastrimeve?


Një miku im që e ndan vitin mes Tiranës dhe Torontos më theshte para disa muajsh, që amerikanët e kanë seriozisht me ne dhe do i spastrojnë një nga një të korruptuarit dhe se pas gjykatësve dhe prokurorëve rradha ju vjen politikanëve. Unë nuk jam aq optimist sa miku im dhe dyshoj se amerikanët bashkë me europianët do jenë në gjendje të spastrojnë korrupsionin që ka prekur çdo qelizë të jetës shqiptare. Nëse do bëja një krahasim vulgar të korrupsionit me kancerin do thoja se ai ka prekur trurin e Shqipërisë, mëlçinë, stomahun, mushkëritë, shtyllën kurrizore, gjakun dhe organet riprodhuese. Me operime nuk bëhet dot “derman”, por mrekulli mund të sjellë vetëm rritja e jashtëzakonshme e sistemit imunitar.

E megjithatë nga pesimizmi nuk vjen asnjë e mirë veç paralizimit edhe të forcave që duan të luftojnë sëmundjen ndaj duhet parë si shumë pozitive shpallja “non grata” e Berishës dhe fundi shumë i shpejtë në të ardhmen i Metës dhe Kryemadhit. Miku im thotë që rradhën në vitin 2022 e ka Rama dhe nëse kjo ndodh do jetë vërtet një ndërhyrje kirurgjikale me vlerë.

Po a është e lehtë të zëvendësosh menjëherë një klasë politikanësh të korruptuar dhe t’i zëvendësosh me të tjerë të aftë dhe të pastër?

Eshtë një operacion që do kohë se nuk mund të bëhet me transplatim. Duhen pastruar Lulëzim Basha, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Niko Peleshi, Genc Pollo, Mirela Kumbaro e me rradhë e me rradhë shumë të tjerë. Menjëherë duhet bërë zëvendësimi me politikanë “higjenikë“, të cilët nuk janë të shumtë as në rradhët e pozitës dhe as të opozitës.

Berisha, Nano, Meta, Rama, Basha u kujdesën që “fidanishtet” e partive të ishin plot me fidane të modifikuara gjenetikisht, që përmbanin genin e “peqe-lepes” dhe të korrupsionit. Ndaj dhe zëvendësimi i klasës politike, në rast se pastrimi do shkojë mbarë do dojë një dhjetvjeçar.

Por le të ndodhë pastrimi!

Ndoshta kjo është rradha që parashikon me optimizëm miku im. 

No comments:

Post a Comment