Saturday, 25 September 2021

Kristo Floqi, Korça dhe KOKO festival.


Na kishte mbetur për vite të tëra një lloj përçmimi për figureën e Kristo Floqit, më shumë të ndikuar nga vargjet e Nolit “Topi i Klosit po pëlcet/ Fyti i Floqit po këlthet/ C’është ky sheqer kësmet/Hallvaxhinë e pamë mbret…” Nolin e besonim shumë më shumë se propaganduesit e Diktaturës ndaj mësuam fare pak se kush ishte në të vërtetë Kristo Floqi dhe se ç’farë vlerash kishte si dramaturg.

Kristoja ishte djali i dytë i një familje të pasur korçare, e cila banonte në lagjen Mantho, një nga “mëhallat” e vjetra rreth Mitropolisë. I jati, Vasil Floqi, lindi në Floq dhe prandaj mbante si mbiemër emrin e fshatit si shumë korçarë të shekullit të XIX. Ishte një nga familjet me kontribut shumë të madh patriotik dhe vetë Kristoja pat bërë shumë për Shqipërinë me gjithshka që kishte.

Po a e kujton Korça si duhet këtë korçar të madh?

Për fat të keq, në qytet ka një inerci postkomuniste për vlerësimin e figurave të lëna në heshtje nga Diktatura. Ndoshta jo për arsye politike, por nga padija dhe sepse nuk ka të afërm të Kristo Floqit të trokasin dyerve të Bashkisë për të pasur të paktën disa veprimtari në kujtim të tij. Në një shkrim të mëparshëm rreth emrit të teatrit të Korçës kam përmendur se Kristo Floqi duhet të jetë një ndër emrat që duhen konsideruar kandidatë për emrin e Teatrit, krahas Xhon Belushit, Sokrat Mios, Vangjush Furrxhiut, Pandi Raidhit, Piro Manit, Ruzhdi Pulahës etj.

Po a mund të bëhet kjo pa e njohur publiku korçar veprën e Floqit? Eshtë e pamundur.

Kristo Floqi ka shkruar dhjetra drama dhe komedi dhe është padyshim dramaturgu shqiptar më prodhimtar i para Luftës së Dytë Botërore dhe ndër më prodhimtarët e të gjithë kohërave, i krahasuar vetëm me korçarin tjetër, Ruzhdi Pulaha dhe Fadil Krajën. Nuk di nëse në ndonjë nga edicionet e KOKO festival është përmendur ndonjëherë Floqi, se për vënie në skenë të ndonjërës nga komeditë e tij nuk bëhet fjalë.

Festivali i Komedisë në Korçë duhet patjetër të përmbajë një komedi të Kristo Floqit në edicionin e tij të ardhshëm. Drejtuesit, regjisorët dhe aktorët e kanë për detyrë të njihen me veprat e tij, të ndërhyjnë artistikisht edhe në ndonjë pjesë të tyre që nuk i qëndron kohës për ta sjellë para publikut korçar dhe të gjithë teatërdashësve në trojet shqiptare. Nuk do i bëjnë nder Kristo Floqit, pasi figura e tij i bën nder Korçës dhe Festivalit të saj të Komedisë.

Mjafton pak më shumë njohje dhe vullnet i mirë.

No comments:

Post a Comment