Ai nuk e di edhe si do jete shkolla ku do e shpien. Kushërira e tij Ana, që është e vetmja, që vjen më shpesh në shtëpi dhe hyn edhe në dhomën e tij, shkon në një shkollë private, ku ka edhe për të ngrënë, po nuk ka makinë që nxjerr çipse dhe koka-kola. Ajo vesh në shkollë edhe një jelek të thurrur, me një stemë që tregonte një kristal bore dhe një fund të pathurrur dhe është jo vetëm e lumtur e krenare, po do edhe Olsi të vijë në të njëjtën shkollë me të. Edhe pse nuk i pëlqen jeleku i thurrur me stemë dhe as pantallonat e pathurrura, Olsi mendon që do ishte më mirë të ishte në një shkollë ku njeh dikë, me të cilën ka qënë disa herë në të njëjtën banjë për të bërë pipinë, se sa me fëmijë të tjerë që nuk i njeh fare. (Që kur kishte qënë tre vjeç, kishte frikë të shkonte në banjo të mëdha publike. Kishte qënë me të jatin në një banjo të një plazhi në Varadero, Durrës, Kretë apo Kejp Kod dhe diçka e kishte tmerruar.)
Ai nuk di se dhe prindërit e tij nuk dinë se në ç'shkollë ta shpien. Bile ata nuk bien në një mendje me njëri tjetrin se ç'farë është më mirë të bëhet kur të rritet. I jati do të bëhet këngëtar, bile në fillim edhe mund t'i lejohet edhe të jetë pjestar i një grupi roku apo repi, ndërsa e jëma këmbëngul që Olsi duhet të bëhet doktor. Vetë ajo kishte shkuar deri pranë diplomimit dhe më pas ishte martuar, kishte lindur dhe emigruar në Greqi, Amerikë ose Kanada. Po të mos kishte emigruar do kishte marë diplomën duke paguar për provimin e fundit, dhe do punonte nga shtëpia për një studim që financohej nga Bashkimi Europian. Nuk mund ta linte të birin të rritej nga të tjerë dhe sidomos nga e jëma e të shoqit, të cilën çuditërisht nuk e donte. Në të kundërt, i jati mendon, që i biri i ka të gjitha cilësitë për tu bërë këngëtar i famshëm, nisur edhe nga një konstatim i së jëmës, kur Olsi i vogël klithte me sa kishte në kokë, që kishte thënë "Të gjithë ata që bëjnë si çakej në vegjëli, bëhen këngëtarë me famë!" Për më tepër, shton ai, Olsi nuk ka zemër për të parë të tjerët të vuajnë ose më keq akoma të ekzaminojë imtësisht pjesët e tyre të trupit, por për këtë të fundit ajo e fajëson atë vetë, se kishte qënë i pakujdesshëm kur kishin qënë në banjon publike , kur Olsi ishte vetëm tre vjeç. Në favor të tezës së të ardhmes së sigurt në mjekësi, ajo përmend vëmendjen që i vogli kishte treguar gjatë vizitave në dentisti shqiptar dhe okulisti grek, ndaj mjeteve dhe aparaturave që përdorin mjekët specialistë.
Mospërputhja në idetë për të ardhmen e birit të tyre të vetëm, sjell edhe mospërputhjen për shkollën ku do e rregjistrojnë. E jëma këmbëngul ta shpien në shkollën private, ku shkon vajza e gocës së tezes të saj, ndërsa ai mendon që shkolla publike është me i mira për të zhvilluar kapacitetet artistike, dhe sjell shpesh edhe shembullin e vajzës të një shoku të tij të punës, që ishte cilësuar "talent i jashtëzakonshëm në aktrim" dhe që kishte ndjekur një shkollë fillore tepër publike. Cuditërisht nuk ju shkon ndërmend të pyesin Olsin në ç'shkollë do të shkojë, duke menduar që është ende i vogël për të gjykuar se ç'është mirë për të e për më tepër, disa herë, kur e kishin pyetur miqtë e tyre se çdonte të bëhej i rritur, kishte thënë "kuzhinier". Për të mos e dërguar në shkollë, as që e shkonin ndërmend.
(vijon)
No comments:
Post a Comment