Më ka rënë në sy, që gjuha e njerëzve në Shqipëri është ndikuar shumë nga gjuha e përdorur në media dhe kryesisht nga politikanët. Ndodh disi e kundërta e asaj që ndodh në Amerikëm e Veriut, ku gazetarët, politikanët e analistët mundohen të përshtatin një gjuhë të qartë e të kuptueshme për teleshikuesin, dëgjuesin apo lexuesin mesatar. Më vinte për të qeshur, kur pyesnja një 72-vjeçare dhe më përgjigjej "Nuk ju është dhënë akoma drita jeshile...", apo një mësuese 40 vjeçare, që disa herë gjatë një diskutimi që bënim në kafene më theshte "Po nuk është i tillë aspekti o zotëri!". "Unë e mbështes projektin e filan grupimi politik", " kam mendimin që disgresiviteti përkatës duhet..." apo "i mbetem borxh mikut tim për atë mëngjes-mrekulli që na krijoi" i dëgjoja nga njerëz me të cilët pija kafe ose ndonjë pije alkolike gjatë ditëve të fushatës zgjedhore 2011. Në muhabete kafenesh!
Dukej që një pjesë e mirë e njerëzve ndjeheshin si në studiot televizive, ku fjalitë e gjata e të pakuptueshme, plot me klishe dhe fjalë të huaja nuk rreshtin.
Më duhet të bëj me faj kryesisht dy njerëz për këtë: Nanon dhe Ramën. I pari krijoi prototipin e fjalive të gjata, me shumë veprime brenda tyre dhe që kur vinte fundi harroje se ku kishin nisur. E bënte qëllimisht për të impresionuar dëgjuesit apo për tu mbrojtur pas mjegullës të atyre që kishte thënë, këtë nuk e kam kuptuar deri më sot.
Shembullin e tij, me fjali më të gjata e më të çoroditura e ndoqi Rama, i cili në mënurë të cuditshme ndryshoi stilin e të shkruarit, që kur hipi në fron. Pasuesit e tyre në forumet e Partisë, nga injoranca a nga dëshira për të imituar udhëheqësit, përshtatën një gjuhë të ngjashme me ta. Dhe kështu shkoi deri poshtë.
Po ve 4 fjali të shkëputura nga një email, nga një artikull i një gazete, nga intervista ne tvKlan e Nanos dhe nga libri "Kurban" i Rames. Nuk ju është ndryshuar as edhe një gërmë. Lexojini në kini durim dhe po patët mundësi të dashur miq, m'i përktheni.
Fjalia e parë është pjesë e një emaili që më dërgohej nga Tirana:
"... Nuk eshte nje elozhe mediatike por e vertet e madhe qe populli Shqiptar i cdo kategorie eshte 100% pro -U.S.A,ky eshte nje element shume i qensishem,duke e shtuar optimizmin ne cdo skaj."
Fjalia e dytë ka për autore një avokate dhe ishpolitikane të quajtur Brizida Gjikondi. Analiza e saj, rreth veprimeve të PS për Avokatin e Popullit, e mbushur me fjali të ngjashme me të mëposhtmen ishte botuar pardje në një gazetë shqiptare:
".... Por nuk është kjo cka mua më shqetësoi dhe më uli të shkruaj këto rradhë pasi kjo ka të bëjë kryekëput me performancën e calët të zotit Rama ne raport me ndjesinë e shqiptarve dhe Kushtetutën, ç’ka mua më shqetësoi ish referimi dhe në c’bazë kushtetuese dhe ligjore bazohej zoti Rama kur filloi të kapte për flokësh këtë Institucion kaq demokratik dhe dinjitoz."
Ja edhe një xhevair i pardjeshëm i Nanos, që spjegon ndryshimin e tij nga udhëheqësit komunistë. Të paktën ai nuk e ka shkruar, por me gojë në intervistë:
". Pra, ndarja ime me historine dhe ndikimet eventuale te ish-nomenklatures komuniste ne historine e Partise Socialiste, sintetizohet, me lejoni te them se kryetari i kesaj force te re, per shkak te tradites, qe nuk eshte vetem tek e majta, edhe tek e djathta eshte krijuar kjo tradite tashme, qe kultivon autoritetin ne raste vendimesh te rendesishme politike, te padiskutueshem te kryetarit, te udheheqesit."
Fjalia më e gjatë i takon më të gjatit. Eshtë e udhëheqësit të sotëm të PS, e nxjerë nga "Kurbani" i tij:
"... Të gjithë këta njerëz e shpëtuan votimin e 8 majit në kryeqytet nga akti fundor i një manipulimi të fazuar si një operacion kriminal disavjeçar, i cili në photofinish dështoi t’u jepte pushtuesve të rinj satisfaksionin e patrazuar të luftës së pabesë, por edhe rivendosi në majën më të lartë në sytë e shqiptarëve reputacionin e cenuar publik të komunitetit ndërkombëtar pas ngjarjes së përgjakshme të 21 janarit, ku këndvështimi i botës demokratike mbi Shqipërinë s’ishte i kthjellët si zakonisht në leximin e përgjegjësive për një demonstratë të jashtëzakonshme opozitare që u kthye në një tragjedi kombëtare nga derdhja e 2326 plumbave luftarakë prej grykës së pushkëve të pushtetit mbi protestuesit e agjituar prej keqqeverisjes varfëruese, shtypëse, dëshpëruese e ato ditë, edhe prej një videoskandali të pashoq korrupsioni në kupolën e qeverisë, të cilin Saliu e quajti sajesë të një çakalli mediatik, duke anatemuar gazetarin e madh Filip Çakuli, rebelin shpotitës të të gjithë regjimeve e qeverive në Shqipëri qysh prej kohëve më të vjetra, që e publikoi me guximin e tij shembullor videskandalin në emisionin popullor, Fiks Fare, si edhe duke kërcënuar Sokol Ballën, gazetarin e njohur ekscentrik e kurajoz, bërë halë në syrin e Saliut prej emisionit komod që drejton prej vitesh me sukses popullor në të njëjtin ekran, ekranin e pabindshëm të Tanit të Topit, ku u thirr e pyet për dy orë para publikut të shokuar dëshmitari i videoskandalit."
Mirë këta, po ti kaq gomar je që i lexon dhe shkruan rreth tyre?, mund të më pyesni me të drejtë.
Nuk jam dhe aq.
Eshtë njëlloj si të zgjidhësh fjalëkryqe, me ndryshimin që të bëjnë edhe të qeshësh.
No comments:
Post a Comment