Friday, 16 December 2011

Parashikime te erreta.

10 VJETET E ARDHSHME TE BALLKANIT


100 vjet më parë Ballkani ishte përfshirë në vorbullën e luftrave të ashtuquajtura ballkanike, nga të cilat u përcaktuan kufijtë e 6 shteteve: Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë,Greqisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Të nisura si luftra midis shteteve të pavarura gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIX dhe Perandorisë Otomane, më vonë ato përfunduan si luftra ndërmjet Bullgarisë në njërën anë dhe Rumanisë, Serbisë dhe Greqisë në anën tjetër për zona të diskutueshme. Përfundimi i Luftës së Parë Botërore, solli një përcaktim më të qartë të kontureve të Ballkanit edhe si pasojë e rënies të një Perandorie tjetër, asaj Austro-Hungareze.
Nuk është e thënë që pas një shekulli, problemet e Ballkanit të rihapen, sepse historia e popujve dhe vendeve nuk funksionon në mënyrë periodike. E megjithatë, ngjarjet e fundit në Europë dhe në Ballkan dhe kriza e zgjatur që pritet, të bën jo vetëm të mendosh, por edhe t'ju trembesh ekuilibrave shumë të brishta. Më shumë se një "fuçi baruti", Ballkani i sotëm i ngjan një kazani me një çorbë të qelbur, e cila vlon e vlon deri sa të shpërthejë.
·        Papunësia - eshtë jo vetëm më e larta në Europë, por në shumë vende dramatike. 45% ne Bosnjë, 40% në Kosovë, 32% në Maqedoni, mbi 20% në Sërbi dhe afër 20% në Greqi. Vetëm tek ne, ku gënjejmë veten tonë ështe 14%!
·        Borxhi publik- Në shkallë të paimagjinueshme në Greqi, Kroaci dhe disi më pak në vendet e tjera. Me siguri shumë i lartë edhe tek ne, ku ndërtohen rrugë e tunele më të shtrenjtë se kostoja reale.
·        Korrupsioni- E panevojshme të komentohet.
·        Problemet etnike- Të vjetra, të gërshetuara, të manipuluar nga politikanët bastardë janë ndërmjet të gjitha vendeve ballkanike pa asnjë përjashtim.
·        Krimi i organizuar - I pranishëm në të gjithë vendet dhe nje nga fushat e pakta ku problemet etnike kapercehen, ose nuk ekzistojnë. Bandat koordinohen me njëra tjetrën dhe shpesh ekzistojnë rrjete shumëkombëshe.
Në vija të trasha, kjo është gjendja e Ballkanit sot. 5 vende anëtarë të Bashkimit Europian, vetëm dy në Eurozonë(njëri në rrezik të përjashtohet) dhe 6 antarë të NATO-s.
Si mund të mbahet në kontroll e gjithë kjo hapësirë turizmi, rrugë trafiqesh ilegale, fisesh të pasur e mafiozë, administratash e gjykatash të korruptuara?
Përgjigja është shumë e vështirë. Edhe ajo që dukej se mund ta mbante në zap, Europa nuk di se si të ngrerë sot poturet e rëna të saj.
Gjendja apatike dhe fataliste e vetë popullsive të vendeve të Ballkanit, e bën më të frikshme të ardhmen. Duke përjashtuar Slloveninë, kudo mund të pëlcasë!
Zoti e shpëtoftë Ballkanin në 10 vitet që po vijnë!

No comments:

Post a Comment