(vijim)Nuk jam i sigurt se pse Kliti vendosi të mbushte bodrumet e
ndërtesës. Ishte ndoshta një këshillë konstruktorësh, se ai në përgjithësi kërkonte
të ishte sa më pranë ndërtimit fillestar. Me sa kujtoj ato ishin hapësira me gjysëm lartësie,
nga ku në kohët e funksionimit origjinal, duhej të hyej me qepek dhe ndoshta shërbenin
vetëm për mbajtje ushqimesh. Ndërtesa kishte patur shumë transformime në vite
dhe hyrja e saj me erker të mbajtur nga kollonat e gurit, duhet të ishte e
viteve ’30, pas tërmetit të madh. Shkalla gjithashtu nuk duhet të ishte në atë
vend, se nga fotot e vjetra ishte zbuluar se ndërtesa kishte një erker në anën
perëndimore, i cili nuk ekzistonte më. Erkeri ja shtoi shumë vlerat ndërtesës,
sidomos në pamjen nga bulevardi, se më parë kishte qënë një faqe monotone muri
e rrafshët me shumë dritare. Erkeri detyronte zhvendosjen e shkallës, të cilën
u munduam ta zgjidhnim, edhe në funksion të skemës së Muzeut, se nuk kishte
asnjë lloj shenje se ku dhe sim und të kishte qënë. Ndërtesa të asaj
tipologjije nuk ishin të shumta në Korçë për të përdorur metoda krahasuese. Pra
për të vendosëm të kishte dy rampa të vogla, në mënyrë që të lehtësohej lëvizja
nga e majta në të djathtë për të vizituar pavionet. Idea ishte që si vizitohej
pavioni i par, dy dhomat e bashkuara të krahut të majtë në hyrje, ngjiteshe në
katin e dytë dhe filloje nga e majta në të djathtë të vizitoje pavionet dhoma,
që ishin ndarë në Pavarësia, Periudha e Mbretërisë, Lufta nacional-clirimtare
dhe Vitet e para pasluftës. Pastaj zbritej poshtë dhe vizitohej Socializmi, që
ishte një pavion me dy dhoma të bashkuara. Ky ishte skematikisht Muzeu.
Pavioni i Parë,ai i Mësonjtores ishte më I rëndësishmi dhe më
tërheqësi. Paraqiteshin në fillim përpjekjet që shpunë në Shkrimi i shkruar, që
sollën hapjen e Mësonjtores dhe hyej në këndin e saj mësimor me një rrjesht
bangosh të vjetra me një dërrasë të zezë druri dhe në çdo bangë kishte nga dy
pllaka me nga një peronkoll sikundër mendohej se ishte bërë mësimi në ato kohë.
Bangot ishin ekzistuese dhe duhet të jenë realizuar në fund të viteve ’60, kur
ishte bërë për herë të parë shkolla-muze. Eksponatet origjinale nuk ishin të
shumtë, e megjithatë projektuam vitrine për ekspozimin e tyre në çdo pavion,
dhe me sipërfaqe të madhe, për të dhënë mundësi të shtimit të eksponateve në të
ardhmen.
Për të pasur disa pika tërheqëse vendosëm, që edhe pse të
kursyera të kishim 3-4 vende më të dukshëm, që të tërhiqnin vëmendjen e
vizitorit. I pari dhe më i domosdoshmi ishte ai që u quajt me shaka “momenti
kryesor”, në të cilin duhej si kusht të vendosej fotografia e madhe e Enver
Hoxhës. Nuk donim të ishte thjesht fotografia e tij, sepse kështu bëhej në çdo
lloj ekspozite, por ne donim të kishte një specifikë të lidhur me gjuhën shqipe
dhe u mendua të krijohej një lloj instalacioni i fotografisë me elementë të
tjerë qeramike ose guri, që të simbolizonin se si u arrit nga përpjekjet për
karaktere të hershme të huazuara nga shkrimet arabike e cirlike në karakteret
latine. Kliti u mor gjatë me “momentin kryesor” deri sa u arrit në një nivel të
pëlqyeshëm dhe paraprakisht u realizua në masën 1:1 në polisterol e më vonë u
realizua në gur shtufi i mbajtur nga një konstruksion metalik. Mbi të varej me
profile të lehta metalike fotografia e Enver Hoxhës me një nxënëse në një sfond
pleksiglasi, që nuk bllokonte pamjen e perspektivës të zhvillimit të
shkronjave. Për fat të keq kam parë që atë instalacion e kanë nxjerrë tashmë
jashtë ndërtesës në një vend ku as lexohet dhe as kuptohet.
