Tuesday, 12 October 2021

Shkolla shqiptare dhe feja


Unë i përkas një brezi, që futi këmbët në shkollë atë vit kur u mbyllën kishat dhe xhamitë. Nuk kujtoj nëse në kopështin e fëmijëve flisnim rreth fesë, apo na mësonin se “feja ishte opium”, por kujtoj që me njëri tjetrin përmendnim Perëndinë, që ishte një nocion stërmadh dhe i stërfuqishëm i lidhur me qiellin dhe njëkohësisht i pakuptueshëm.

Më vonë nuk shikonim më rrugës as priftërinj me rraso të zeza dhe as hoxhallarë me xhybe, por nuk na dukej ndonjë mungesë e madhe. Dorë pas dore na mësuan se priftërinjtë dhe hoxhallarët gënjenin dhe se shkolla ishte e kundërta e xhamive dhe kishave. Kjo mbeti për një kohë të gjatë në mendjet tona “të shpëlara” nga propaganda e sistemit dhe ka nga ne që ende kanë në kokë këto ide të rreme.

Kur flasim për çështjet e Kombit dhe të gjuhës shqipe, si dhe të shkollës kombëtare shqiptare nuk mund të mos përmendim rolin e madh të institucioneve fetare. Dhe jo rolin negativ që propagandonin “çinovnikët” e komiteteve të partisë, por atë shumë të rëndësishmin në dobi të çështjes shqiptare.

Logjikisht nuk kishte se si të ishte ndryshe, sepse klerikët ishin njerëzit më të shkolluar dhe me më shumë ndikim në shoqërinë shqiptare të shekullit të XIX. Por udhëheqësit e bandës komuniste-anadollake që kishin marrë pushtetin kërkonin të rishkruanin historinë e Shqipërisë duke ulur sidomos rolin e klerikëve për të justifikuar krimet që bënë ndaj tyre menjëherë pas luftës dhe për të neutralizuar ndikimin në popull të udhëheqësve fetarë.

Eshtë pretenduar prej tyre se kjo bëhej në emër të bashkimit të popullit shqiptar, i cili ishte “i ndarë“ në disa besime fetare, por fshihej fakti që besimet fetare nuk e kishin ndalur bashkimin e shqiptarëve gjatë Rilindjes Kombëtare. Gjithashtu i mëshohej parrullës që “Liria fitohet me gjak dhe mbrohet me gjak”, që i shkonte për shtat ardhjes së tyre në pushtet dhe mbrojtjen e tij me zjarr dhe me hekur.

Kredoja e Rilindasve kishte qënë e ndryshme. Shumë më e mençur, më paqësore edhe pse nuk përjashtonte përpjekjet e armatosura për të fituar Mëvetësinë. Dhe krijimi i Shqipërisë në periudhën 1912 deri më 1920 është rrjedhojë e shumë përpjekjeve diplomatike, kërkesave dhe trysnive të bashkësive shqiptare pranë Fuqive të Mëdha shumë herë më shumë se përpjekjet e armatosura të çetave të komitëve ndaj Perandorisë Osmane apo ushtrive të fqinjëve. Sigurisht që ndikimi i ideologjisë fetare kundër dhunës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në ideologjinë e Rilindjes. Betejat e shqiptarëve për Pavarësi janë të pakta dhe gjithashtu i vogël ka qënë numuri i dëshmorëve të Pavarësisë.

Në krye të lëvizjeve për identitet kombëtar të shqiptarëve, për shkrimin e gjuhës shqipe patën qënë ata që donin të përkthenin Ungjillin duke nisur me Dhaskal Todrin, Vangjel Meksi dhe Kostandin Kristoforidhi; klerikët Gjergj Fishta, Fan Noli, Dom Nikoll Kaçorri, bektashinjtë e shquar të Frashërit, misionarët evangjelistë të familjes Qiriazi. Edhe në periudhën e fundit të Rilindjes Kombëtare, kur komunizmi ishte gjallëruar si ideologji në Europë, nuk gjen mes shqiptarëve të shquar, ateistë ose propaganndues fanatikë të përdorimit të dhunës.

