Thursday, 8 December 2011

Kreu IV i "Perdhunimit"

                                    HOTEL ADRIANA

           
Nga Këmbanarja e Vjetër, e cila në shekuj ishte quajtur  Qendra e vërtetë e qytetit, po të ecje pesë-gjashtë minuta ne veriperëndim dhe të kaloje bllokun me apartamente te parafabrikuara, do dalloje një reklamë vertikale, e cila fillonte në katin e katërt  të një ndërtese të bardhë, të suvatuar thjesht dhe zbriste deri në të dytin. Me gërma gotike ishte shkruar HOTEL ADRIANA. Në katin përdhe binte në sy hyrja për në restorant, e cila shërbente edhe si recepsion. Në të djathte dallohej një lulembajtëse e madhe betoni dhe një kabinë telefonike. Fred Metani nxitoi të hynte për t’ju shpëtuar kamerave të shumta, që ndonëse larg, ishin  drejtuar  në katin përdhe të hotelit.
             Punonjësit duhet të ishin në ndonjë nga mjediset e kateve të sipërm dhe në  restorant shiheshin vetëm oficerët e “Task Force”. Fredi pyeti njërin prej tyre për Shefin. Pastaj mori të ngjitej në shkallën e ngushtë spirale, e cila të shpinte në katin e dyte. Shkalla ishte tejet e ngushtë dhe mendoi se si mund të ngjiteshin dhe zbrisnin klientet bullafiqe. Në fund të tyre u përball vetëm me mure të bardhë e të pjerrët, që nuk të linin të kuptoje se ç’drejtim duhej marë. Nuk kishte asnjë derë. Për disa çaste qëndroi duke hamendësuar se si mund te dilte nga ky holl idiot, pastaj vazhdoi disa hapa në të majtë drejt nje qosheje, e cila shquhej më tepër se të tjerat nën efektin e një drite, që shuhej dhe ndizej. Qoshja hapej në të djathtë dhe të shpinte në një lloj vestibyli trekëndor. Në çdo mur kishte një derë të bardhë. Uli dorezën e të parës dhe e shtyu. Ishte e mbyllur. E dyta u hap dhe mes tymit te duhanit dalloi ulur drejtorin e Shërbimit Inteligjent, shefin e tij dhe major Kaçin, zëvendësdrejtorin e dytë të SHI-ut, si thirrej shkurt Sherbimi Inteligjent i vendit. E pane me një lloj indiference dhe pa i folur, e ftuan te ulej ne kolltukun e lire. Shefi filloi të fliste, pa zënë vend Fredi.
            - Po të them shkurt ç’ka ndodhur. Në dhomën 34, në katin e tretë të hotelit, jetonte  javët e fundit Leon Gurazi. Rreth orës 2 të mëngjesit, dikush ose disa janë munduar ta dhunonin seksualisht. Si rrjedhojë ai është plagosur në organet seksuale dhe ka patur shumë hemoragji. Eshtë gjetur i lidhur në shtrat në gjendje kome nga manaxheri i hotelit i cili ka njoftuar SHI-un. Gurazi është transportuar menjëherë në spital… Grupi Special i Hetimit do jetë i të dy institucioneve dhe do kryesohet nga Major Kaçi dhe ti. Nuk ka kohë për të humbur. Mund të ngjitesh të shohësh dhomën. Fotografi të viktimës në shtrat nuk janë bërë. Njerëzit i keni ketu. Klientët, punonjësit e hotelit dhe ndihmësat tuaj. Tundu Fred se kemi humbur më shumë se një orë deri tani…
            Fredi kuptoi, që nuk ishte kohë e përshtatshme për të pyetur. U ngrit dhe priti të bënin të njëjtën gjë dhe të tjerët. I vetmi që lëvizi ishte Major Kaçi. Dy të tjerët qëndruan me sytë ulur mbi shënimet e tyre, si për të mos lejuar asnjë pyetje apo diskutim për ç’ka ishte thënë. Majori hapi derën e dhomës dhe i bëri shenjë Fredit ta ndiqte. Në njerin nga cepat e vestibylit trekëndor, fillonte një shkallë e pjerrët që të shpinte në katet lart. Përsëri  shkallë vetëm për një kalues. Fredi priti deri sa majori të arrinte afër majës dhe pastaj filloi të ngjitej, për të shmangur tundjenn para hundës së tij të revolverit në këllëf, mbi mollaqet e majorit. E prisnin shumë të papritura jo të këndshme me të zotin e armës, ndaj deshi t’i shtynte sa më shumë të ishte e mundur. Kishin arritur para derës së dhomës 34 dhe përshëndetën policin roje. Pastaj Majori uli dorezën dhe nga dera e hapur u duk një masë e madhe ngjyre e kuqe e errët, që spikaste mbi shtrojet dhe muret e bardhë. Ishte gjaku i Leon Gurazit. Nuk i kishte qëlluar shpesh të shihte këtë lloj përgjakjeje. Mendoi se duhet të ishte e zakonshme në spitalet fushore gjatë luftrave të fundit. Pastaj u mundua të kapë me sy ç'kishte të veçantë në dhomë. Kompjuteri portativ mbi tavolinë, disa dosje dhe libra të mbivendosur, një palë çorape të flakura nën karrige, një shishe e përgjysmuar me një lëng pa ngjyrë, ndoshta raki dhe asgjë tjetër. Të gjitha këto në sfondin thjesht të bardh të dhomës dhe të ngjyruar lehtë në rozë nga reflektimi i stërnjollave të gjakut të mpiksur. Në brinjët e drunjtë të kresores dhe këmbores të shtratit, binin në sy një rrip mesi dhe tre pjesë mbulesash, që duket se kishin shërbyer për ta mbajtur të lidhur viktimën gjat torturimit. Fredi e kapi veten në gabim, kur i shkoi ndërmend nxitimthi tortura. E kishte mësuar veten mos i jepte krahë fantazisë gjatë hetimit, por të përqëndrohej tek imtësitë. Për mos gabuar. Kjo kishte bërë të ishte më i sakti në përcaktimin e pistave.