Përsëri në hyrje, në të majtë, realizuam një faqe muri me
gurë çmërçI dhe shtufi, ku ishin gdhendur shenjat e para të gjetura në tumat
ilire, për të treguar që përpjekjet e shqiptarëve autoktonë për të shkruar
kishin qënë që në antikitet. E më pas vazhdohej me Mesharin e Buzukut e me
rradhë. Kur pata hyrë më 2004 në hyrjen e Muzeut, pa patur dëshirë të shikoja
lart, pashë se holli i hyrjes kishte mbetur i pandryshuar. Kuptohet që kishte
nevojë për rifreskim dhe ndoshta edhe për rikonceptim të përgjithshëm që mund
të ndryshonte gjithshka dhe edhe unë po të isha ngarkuar për të, pas 20 vitesh
do synoja për një Muze të konceptuar totalisht ndryshe. Muzeu nuk kishte sipërfaqe
për të qënë “Muze i Arsimit Kombëtar”, por duhej të përqëndrohej vetëm në përpjekjet
për gjuhën dhe arsimin shqip deri në formimin e Shtetit Shqiptar. Për arsimin
shqiptar mund të ngrihej një muze i madh gjetkë, ose të ishte i shpërndarë në muze
Universitetesh, e në çdo mënyrë që mund të konceptohej i copëzuar në shtëpi
muze.
Për tu kthyer në “historia” e vitit 1986-87, në muajt janar
dhe shkurt puna “ndërtimore” u itensifikua se jo vetëm punimet restaururuese
nuk ishin mbyllur, por duheshin bërë rashinimet e dyshemeve, lyerjet e gjithë
siperfaqeve të drunjta me vaj lini dhe mureve me bojë, për të mundur të nisnim
montimin e stenda-vitrinave dhe gjithë fotografive të mëdha dhe veprave të
artit , që ishin menduar. Ato muaj u realizua edhe ABC-ja e njohur, e cila për
fat ishte jashtë dhe nuk ndikonte në punimet e interiereve.
Kam shkruar që idea ime në fillim kishte qënë, që në një
piedestal të ulët, si ai ku u vendosën gërmat, të ngriheshin shtatoret e
bronxta të tre mësuesve të parë. E shihja të domosdoshme, jo vetëm për të
nderuar emrin e tyre, por edhe për të dhënë një atmosferë të ditës së parë, se
si i kishin pritur të parët fëmijë korçarë. Muri I avllisë tashmë ishte prishur
dhe kishim vendosur të rrethohej me rrethimin me gurë e kangjella, që del nga
natyra e restaurimit, por krijonte një pamje më të mirë të objektit dhe në
kompleks futej edhe oborri me pusin, si dhe grupi skulptural. Kliti në
rrethimin me kangjella donte të kishte statueta metalike mbi kollonetat
metalike, ide e krijuar bashkë me skulptorin Ladi Kaçaku, por mua më dukej e
panevojshme dhe që dilte nga natyra e ndërtimeve të Korçës dhe ai u tërhoq.
Idea për tre mësuesit e parë u kundërshtua çuditërisht nga Avni Bilbili, i cili
vinte në takimet ku diskutoheshin idetë e para, bashkë me Cikopanin dhe Kico
Melon. “Mos bëjmë këtu Oborrin e vjeljes së taksave” tha Avniu, duke ju
referuar një kompleksi të madh skulpturor kinez dhe ne nuk këmbëngulëm. Më
vonë, kur mendoja se pse Avniu, që ishte pro skulpturave edhe si artist, por
edhe si punë e shpërblyer për skulptorët korçarë e kundërshtoi me forcë.
Spjegim tjetër nuk gjeja veç, një gjë që nuk na thuhej nga funksionarët, që për
miratimin e shtatoreve në mjedise publike duhej miratimi i Komitetit Qëndror të
Partisë.
Atëhere diskutuam se ç’mund të vinim në hyrje që të
simbolizonte përpjekjet e para për gjuhën shqipe dhe rëndësinë e gjuhës së
shkruar. Kliti hodhi një ide fillestare, e cila ishte shumë larg të sotmes dhe
më pas përgatitëm skicat finale të kompleksit që u realizua. Kliti e ndoqi me
shumë përkushtim realizimin e pendës dhe bazamentit, se për gërmat dhe
kallamarin ishte më e lehtë të bëheshin nga Taqi Veriga dhe grupi i
gurgdhëndësve të komunales, që kishin shumë përvojë. Për pendën patëm kërkuar
si karpentier Pavllo Papën, me të cilin kisha bashkëpunuar në Lapidari i
Cifligut dhe ja njihja aftësitë prej karpentieri artist. Nuk di se në ç’objekt
ishte i angazhuar Pavlloja dhe i vëllai i tij Ligori, që nga Ndërmarja e
Ndërtimit na u dha një karpentier tjetër, po që ishte vërtet karpentier i mirë.
Grupi skulpturor doli shumë mirë, veç një gabimi që bëmë, se gërmat nuk i
fiksuam në bazament dhe shpesh herë, nëpër vite, shihja që i kishin lëvizur
edhe pse ishin shumë të rënda. Problemi tjetër i oborrit , që nuk e zgjidhëm
dot, ishte ai i shtrimit me pllaka betoni, se nuk gjendeshin dot plloça guri, të
cilat ishin karakteristike të oborreve të Korçës dhe që e konsideronim të
domosdoshme. Nuk kishte më kavë për atë lloj guri ndaj u bë zgjidhja me pllakat
e prodhuara nga Komunalja, të cilat i kam patur peng sa herë i shihja.
(vijon)