(vijon)

Sunday, 10 October 2021

E Majta “gauche” shqiptare


Nuk bën të përsëritësh shumë herë që partitë në Shqipëri nuk kanë asnjë lloj ideologjie, por është e pamundur të mos e bësh. Gjendja e të punësuarve në sektorët privatë dhe shtetërorë në Shqipëri është e mjerueshme. Kuptohet jo për ata që kanë në dorë tendera, ose funksione të tjera të larta që janë në gjendje tç vjedhin.

Rrogat e ulëta të mësuesve, mjekëve, policëve kanë shpënë edhe në korrupsionin e çdo qelize të administratës shqiptare. Dhe partija “e majtë“ që duhet t’i përfaqësojë ka qënë në pushtet për 16 vjet brenda 30 viteve të pluralizmit.

Edhe Fatos Nanoja në mandatin e tij të parë kishte një program më të djathtë se të së djathtës shqiptare, por në vitet e drejtimit qeveritar të Ramës, gjendja ka qënë katastrofike. Cdo hap ekonomik është hedhur për të favorizuar “super të pasurit” me të cilët krerët e qeverisë shqiptare ndajnë të ardhurat.

Edi Rama mburret që në Shqipëri nuk ka lëvizje sindikaliste, që është mëkati më i madh që mund të dalë nga goja e një majtisti.

Në fjalimin e stërzgjatur të djeshëm, me injorancën e tij të thellë në çështjet e ekonomisë, Rama këmbëngul se rritja e rrogave dhe pensioneve minimale do ishte katastrofë për ekonominë shqiptare. Në të vërtetë të gjitha studimet ekonomike në vendet e zhvilluara kapitaliste kanë provuar të kundërtën. Kur ngrihen rrogat minimale në sektorët privatë dhe publike, shtohet fuqia blerëse, shtohet prodhimi dhe garantohet rritja ekonomike.

Po pse nuk e bën Rama këtë?

Qeveria shqiptare ka thelluar marrëzisht borxhin publik duke kryer ndërtime me kosto të larta, ka humbur gjyqe për shkak të korrupsionit dhe ka aplikuar shumë PPP. Dhe për më tepër ajo nuk do të heqë dorë nga kjo rrugë, e cila shpie të ardhura kolosale në xhepat e Ramës, Ahmetajt, Veliajt dhe shokëve të tyre. I vetmi vend ku mund të kursehet janë rrogat dhe pensionet. Ndaj edhe kryeministri hajdut shqiptar tjerr gjatë e gjatë, që nuk duam të ngremë rrogat se do i ngjajmë Sudes!

E vërteta është që një familje shqiptare me dy rroga minimale nuk mund të përballojë koston e jetesës, që është absurditet. Ndaj jetohet me të ardhura nga emigracioni, rryshfetet, tregëtitë e drogës dhe të tjera mënyra ilegale.

Kjo e majtë e shtrembër (e Majtë “gauche”) po e thellon në mënyrë astronomike digerencën midis njerëzve normalë dhe të pasurve në Shqipëri, që nuk mund të sjellë gjë tjetër veç tensioneve sociale.

Largimi sa më i shpejtë i demagogut Rama nga pushteti është domosdoshmëri për Shqipërinë! 

E diela

Qetësinë qëmtoj mes gjetheve të vjeshtës,

Ndërsa kumbojnë këmbanat poshtë kodrës.

E diela shtriqet mbi qytet,

Nën qiellin e varur mbi majat e kishave.

Dyzuar jam mes meditimit dhe lodrës.

Kur meditoj nuk më ndahet,

Dielli i butë i vendlindjes,

Që ndriste aq bukur të dielat e shkuara.

Mbi të kuqin e tjegullave zbriste,

Ndalej në të bardhën e avllive,

Në okrën e fashove të drunjta,

Magjishëm nga Mioja të pikturuara.

