Saturday, 11 September 2021

Soros, ky shtrigan magjistar plak


Xhorxhi i Sorosëve është personazhi më i famshëm i huaj jo vetëm në Hungari, ku është lindur dhe rritur, por edhe në Shqipëri, të cilën e ka vizituar vetëm dy herë. Në Amerikë, ku jeton dhe ku ka bërë miliardat, shumica e popullsisë nuk ka idenë se ç’është.

Xhorxhi ose Gjergji (për ta shqipëruar pak) është 91 vjeç, ka miliarda dollarë dhe i ka vënë qëllim vetes të shkatërrojë Hungarinë, Shqipërinë dhe presidentin Trump. Ambicie të mëdha të një shtrigani magjistar, që e di se nuk do jetë edhe shumë kohë rreth e rrotull kësaj dynjaje.

Që është “magjistar” i financave , kjo dihet prej kohësh, se është cilësuar si “financier që grabiti bankën e Londrës”, përpos edhe shumë aventurave të tjera financiare në tregjet e aksioneve.

Po ne nuk na bëhet vonë se ç’i bën Londrës, Amerikës apo Hungarisë, po me ne ç’ka shtrigani? Dhe tamam tamam ç’ka me Berishën?

Përralla shqiptare rreth Sorosit, e stisur nga folkloristët primitivë të së Djathtës dhe e shfrytëzuar edhe nga folkloristëtë primitvë të së Majtës është e thjeshtë: Sorosi për të patur fitime kolosale në Shqipëri si dhe në vende të tjera të Europës Lindore, mbështet pranë administratës amerikane Ramën dhe soroistë të tjerë dhe godet ata që janë proamerikanë dhe shqiptarë të flakët! Kjo është përralla e rapsodit Berisha tash e 10 vjet, pasi e kishte mburrur më parë Sorosin si mik të Shqipërisë.

Shqiptarët që nuk e njohin Sorosin, nuk e kapërdijnë menjëherë këtë përrallë dhe pyesin: Po si ka kaq ndikim në administratën amerikane? Përrallërrëfyesit e kanë në majë të gjuhës përgjigjen: Paguan miliona për Partinë Demokratike dhe i ka në thes tërë demokratët.

Ka një çerek të vërtete në këtë përgjigje, se vërtet Sorosi dhuron shumë për fushatat elektorale në Amerikë, por ai nuk është as donator më i madh i Partisë Demokratike dhe as i vetmi. Janë me dhjetra miliarderë, disa prej tyre që japin më shumë se ai dhe ndonëse mund të kenë ndikim, nuk “i kanë në thes” ligjvënësit dhe  ekzekutivin amerikan.

Po le të mbetemi në krahun e përrallaxhinjve dhe të themi se Sorosi nuk kontrollon të gjithë administratën amerikane, por vetëm Departamentin e Shtetit dhe kështu ja doli mbanë, që të vetmin pengues të planeve të tij djallëzore për Ballkanin, Sali Berishën, ta bënte “non grata”. Në përrallat tona, ka gjithmonë forca të mbinatyrshme, që bëjnë zgjidhje të jashtëzakonshme, por nuk ka në to mungesë të logjikës ose kundërthënie. Plani për ndarjen e Kosovës i ideuar nga Sorosi sipas Saliut, u formulua dhe po vihej në jetë nga Grenell i emëruar nga Trump dhe besnik i Trump, që Sorosi do “ta shkatërrojë“. Ambasadorja Kim, që bën hapur presion ndaj Berishës është e emëruar nga Pompei, Sekretari i Shtetit i administratës Trump.

Shtrigani magjistar 91 vjeçar, sipas Berishës i bëri presion “të papam” Bashës dhe ai nuk dha dorëheqjen, por dorëzoi Berishën, bashkë me të sovranitetin e PD-së dhe si rrjedhojë edhe sovranitetin e Shqipërisë. Tani Shqipëria nuk është më vend Sovran, por sundohet nga Soros me mëkëmbësin e tij Ramën. Pak a shumë si më 1939, kur një dorë me “patriotë“ shqiptarë i dhanë kurorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit dhe ky ja dha ta përdorte Jakomoni.

Pasazhi i fundit i përrallës me Soros është optimist. “O Soros ç’i bëre vetes!” po thërresin besimtarët e përrallës, që po shohin se Berisha po ngrihet pas 7 plagëve të marra për të luftuar shtriganin dhe për të mos lejuar që të na marrë 40 berra dhe 40 vasha. 

Dhe vërtet Berisha do luftojë deri në pikën e fundit të gjakut, se një gjë që përralla nuk e thotë, është se 40 berrat dhe 40 vashat i ka marrë Zeni me Argitën.

No comments:

Post a Comment