Thamë që kalamanin e nisur në rrugën për tu bërë rinok, mos e quajmë Emil po Olsi, se nuk duam t'i përngjasë atij të Rusojt.
Olsi ka dhëmbë kataroshë, mban syze dhe së shpejti do mbushë 6 vjet e do futet në shkollë në Shqipëri, Greqi, Amerikë ose Kanada, se atje jeton bashkë me prindërit e tij shqiptarë, por që mund të jenë fare mirë një shqiptar dhe një i huaj. Olsi është me fat se i jati (mund të jetë shqiptar, po aq sa mund të jetë grek, italian, amerikan apo kanadez), ka një punë që paguhet mirë. E jëma, ka punuar pak orë nga kompjuteri i shtëpisë dhe më të shumtën e kohës e ka kaluar me Olsin duke e shpënë në dentisti për ti vënë "dhëmbëdrejtueset" dhe në okulisti për të gjetur numurin e saktë të lentes për syrin e djathtë, që nuk i përngjet lentes së syrit të majtë. Në Shqipëri dentisti dhe në Greqi okulisti, janë rrekur të flirtojnë me nënën e Olsit, e cila është plot hire, por ajo i ka ndalur me vështrime të ftohta e të palëkundura. Në Amerikë dhe Kanada nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Olsi ka kaluar pjesën më të madhe të ditës, në dhomën e tij ku i ka të gjitha: lodrat, televizorin, akuarelet, DVD-te me filma vizatimorë, videolojrat, dhe një kitarë, të cilën ja ka blerë i jati për Krishtlindje. (Atij s'i pëlqeu që prindërit bënë fjalë për kitarën, se e jëma kishte menduar kur të fillonte shkolla të niste edhe kursin e pianos, ndërsa babai donte të mësonte kitarën, që ai e kishte patur dikur ëndërr, por nuk ja kishin blerë.)
Nuk kishte shumë dëshirë të largohej nga "mbretëria e tij"dhe të shkonte në shkollë, edhe pse shpesh mërzitej duke ndenjur vetëm me të jëmën në shtëpi, ose duke e shoqëruar , kur blinte ushqimet ose të tjera gjëra që i duheshin familjes së vogël prej tre vetësh. Hë po, në Amerikë e Kanada, kalonte një pjesë të kohës në pjesën e gjelbërt pas shtëpisë, ndërsa në Shqipëri dhe Greqi në ballkonin e madh të dhomës së tij. (Prej aty kishte parë një ditë një vajzë të rritur, që bënte banja dielli dhe përkëdhelte shpesh pjesë të trupit të saj thuajse lakuriq, por për këtë do tregojmë kur të flasim për edukimin seksual të Olsit.) E jëma i kishte thënë gjithë gëzim, se me të filluar shkollën do fillonte edhe stërvitjen me ekipin e futbollit, e cila do rregullohej të bëhej jo në ditët kur do shkonte të bënte kursin e kitarës. Mësuesja që do i mësonte anglisht në Shqipëri e Greqi dhe spanjisht në Amerikë e Kanada, do vinte dy herë në javë në shtëpi. Kjo ishte bota e re dhe e bukur në të cilën do hynte Olsi në shtator dhe që atij i dukej e frikshme. Sidomos pjesa e shkollës dhe e futbollit.
(vijon)
No comments:
Post a Comment