 

Saturday, 9 October 2021

Trillet e vjeshtës

Vjeshta,

Kjo modeliste pa mëshirë,

Që mrekullisht i vesh me ngjyra pemët

Dhe më pas i zhvesh.

Si vajzat e pasarelave

Që disa çaste nën petkun e bukur ecin serbes

Dhe pas perdeve rreken të fshehin lakuriqësinë.

Vjezhta e ka kamzhikun e erës,

Dhe mbi gishtat e pemëve vërvit,

Ndaj ato nuk i mbajnë dot gjethet

Që ju mbulojnë hiret;

Poshtë ju bien si çdo vit.

Ashtu cullak i dorëzohen dimrit,

Të akulltit të moshuar impotent,

Që s’mund t’i përkëdhelë

E aq më pak  në ekstazë t’i çojë.

E gjithë kjo nga trillet e fantazisë së vjeshtës.

Për të fati  pemëve është veç një lojë!

 

 

 

 

Friday, 8 October 2021

“Shtetarët” që e kanë shitur by….


Në Shqipëri shumë e shumë gjëra janë të pazakonta. Qeveritarët shqiptarë edhe pse rrahin gjoksin që janë proeuropianë dhe proamerikanë, as nuk përpiqen të imitojnë edhe rregullat formale të një demokracie të zhvilluar, por sajojnë forma të tjera, të çuditshme, të dyshimta, pa lezet për të mos thënë të shpifura.

Vjet e sivjet kriminaliteti në Shqipëri ka qënë në rritje dhe policia ka qënë shumë më poshtë se sa niveli i detyrës në parandalimin e krimeve, në ndjekjen e tyre dhe në shpënien para drejtësisë. Deri diku rritja e krimit është e kuptueshme, sepse niveli i varfërisë dhe i papunësisë ka qënë i lartë, por burimet nga Shqipëria bëjnë me faj ministrat e brendshëm dhe ish-drejtorin e policisë Veliu. Opozita ka kohë që e ka demaskuar dhe para disa muajsh edhe vetë Rama u detyrua të pranonte gjendjen e dobët të shërbimit policor.

Po ç’ndodhi dje, që na bën ta rikthesojmë nofkën Absurdistan për Shqipërinë?

Kryeministria organizon një manifestim “lënie stafete” nga Veliu tek Nano, nën bekimin e ministrit CuçI, po aq përgjegjës për luftën ndaj krimit gjatë këtij viti. Në asnjë vend demokratik nuk zhvillohen ceremoni të tilla për dikë që shkarkohet, ose detyrohet të japë dorëheqjen. Madje nuk ndodhin as kur për hir të moshës apo të gjendjes shëndetsore, Kryepolici dorëzon detyrën.

E gjitha është një farsë e kërkuar nga Veliu, ku jo vetëm do të paraqitet si Kryepolic i suksesshëm dhe që është larguar me dëshirë, por kërkon që kjo të theksohet edhe nga ministri Cuçi. Kjo gjë e lejuar dhe e ideuar nga Rama është e detyruar nga shantazhi i Veliut, i cili kërkon “të largohet me nder”.

C’farë dokumenta zotëron Veliu, që është në gjendje të shantazhojë kryeministrin shqiptar?

Porosi për mbyllje dosjesh? Urdhra për përfshirjen e policisë në fushatën elektorale? Orientime për goditje vetëm të kriminelëve të lidhur me opozitën?

Ndoshta të gjitha këto, sepse nuk spjegohet dot ndryshe, që kryeministri e deklaron policinë si të paefektshme, shkarkon Drejtorin e saj dhe njëkohësisht bëhet përcjellja me bujë e tij dhe ministri klloun Cuçi deklaron se “ Nano do e ketë të vështirë për shkak të standarteve të larta që ka vënë Veliu!”

