(vijim)
Aq pafat ishim, sa dhe Muri i Berlinit, që kishte kohë që lëkundej
nuk ra tre vjet më parë, por pikërisht kur ishim bërë të tërë me nga dy fëmijë.
Ose Kadareja që kishte menduar dy tre herë të arratisej, nuk vendosi ca vjet më
parë dhe me atë ngjarje do rrëzohej Diktatura në Shqipëri e ne do ja kishim
mbathur nga sytë këmbët, beqarë, plot energji dhe me dëshirën për të parë me
sytë tanë se si vuanin popujt në botën kapitalisto-revizioniste. Muri u rrëzua,
Kadareja iku, doli Saliu dhe u gëzuam, por nga t’ja mbanim?! Fëmijkat që mezi i
kishim ngritur më këmbë me qumshtin që me zor e gjenim, na shikonin të
trishtuar sa dallonin në sytë tanë dëshirën për tu bashkuar me “eksodin”.
Me që ra fjala për “eksodin”, brezi jonë provoi në kurriz
gjithë fatkeqsitë biblike, që çifutët i kishin kaluar në tremijë vjet. “Lufën e
kllasave”, persekutimet, ngrënien e bretkocave, qethjen e detyruar, ndëshkimin
e homoseksualëve, internimet, privilegjin e fëmijës së parë, ndarjen e
familjeve, armiqësinë për vdekje me popujt fqinjë, shënjimin e portave të të
privilegjuarve, gjimnastikën e detyruar në grup të mëngjesit, punën
skllavo-vullnetare, ndërtimin e Piramidës dhe ja më në fund edhe “eksodin”.
Në fillim ikëm ne burrat, sa të gjenim punë se nuk kishim
dokumenta, pastaj morëm gratë dhe fëmijët i lamë me prindërit sa të zinin punë
edhe gratë që të mund të paguanin qeranë dhe ushqimin e t’ju dërgonin ca valutë
prindërve që na mbanin fëmijët. Pastaj u bashkuan me ne dhe fëmijët dhe u gëzuam
në kulm, por u kujtuam që nuk kishim dokumenta dhe në vendet ku jetonim përbuzeshim.
Nuk ishte i tillë eksodi i çifutëve në Bibël. Merreni me mend se sa pafat kemi
qënë dhe jemi. Cifutët kudo i lanë të lirë të ushtronin fenë e tyre dhe të
ngrinin edhe sinagoga, kurse ne na detyruan të ndryshonim emrat, të
pagëzoheshim dhe të ndyshonim edhe kombësinë.
Po edhe ata që ndenjën në atdhe nga të pafatët e brezit tim,
megjithëse ishin në moshën më të mirë për të drejtuar vendin, nuk arritën të
kishin ndonjë pozitë drejtuese veç disave që kishin qënë komunistë para
ndryshimit të sistemit, ose spiunë të Sigurimit. Politikanët më të susksesshëm
të brezit tim të pafat mbetën famëkeqët e kohës së studentllëkut Fatmir Hoxha
dhe Koço Kokëdhima. Në cili prej tyre ta përplasje kokën?! I vetmi i saktë,
Dash Shehi që arriti deri zv.kryeministër, u la më pas të drejtonte një parti
me 20 antarë të pafat dhe të akuzohej për “ngrënie plëndsi” nga kryeministri
Rama, që i përket pikërisht brezit pas nesh, që mund të konsiderohet me fat se
ka nxjerrë dhjetra ministra dhe ministresha, disa kryeministra dhe një qerre me
deputetë.
Të parët e “brezit më të pafat”, ata të lindur në vitin
1956, po dalin në pension dhe kudo që të jenë kanë vetëm gjysëm pensioni se nuk
kanë punuar vitet e duhura në asnjë vend. Gjysma e pensionit në Shqipëri është
diçka më pak se 100 euro, që jo vetëm nuk mjaftojnë për të dhënë rryshfet
gjykatësit më “të lirë“ në çështjen më të thjeshtë gjyqësore, por nuk arrijnë
as për një kurë fallco një javore ndaj Covid, që zakonisht ta sugjeron
farmacisti sharlatan i mëhallës. Ata mes “të pafatëve” që janë më me fat, nëse
sëmuren nga virusi vrasës shpëtojnë shpejt e shpejt pa shumë shpenzime dhe
nisen drejt banesës së fundit, ndërsa ata më fatkeqët cfiliten nëpër spitalet
vendase dhe të huaja dhe ikin pas dy tre muajsh duke lënë të afërmit edhe me
një barrë me borxhe. Këtë “kolerë“ biblike nuk e kishim provuar deri më tani
dhe që mos na mbetej asnjë merak, po e provojmë syptarembur, stoikë dhe
dinjitozë. Të varfër të këputur, por kokëlartë dhe plot imunitet.
C’kemi hequr dimë dhe se ç’na pret nuk e dimë, po si e kemi shkuar deri më tani si zor të kemi fat në të ardhmen. Shpresën e kemi për në botën tjetër, por dhe atje si zor të na pranojnë në xhehnem, se kemi qënë një kohë të gjatë ateistë!
No comments:
Post a Comment