            - Këtu u gjend në komë në orën 4 e 52 minuta. U lajmëruam menjëherë dhe në orën 5 e 8 minuta ishim këtu bashkë me Ndihmën e Parë. E nisëm në spital pas 4 minutash dhe ka arritur atje më 5 e 23. Më 5 e 36 e futën në sallën e operacionit. Kohë rekord. Me 6.06 kam marë në dorë drejtimin e hetimeve dhe filluam të pyesim të gjithë personelin dhe klientët e hotelit. Me 6 e 10 janë bllokuar rrugët, që të nxjerrin jashte qytetit. Me 6 e 15 edhe aeroporti… Kemi 5 ore e gjysëm në punë itensive.
            - Ngadalë të lutem Major. Më thuaj kush e gjeti më 4 e 52?”
            - Manaxher Tafili, bashkëpronar i hotelit.
            - C’farë dëgjoi ose pa, që hyri në dhomë?
            - …Ishte një kontroll rutinë, që e bën gjithmonë gjatë turnit të natës. Dera e dhomës ishte gjysëm e hapur.
            - Ai ose roja kishin parë a dëgjuar gjë të pazakontë?
            - Nuk rezulton gjë e tillë. Roja flinte në kolltukun e hollit.
            - Ka dalje te tjera hoteli?
            - Dera e pasme e furnizimit të restorantit. Ka qënë e kyçur.
            Major Kaçi jepte serbes përgjigjet duke e parë hetuesin me një lloj përçmimi, sikur t’i thoshte, që këto pyetje duheshin bërë pesë orë më parë, atëhere kur vigjëluesit punojnë dhe juristët e përkëdhelur zdërhallen në kushedi se ç’shtrate.
            - Askush nuk ka dëgjuar as edhe një zhurmë të vetme?
            - Nuk mund të thuhet saktësisht se nuk kanë degjuar. Diçka mund të ketë dëgjuar Manaxheri… Mund ta pyesësh atë për hollësitë.
            - Pse u lajmërua SHI-u dhe jo policia?
            - Këtë pyetje mund t’ja bësh Manaxherit. Unë di që kemi vepruar rrufeshëm, në përputhje me të gjitha dispozitat ligjore. Menjëherë kemi lajmëruar edhe policinë…”
            - Major, unë dua të kuptoj se ç’ka ndodhur. Nuk kam ndërmend të ve në dyshim veprimet tuaja… Pati ndonjë arsye përse nuk u bënë foto të viktimës në vendngjarje?”
            - Vetë cilësitë e veçanta të personit të dëmtuar, i jepnin përparësi ndimës të menjëhershme dhe jo proçedurës të veprimeve në vendngjarje.”
            - Cilët janë pjestarët e grupit të hetimit?
            - Nga ju Berti dhe Alba Demaj. Nga ne, toger Afrim Shano dhe nëntoger Ilir Zina. Bertin e kam dërguar në spital për të ndjekur gjendjen e Gurazit e për ta pyetur po qe se del nga koma, Afrimi dhe Alba po vazhdojnë me pyetjen e personelit, ndërsa Ilir Zina po merret me dokumentacionin, në Zyren Elektorale të Leon Gurazit.”
            - Kush i mban lidhjet me policinë?”
            - Unë. Edhe me Task Force.
            - Mirë… Po filloj me pyetjen e  atyre, që ndodheshin mbrëmë ne hotel. Më jep të lutem kopjet e proçes-verbaleve.”
            - Janë të gjitha në video-regjistrues. Veç të parës, asaj të manaxher Tafilit. Grupi teknik nuk kishte arritur ende. Kam mbajtur shënime të sakta… Mund t’ju bësh një kopje.
            - Mirë. Më vonë… Po qe se e sheh te mundshme, shiko kush është më i lirë nga Grupi, për të marre nga Teleceli listën e bisedave telefonike, që ka bërë Leon Gurazi tre ditët e fundit.
            “…Këtë e kisha menduar ta bënit ju, por po i them nëntoger Zinës si të mbarojë me Zyrën elektorale të Gurazit.”
            - Në rregull. Une po shkoj të pyes Manaxherin.”
            - Më parë do ishte mirë të përcaktonim një rradhë veprimesh, në bazë të dy pistave që kam përcaktuar. E para është ajo e një krimi politik të menduar gjatë dhe të ekzekutuar mirë nga segmente të opozitës ekstreme në bashkëpunim me një shërbim sekret të huaj, ndersa e dyta ajo e një shpërthimi momental nga një homoseksual i fyer rëndë.
            Fred Metani filloi të humbte durimin. Ndjeu duart, që filluan t'i dridheshin, ndaj shtrëngoi nofullat dhe e pa drejt në sy bashkëfolësin. Qëndroi ashtu gjatë duke pritur tjetrin të ulte sytë ose të shtonte diçka tjetër. Major Kaçi nderi një gjysëm buzëqeshje ckërmitëse dhe e vështroi me qesëndi hetuesin. Kishte arritur ta nervozonte.
            - Dëgjo Major. Unë do ju kthehem pistave tënde dhe çdo lloj çudie, që mund të të ketë shkuar në mend, pasi të jem njohur me faktet. Do jem poshtë për të pyetur manaxher Tafilin…” -tha Fred Metani duke e detyruar veten mos shpërthente dhe doli me nxitim nga dhoma 34.

           
           

No comments:

Post a Comment