Wednesday, 14 December 2011

Dimri i terrorit (vijim I)

Pasditja e asaj dite te vrejtur ishte edhe me e rende. Te kthyer ne shtepi, prane tavolinave te bukes, njerezit tregonin te tmerruar se c'kishte ndodhur ate mengjes nentori. Nuk besoj se kishte njeri qe mos kishte njohur te pakten nje nga familjet e internuara. Ime me tregonte e zbardhur ne fytyre, se si me 7 pa nje cerek, kur ngjitej per ne pune, nuk kishte guxuar as te afrohej ne dera e kusherires se saj  te pare, ku prane kamionit te mbushur me placka, kishte civile dhe ushtare, qe nuk te linin te afroheshe. "Kush t'ja u kete bere kete te keqe?"ishte refreni ne shumicen e familjeve per pjesen me te madhe te te internuarve, pa thene me plot goje, ose pa e shkuar ne mendje se ishte diktatura vete ajo qe ja u bente. Disa ore me vone, hollesi me te tmerrshme mesuam per te afermit tane. I kishin ndare ne dy fshatra ore larg nga njeri tjetri. Degaxhinjte(qe ndoshta s'kishin gje ne dore)nuk donin te degjonin as per lutjet e nenes 65 vjecare, qe kerkonte ta internonin me djalin e madh, i cili ishte i semure. Pas dy muajsh, ai, nje nga njerezit me  te mire qe kam njohur, vdiq ne spital, duke patur prane vetem disa nga njerezit me te afert. Ishte 43 vjec dhe nuk dihej nese do kishte edhe shume vjet jete apo jo. Shoket e shumte qe kishte, nuk guxuan as te shkonin per t'i dhene lamtumiren e fundit, por shkonin fshehur pas varrimit e qanin me te afermit e tij per ate fat te keq.do ndalem me tej, per ate pasdite te hidhur dimri, se dua te rikthehem ne terrorin qe ndjehej ne adoleshentet, qe nga natyra jane edhe me te thyeshem, por dhe qe harrojne me shpejt rrezikun dhe pasojat qe mund te sjelle.
Kurioziteti i diteve te para, pas shkrimit te parrullave dhe lajmet e rreme se kane qene 10-15 veta, ose grup i organizuar i ardhur nga Tirana, u lane menjane dhe jeta rihyri ne rrjedhen normale. Pasditet dhe mbremjet e ftohta te nentorit i kalonim si zakonisht, djemte ne xhirro, ping pong dhe ne ndonje qoshe duke folur per vajzat dhe keto, si me te kufizuara, ne shtepite e njera tjetres e ndonje xhirro te shkurter pasi kishin bere detyrat e te nesermes. Kishim filluar te ndiznim fshehurazi ndonje cigare, ndersa vetem shume pak prej nesh, ne mbremje vone, shkonin ne shkolla te benin paralele. Ato perpjekje, sot do ja u kishin zili ndjekesit e shumte te palestrave fitness. Ne nje nga ditet e para te nentorit, kater nga ne i thirren te benin roje ne shkolle, nje praktike e paaplikuar deri ne ate kohe. Ne ishim te paret "fatlume" qe do nisnim nje tradite te gjate ruajtje dhe gallate, fjetje mbi banga dhe numurim pllakash, te vrapuara ne shkollen e zbrazet dhe degjim radiosh dore ne stacionet e huaja.
Dy te paret do benin roje prej ores 3 deri me 11 dhe te dytet 11 deri me 7. Instruksionet qe na dha drejtori i degjuam veresie, se as na shkonte ne mendje se mund te shikonim apo zinim te tjere parrullashkrues, por ishim te gezuar se do luanim sa te dendeshim ping-pong ne tavolinen qe ishte ne hollin e madh te shkolles.tani e mendoj, qe perzgjedhja ishte krejt e rastesishme, se ndersa shoku im i turnit kishte te jatin komunist, njeri nga ndruesit e kishte patur ne burg per agjitacion dhe tjetri vinte nga nje familje e pasur korcare. Pergjegjes per dezhurnin do ishte nje pedagog frikaman i fiskultures, i cili gjithashtu duhet te ishte zgjedhur krejt rastesisht. Pas largimit ne mbremje vone te drejtorit pardesytundes me nje shpure servilesh nga pas dhe refuzimit te tij per te luajtur ping-pong, rinim ne nje dhome te vogel, qe sherbente si salle mesuesish, me te ndjerin fiskulturist frikaman qe donte te flinte. "Po ju pse s'luani ping-pong"na pyeti. Aq deshem dhe u leshuam, morem tavolinen lart ne hollin prane palestres qe mos na shikonin nga komiteti ekzekutiv dhe u dendem me ping-pong deri sa erdhen shoket tane ndrues. Ju thame qe drejtori nuk deshte dhe duhej ta zbrisnin tavolinen poshte para se te vinin pastrueset e shkolles. Ikem te dy me shokun tim te flinim te kenaqur pas 4 ore e ca ping-pong, ku me siguri ai do me kete shqepur se ishte i mire ne gjithe sportet. Te nesermen, me mbarimin e ores se pare perfunduam ne mbledhjen e jashtezakonshme te keshillit pedagogjik, ne nje si lloj "gjyqi" per fajin e bere. Si edhe nje viti me pare, une isha i akuzuari kryesor si "kapobande" per tre krime "Mungese vigjilence, Thyerje te urdherit te drejtorit dhe Demtim te pasurise socialiste". U ngrita, dhe si zakonisht derdellisa fjale kot, ku nuk mernja gje persiper, ndersa dy shoket ndruesa, qe nuk i kishin rezistuar dot tundimit per te luajtur gjate dhe ishin kapur nga Fatimja duke zbritur tavolinen poshte me nxitim, rrinin pa bere ze. Shoku im ishte nje djale shume i pergjegjshem dhe i drejte dhe mbi te zakonisht nuk binin akuza. Pas justifikimeve per te ardhur keq te pedagogut frikaman, na nxoren jashte dhe ne pushimin e madh u komunikua verejtja me paralajmerim per thyerje note ne sjellje vetem per mua. Me kishte shpetuar nga ulja e notes, profesorja kujdestare, qe ishte e mencur e trime, e qe te them te drejten na e bente rrup-sup. Nuk di nese me kishte mbrojtur se e quante jo te drejte, apo se ndjente qe ne situata te tilla nuk ishte mire te kishe nje lloj mase disiplinore ne kurriz. Ne, adoleshentet qe kishim shpetuar paq ndjeheshim te gezuar dhe une akoma me shume se isha trajtuar si kapobande dhe mund te mburresha mes shokeve dhe shoqeve si "cool". (Pak a shume sic po bej tani). Po stina e terrorit sa kishte filluar. Per gjithe qytetin dhe disi edhe per ne gjashtembedhjetevjecaret qe fluturonim me presh ne ato vite.
(vijon)

No comments:

Post a Comment