Ministria e Punëve të Brendëshme është një ministri shumë e rëndësishme në çdo vend, por më e rëndësishme bëhet në vendet me demokraci-hibride si e jona. Tradita e keqpërdorimit të saj fillon me Berishën dhe vazhdon në të njëjtën linjë me Ramën, që në krye të saj vendos vetëm bashkëpunëtorë të afërt të përzjerë me krime.

 

A i përcakton qeveria çmimet e mallrave?


Përgjigja e menjëhershme është- JO. Në ekonominë e tregut të lirë çmimet përcaktohen nga kërkesë-oferta. Deri këtu Edi Rama, që shpesh krekoset si njeriu që ka në dorë gjithshka, që mund të ndalë edhe diellin dhe hënën për Shqipërinë, në parim ka të drejtë. Buka, frutat, zarzavatet, energjia elektrike dhe plot artikuj të tjerë bazë të jetës së përditshme varen nga tregu.

Por duke qënë cipëplasur, kryeministri shqiptar nuk thotë pjesën tjetër të së vërtetës për çmimet “Qeveritë kanë në dorë të ndikojnë në çmimet me shumë lloj mekanizmash financiarë që zotërojnë.”

Dhe këtë e kanë bërë për shumë kohë qeveritë shqiptare, sepse po të marrësh naftën dhe benzinën, kanë qënë vazhdimisht më të shtrenjtat në rajon edhe pse jemi vendi më i varfër dhe kërkesat për karburant i kemi më të pakta se të vendeve të tjera. Qeveritë shqiptare vërtet kanë ndikuar, por kanë ndikuar për keq. Kanë ndikuar keq me politikat e tyre ekonomike dhe sidomos me nxitjen e korrupsionit, që favorizon tregëtarët e pasur dhe paguhet nga xhepat e njerëzve të thjeshtë.

Me borxhin e madh publik të krijuar, Edi Rama nuk ka mundësi finanaciare të subbvencionojë disa nga artikujt bazë të jetës së përditshme. Këtë gjë nuk ja këshillojnë as ekspertët e FMN-së dhe të Bankës Kombëtare, të cilët nuk duan thellimin e borxhit, që shpie në një katastrofë ekonomike.

Pra mbetet e vetmja alternativë të thuash se ky është kapitalizmi (kështu ka qënë kapitalizmi i egër) dhe se “çmimet nuk i përcaktoj unë!” Ta kalosh përgjegjësinë nga vetja tek sistemi dhe një pjesë e mirë e të varfërve të thonë hapur: “Më mirë ishte në kohën e Enver Hoxhës!”

Shqipëria ndodhet në një gjendje shumë të vështirë politike. Edi Rama duhet rrëzuar sa më parë nga pushteti, por në vend nuk ka asnjë alternativë zëvendësuese. Brenda PS-së ai i ka të gjithë ushtarë të vënë në rrjesht dhe opozita jo vetëm është e copëtuar, por edhe pa besueshmëri tek njerëzit.

Le të presim se ç’do sjellë ky dimër! Të paktën mos jetë shumë i ashpër!

 

 

Thursday, 7 October 2021

Pleqtë

Ata nuk kanë më pallto me bira,

As të çara galloshe.

Rreth këmbëve ju tunden tutat “Adidas”,

Mbi këpucët sportive që ju lehtësojnë ecjen

Rrinë murit mbështetur në një qoshe.

Nuk vrapojnë dot,

Tek kërkojnë prindërit e tyre.

Mbi bluzat sintetike

Vija të shtrembëra hekuri lënë,

Zbokthi që nuk e shohin më dot ta heqin,

Disa pika lyre.

Më shumë fëmijë duken pa solemnitetin e dikurshëm,

Pa borsalinot e ndotura

Dhe pa qostek floriri.

Ciklin e jetës duke mbyllur,

Të shtrembëruar si rrënjët që me mundim ujin gjejnë,

Nga puna e zgjatur më tepër se nga artriti,

Nuk kujtojnë më

Në janë shpirtra,

Etër

Apo feniksë që ngrihen nga hiri